Olta Blaceri, Vizion Plus: Z. Berisha, PD e ka bërë njëherë betejën kundër hartës territoriale në vitin 2014. Ajo ka tentuar të bëjë referendume lokale dhe ka një vendim të Kolegjit Zgjedhor që thotë se nuk ka referendum për ndarjen lokale se nuk është çështje vendore, por është çështje kombëtare. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetues, e cila thotë se nuk ka referendum të përgjithshëm kundër hartës territoriale. Përballë këtyre dy vendimeve, si bën PD një referendum?
Sali Berisha: Ne nuk përfillim asnjë vendim antikushtetues. Asgjë, në të drejtën shqiptare, përveç referendumeve që cenojnë integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, nuk mund të ndalojë qytetarët të shprehen.
Referendume që cenojnë integritetin territorial të vendit, nuk mund të ndërmerren, kjo është e vërteta.
Së dyti, është një parim themelor i Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe i të drejtës evropiane, i cili kërkon konsultimin dhe referendumin me qytetarët për ndryshimin e kufijve të njësive të qeverisjes vendore.
Kjo siç thoshte vetë relacioni i të pengmarrurit Mazniku, i cili e keni parasysh, ishte bashkautor kryesor në 5D, ishte bashkëudhëtar me Fushën në Hotel Barcelona, i paguar nga Fusha në Hotel Barcelona, në kundërshtim flagrant me etikën dhe ligjin, i cili ishte menaxher i kompanisë Eco Tirana, 51 me 49 përqind me Andrea Miloranzin e Venecias në hetim të plotë për lidhje me Ndranghetën, pra ky peng i krimeve të tij zbatoi verbërisht çdo urdhër të Edi Ramës dhe paraqiti atë projekt, produkt i krimit të tij dhe partisë së tij.
Olta Blaceri, Vizion Plus: Mbrëmë në parlament, PS tha se do ringrejë komisionin e Reformës Territoriale për të përcaktuar kompetencat e bashkive këtë herë. A do shkojë PD?
Sali Berisha: Në asnjë rrethanë. PD mori pjesë, dhe unë ua kam thënë këtu para jush se ne marrim pjesë, jo se bindemi se Edi Rama nuk do përdorë votat e krimit kundër qytetarëve, e kishim shumë të qartë, por morëm pjesë dhe ndoqëm agjendën në mbarë Shqipërinë për të dëgjuar zërin e qytetarëve, të cilët në çdo konsultë e demaskuan ndarjen territoriale të Edi Ramës.
Ndoqëm, morëm pjesë për të përgatitur variantin tonë të reformës territoriale, i cili jo që nuk hiqte, por shtonte 100 bashki dhe mbetej e hapur për shtimin e bashkive të tjera në përputhje me konsultimet, të cilat u ndërprenë.
Së fundmi, në qoftë se ju lexoni raportin e Komisionit Evropian të vitit të kaluar, ai raport përcakton dy kushte të qarta, përcakton kushtin e reformës territoriale dhe kushtin e reformës zgjedhore, për të cilat ne kemi prirjen t’u përgjigjemi kushteve që kanë rëndësi përcaktuese për integrimin e vendit.
Ne bëmë punën tonë, Edi Rama përdori mandatet e krimit për të asgjësuar 15 bashki për qëllime elektorale.
Olta Blaceri, Vizion Plus: Pas miratimit të hartës territoriale, vihet në lëvizje mekanizmi i zgjedhjeve. Presidenti deri në datën 7 nëntor dekreton datën e zgjedhjeve lokale. Kur do shpallë PD kandidatët?
Sali Berisha: PD ka filluar përgatitjet. Por PD do vazhdojë betejën në të gjitha frontet. Ne jemi në kushtet e një diktature autoritare, e cila nuk përfill Kushtetutë, nuk përfill rregulla, nuk përfill detyrimet ndërkombëtare që kemi ne në procesin e integrimit.
Por ne e kemi bërë të qartë se kemi zgjedhur veprimtarinë brenda institucioneve.
Dhe ne, nuk ka mëdyshje, do marrim pjesë në zgjedhje.
Gazeta RD