Nga Ina ZHUPA
Bëhet fjalë për një fond që mund të administrojë shumë miliona euro, përmes granteve, subvencioneve dhe instrumenteve të tjera financiare për projekte mjedisore dhe restaurimi.
Projektet mund të propozohen nga vetë ministria dhe agjencitë në varësi të saj. Vlerësimi bëhet nga një komision i përbërë nga 5 nëpunës drejtues të ministrisë, të caktuar me urdhër të ministrit, ndërsa vendimi përfundimtar merret po nga ministri.
Pra, propozuesi, garuesi, vlerësuesi dhe vendimmarrësi janë brenda së njëjtës hierarki administrative.
Në Komision, nënkryetari Erion Malaj e paraqiti këtë mekanizëm si një gjetje të konsultuar dhe të marrë miratimin e Komisionit Europian, duke e lidhur me nevojat e rrugës së integrimit europian.
Por përgjigjja e zv.ministres Xhumari e përgënjeshtroi këtë pretendim: konsultimi, sipas saj, kishte qenë vetëm me ministrinë e linjës.
Një mashtrim publik për të krijuar alibi për mekanizmat e krijuara me qëllime klienteliste dhe partiake. Nuk mund të quhet “europian” një mekanizëm ku 5 vartës të ministrit vlerësojnë fondet dhe ministri merr vendimin përfundimtar.
Ku është pavarësia e vlerësimit?
Si mund të garantohet një proces i besueshëm kur vetë ministria apo agjencitë e saj mund të jenë aplikante për fondin dhe projektet e tyre vlerësohen nga vartës të së njëjtës ministri?
Është një konflikt interesi i ndërtuar në vetë strukturën e fondit për t’u ndarë sipas preferencave politike. Mjedisi vazhdon përdoret si instrument për interesa klienteliste dhe kundra standardeve europiane.
Gazeta RD