Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shprehur rezerva të forta ndaj reformës së re territoriale, duke e cilësuar atë një mundësi të humbur për të forcuar pushtetin vendor. I ftuar përmes një lidhjeje me video në “Top Story”, Braçe tha se reforma nuk transferon realisht pushtet te bashkitë, por u jep atyre kompetenca kryesisht formale.
Duke marrë si shembull bashkinë e Divjakës, ai kundërshtoi disa prej kompetencave të parashikuara, duke argumentuar se strehimi social dhe mbështetja për biznesin e vogël nuk përbëjnë një transferim real të pushtetit. Sipas tij, bashkive duhet t’u kalohen kompetenca që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Po të ishte një reformë për mirëqeverisjen, patjetër që do të isha pro saj. Për mua do kishte vlerë që sot të dija çfarë statusi do të kenë qytetet që krijohen si një instrument mes bashkisë dhe njësive administrative”, tha Braçe.
Ai kritikoi gjithashtu përqendrimin e pushtetit tek kryetarët e bashkive, duke kërkuar që kompetencat të transferohen edhe te njësitë administrative. “Mua nuk më intereson të kemi disa kryeministra në territor”, u shpreh ai.
Braçe foli edhe për deklaratën e Edi Ramës se, nëse do të votonte kundër reformës, do të përjashtohej nga Grupi Parlamentar i PS-së. Deputeti tha se një qëndrim i tillë deformon debatin demokratik brenda partisë.
“Rama tha nëse ti voton kundër, je jashtë këtij Grupi Parlamentar. Jo kush voton, por ‘ti’. Unë jam mandatuar të votoj reforma. Më vjen keq që ky debat shkon në këtë gjë”, deklaroi Braçe.
Sipas tij, edhe harta territoriale e vitit 2014 është hartuar mbi bazën e interesave të mazhorancës. “Harta territoriale nuk duhet të bëhet për interesat partiak. Ti thuash tjetrit që do votosh si shumica, nuk është demokraci. Ky është deformim demokratik brenda PS”, tha ai.
Në përfundim, Braçe e cilësoi situatën si “një betejë të humbur”, duke argumentuar se nga reforma, në formën aktuale, nuk del i fituar askush.
Gazeta RD