Deputeti i PS, Vullnet Sinaj deklaroi se do të votojë pro reformës territoriale të Ramës që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, mes tyre dhe të Selenicës, bashkisë së qytetarëve që e zgjodhën deputet. Në foltoren e Kuvendit pasi u përpoq të shfajësohej para qytetarëve të tij la të kuptojë se vendimi ishte politik dhe se ai nuk mund të dilte kundër.
Në replikë, kryetari i PD, Sali Berisha tha se, brenda 3 ditësh Sinaj u shndërrua në eunuk.
“Kur të nxorën kartonin e kuq për të shtruar big market në small market, edhe ti u palose”, tha Berisha.
Berisha: Të dashur qytetarë të Selenicës, e dëgjuat deputetin tuaj se si brenda tre ditëve u shndërrua në eunuk.
Përsa i përket asaj që thua se për biznesin, për mua e para është siguria ushqimore.
Mësoje!
Siguria ushqimore për qytetarët! Dhe e vërteta është se të dhënat ti i di vetë si kanë qenë, jashtëzakonisht problematike me disa importe, disa produkte.
Po duket se kur të nxorën kartonin e kuq për të shtruar big market në small market, edhe ti u palose. E hëngre turpin me bukë.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Selenicës dhe qarkut të Vlorës.
E dëgjuat vetë se si midis Big Marketeve të tij, të mbushura me ushqime të skaduara dhe shpeshherë me probleme të mëdha, dhe Selenicës, të drejtave tuaja për të patur vetëqeverisjen, ai që s’dua t’ia them as emrin këtu, zgjodhi Big Marketin e tij.
Po ti mo, a të mbylleshe atje, ti ke aq shumë fitime sa mund të rrije dhe të zgjidhje të mbroje interesat.
Po ku je ti mo? Çfarë je mo?
Po si të ka denatyruar pasuria në këtë mënyrë? Si ka mundësi që del këtu edhe na bën histori, në një kohë kur, faktikisht, fjala jote është funerali i Bashkisë Selenicë.
Shtylla e turpit në atë bashki do ngrihet dhe emri i parafolësit do shkruhet me gërmat më të zeza.
Mbajeni mend këtë, edhe po s’ndodhi shpejt, do ndodhë, do ndodhë, do ndodhë.
Gazeta RD