Gjoni: Po shkrini bashkitë për të kapur zgjedhjet, jo për qytetarët

Deputeti i PD, Gjin Gjoni ka akuzuar mazhorancën socialiste se po e miraton me dhunë Reformën Territorialen.

Në fjalën e mbajtur në seancën e Kuvendit, Gjoni iu drejtua socialistëve, duke i akuzuar se po i shkrijnë bashkitë për të kapur zgjedhjet e ardhshme vendore dhe qendrore.

Gjoni tha se, reforma Territoriale nuk po bëhet për t’u shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer interesit politik.

Fjala në Parlament

Të nderuar kolegë deputetë, të nderuar qytetarë!

Sot po diskutojmë për orë të tëra çështjen e reformës së ndarjes administrative territoriale të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë. Por kjo reformë po realizohet në kushte terrori dhe një shtetrrethimi të këtij parlamenti, që ka të bëjë në lidhje me një nga çështjet kryesore dhe dy reformat kryesore që ky parlament ka përpara, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore. E gjithë procedura dhe gjithçka që ka nisur në raport me këtë reformë territoriale kalon nëpër disa faza të cilat nuk janë respektuar nga ana e këtij parlamenti. Dhe që nga momenti kur është nisur projektligji dhe krijimi i komisionit të reformës territoriale, janë planifikuar disa hapa të cilët janë miratuar qoftë nga pjesa e mazhorancës, qoftë nga pjesa e opozitës, por rezulton që këto hapa të cilët janë miratuar në kalendarin i cili ka qenë parashikuar, nuk është respektuar sipas kësaj procedure.

Dëgjesat publike të cilat janë realizuar, rezulton që nuk janë të plota dhe në disa bashki rezulton që nuk janë realizuar. Siç është bashkia e Tiranës, një nga bashkitë kryesore, dhe këtu në rastin konkret, edhe kryetari aktual i cili është një rast ekzemplar i cili ndodhet në burg, megjithëse ka kërkuar që të realizohen dëgjesat në lidhje me Tiranën, nuk është përmbushur si kriter ligjor. Po kështu, kemi një injorim të konsultimeve dhe nxitim procedural. Rezulton që në rastin e uljes së numrit të bashkive nga 61 në 46, është futur në kalendarin e punës dhe njëkohësisht ka kaluar edhe në Komisionin e Reformës Territoriale dhe Komisionin e Ligjeve, pa pritur përfundimin e plotë dhe integrimin e qëndrimeve që vinin nga komunitetet lokale dhe këshillat bashkiakë. Çfarë ka rezultuar? Ka rezultuar që në 15 bashki të cilat kërkohet që të shkrihen nga ana e mazhorancës aktuale, të gjithë këshillat bashkiakë kanë votuar kundër.

Dhe ky është një kriter i cili, sipas nenit 108 të Kushtetutës, duhej t’i referohemi, secili prej nesh dhe secili deputet duhet ta kishte parasysh, që qëndrimet e komuniteteve dhe të këshillave bashkiakë janë parësore në këtë ndarje territoriale. Po kështu, nuk është pritur dhe nuk është marrë qëndrimi i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, duke pretenduar se reforma po humbet legjitimitetin dhe po shkel Kartën Evropiane të Autonomisë vendore. Dhe të gjitha këto faza, janë faza të cilat duhet të ishin përmbushur nga ana e këtij parlamenti. Në lidhje me çështjet të cilat edhe dëgjesat e zhvilluara në terren, edhe peticionet të cilat janë firmosur, të gjitha kanë qenë kundër. Dhe duke u kërkuar që të respektohet interesi i tyre gjeografik dhe ekonomik në raport me këto njësi bashkiake dhe me bashkitë që do shkrihen.

Çfarë ka sjellë dhe çfarë do sjellë kjo reformë? Që nga reforma e vitit 2014, e cila në vetvete është e dështuar, dhe e gjithë analiza e cila është realizuar në të gjitha konsultimet me bashkitë të cilat janë realizuar, rezulton që është thjesht një reformë e cila ka dështuar në aspektin e menaxhimit, në aspektin e shpërndarjes së burimeve financiare, në punësime të cilat rezulton që në vend që të shkurtohej numri i punonjësve në administratën lokale, rezulton që është rritur. Por nga krahu tjetër, kemi përqendrim të shërbimeve për shkak të kësaj reforme të re dhe largësi nga qytetari. Me zmadhimin e bashkive, shumë qytetarë dhe banorë të zonave rurale humbën aksesin e drejtpërdrejtë në shërbime. Atij i duhet të udhëtojë shpesh në drejtim të qendrave të reja të bashkisë për të marrë shërbime elementare apo dokumentare, duke krijuar më shumë probleme për ata të cilët jetojnë në periferi të këtyre zonave.

Ka një pabarazi të lartë dhe polarizim mes bashkive. Sipas të dhënave të cilat sot janë publike, rezulton që 56% e të ardhurave vendore janë të përqendruara vetëm në Tiranë, për shkak se i gjithë biznesi është i përqendruar në Tiranë. Dhe 47 bashkitë e tjera rezultojnë që kanë më pak se 1% të të ardhurave. Më thoni mua, për shkak të kësaj reforme territoriale, a mundet që këto bashki të cilat bashkohen, të realizojnë dhe të kenë të ardhura që të mbijetojnë? Jo, as me këtë hartë të re. Varësia financiare dhe mungesa e autonomisë reale. Edhe pse bashkitë u bënë më të mëdha, ato nuk u bënë realisht të fuqishme. Pesha e tyre financiare në ekonominë kombëtare mbetet e kufizuar dhe gjerësisht të varura nga buxheti shtetëror dhe qendror. Rezulton që sot Shqipëria, në vetvete me shkurtimin e 64 bashkive në 46, po kthehet në një bashki të madhe të cilat kompetencat kryesore i ka kryeministri.

Dhe cili është shkaku? Shkaku është te ana financiare dhe të gjitha lejet e ndërtimit po t’i shihni në të gjitha bashkitë e bregdetit, i jep kryeministri. Dhe përsëri kryeministri do i japë. A duhet një pavarësi financiare dhe decentralizim? A e realizon reforma territoriale këtë? Jo. Dhe edhe deputeti Erion Braçe i cili ishte shumë i ashpër në qëndrimin që dha, këtë pretendim dhe këtë qëndrim ngriti në raport me gjithë legjislacionin e tjetër i cili duhet të ishte legjislacion shoqërues. Shpenzimet e larta për administratë dhe pak investime. Shumë njësi shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxheteve vetëm për paga dhe mbajtjen e administratës, duke mos lënë hapësirë pothuajse për investime publike dhe për zhvillim lokal. Ju i shihni bashkitë e mëdha, Bashkia e Durrësit pjesën më të madhe të buxhetit e çon për plehrat. Bashkitë e tjera po të njëjtën gjë. Pse? Sepse janë përqendruar shërbimet në dorë të oligarkëve, janë përqendruar shërbimet në dorë të njerëzve dhe bandave kriminale.

Dhe kjo në vetvete nuk sjell asnjë përfitim për qytetarët. Dhe çfarë ndodh? Dobësimin e përfaqësimit lokal. Çfarë ndodh në rastin konkret? Po të marrim bashkinë e Fushë-Arrëzit, e cila do të bashkohet me bashkinë e Pukës. Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak i cili është në bashkinë e Fushë-Arrëzit, ka një shtrirje territoriale në secilën prej atyre ish-njësive bashkiake. Në rast se do shkojë në bashkinë e Pukës nga 25 këshilltarë që ka sot bashkia e Fushë-Arrëzit, ose bashkia e Klosit, do ngelen vetëm tre këshilltarë në këshillin bashkiak. Pse? Sepse këta do i përthithë dhe njerëzit do votojnë gjithmonë në ato qendra të cilat kanë më shumë popullsi dhe njerëz të cilët përfaqësojnë më shumë komunitete. Dhe shkrirja e këtyre bashkive duke argumentuar se në vetvete i izolon këto fshatra, i izolon, por edhe u heq identitetin territorial. Kemi largim të mëtejshëm të shërbimeve. Dhe ashtu siç e thashë, distancat edhe për shkak të relievit malor, të cilin sot Shqipëria ka 2/3 e relievit e ka reliev malor, rezulton që në Shqipëri, në vend që numri i bashkive të ishte 100 e mbi 100, siç është edhe projekti i paraqitur nga ana e Partisë Demokratike, rezulton që këta po shkojnë në 46.

Dhe ajo e cila është thelbi i thelbit të gjithçkaje në lidhje me këtë reformë, është braktisja dhe shpopullimi i zonave të shkrira. Fakti është real, në vitin 2014, për shkak të shkrirjes së komunave dhe të bashkive, kemi shpopullim total të zonave për nga këto bashki të cilat janë shkrirë. Hajde më thoni juve sot, sipas statistikave të Institutit të Statistikave, Korça sot 80% të territorit e ka të pabanuar. Gjirokastra po në të njëjtin nivel. Hapësirat e tjera malore po në të njëjtin nivel. Për shkak të përqendrimit dhe kalimit të qendrave të bashkive në qytetet kryesore, përsëri do kemi emigrim të brendshëm dhe kemi shpopullim total të këtyre zonave.

Dhe kjo, pse? Edhe për një arsye. Sepse ulet rënia e vëmendjes për investime publike, rrugë rurale, ndriçim, kanalizime, dhe nxit emigrimin e brendshëm masiv të të rinjve drejt qyteteve të mëdha, duke përshpejtuar shpopullimin. Kemi edhe një aspekt tjetër i cili është shumë i rëndësishëm, është humbja e identitetit territorial. Nuk mund të bashkosh në mënyrë mekanike disa zona të cilat kanë një identitet të tyre. Pse? Historikisht kanë qëndruar si të tilla. Pse duhet të ashtu? Fragmentarizimi i shërbimeve jetike nuk zgjidhet me ndryshim harte…

Për shembull, menaxhimi i mbetjeve dhe ujësjellësave, ndihma sociale, emergjencat civile, shpesh dështojnë dhe jo për shkak të madhësisë së bashkisë dështojnë, por për shkak të mungesës së kompetencave reale, mjeteve dhe stafit meritokratik. Pse? Një hartë e re nuk ka për t’i zgjidhur problemet e vjetra, përkundrazi do i shtojë. Dhe e fundit, më thoni sepse erdhi zoti Mazniku këtu dhe na tha që kjo bëhet në kuadër të thithjes së projekteve nga Bashkimi Evropian. Po pse ato vende të cilat kanë hyrë në Bashkimin Evropian, që është Sllovenia që po marrim për shkak të numrit të banorëve dhe ka bashki me 1500 banorë, nuk po i thith projektet e Bashkimit Evropian?

Po i thith dhe është një nga rastet më ekselente të mënyrës se si thithen. Nuk është ky shkaku. Shkaku është politik, shkaku është elektoral. Shkaku është që kjo reformë po bëhet sepse me datën dy ose me nëntë pritet dekreti i presidentit në mënyrë që të hyhet në zgjedhjet lokale me një reformë të re elektorale. Ky është qëllimi dhe këtë duhet ta kuptojnë shqiptarët, sepse një reformë territoriale e cila bëhet në kushte të izolimit dhe me dhunë ndaj qytetarëve që protestojnë në mënyrë të lirë, nuk mund të quhet reformë territoriale. Dhe deputetët s’kanë pse të kenë frikë nga qytetarët dhe është e turpshme. Dhe unë përsëri u bëj thirrje deputetëve, 15 deputetëve të cilëve u shkrihen bashkitë, të votojnë dhe të ngrihen në dinjitetin e deputetit dhe përfaqësuesit të zonës, të votojnë kundër kësaj reforme.

About Redaksia

Check Also

Berisha për deputetin Sinaj/ “Eunuk, emri yt në shtyllën e turpit”

Deputeti socialist Vullnet Sinaj, në fjalimin e tij në Kuvend tha se ka mbajtur dhe …