Marsi Korreshi, SYRI TV: Z. Berisha, ndërkohë një tjetër reformë po kaq e rëndësishme, Reforma Zgjedhore mund të ketë fatin e Reformës Territoriale, për aq kohë sa Partia Socialiste ka fuqinë e kartonit si përgjigje. Çfarë do të bëjë opozita dhe Partia Demokratike për ta parandaluar këtë?
Sali Berisha: Partia Demokratike ka përgatitur projektin e vet. Do t’ia paraqesë publikut. Por 35 mandatet e krimit i komandon Padrinoja dhe jo Partia Demokratike.
Ne do bëjmë gjithçka siç kemi bërë, kemi arritur të dokumentojmë para shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar se në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje, por farsa zgjedhore. Dhe farsat zgjedhore janë tipar i regjimeve autokratike, diktatoriale, autoritare. Dhe në këtë mënyrë do bëjmë gjithçka të mobilizojmë shqiptarët kundër këtij narkodiktatori.
Natyrisht, thashë dhe një herë, ka një rrugë tjetër, bojkoti dhe tërheqja, por në fakt diktaturat atë duan. Diktaturat nuk duan prani opozite askund.
Ne do të vazhdojmë të jemi dhe të vazhdojmë betejën tonë me të gjithë forcën dhe mundësinë që kemi.
Kemi përpara një kundërshtar të inkriminuar në shkallën më të lartë, kemi përpara një kundërshtar që është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt, të kryejë çdo krim, të shesë çdo gjë për lëkurën e tij. Por ne nuk tërhiqemi. Ne vazhdojmë me të gjithë potencialin betejën tonë të pandalshme, me besim të plotë se do t’ia dalim.
Edi Rama sot, në qoftë se shkojmë një vit prapa, është dymbëdhjetë herë më i dobët seç ishte. Është i damkosur si asnjë lider tjetër dhe kjo është meritë e opozitës shqiptare, meritë e qytetarëve shqiptarë dhe e protestës së tyre katër mujore që po zhvillohet.
Pra, kjo është situata në një narkodiktaturë. E rëndësishme është që të vlerësosh objektivisht situatën. Shqipëria është një narkoshtet dhe Shqipëria është më narkoshtet se çdo shtet tjetër në botë.
Po ndalem dhe një herë këtu. Në të drejtën ndërkombëtare narkoshteti nuk ekziston. Por në realitetin ndërkombëtar narkoshteti është një nga realitetet më tragjike për kombet.
Për narkoshtet bëhet fjalë kur vendi është i tejmbushur me drogë dhe Shqipëria, sot që flasim, është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë.
Shqipëria, sot që flasim, tregton heroinë në kalim apo në prodhim, më shumë se India, Nepali dhe disa vende të marra së bashku.
Kartelet shqiptare të drogës sot janë transportuesit më kryesorë të kokainës në Europë.
Pra, droga është omniprezente, por është dhe omnipotente. Ekonomia shqiptare e ka pësuar nga droga më shumë se ekonomia e çdo vendi tjetër të cilësuar narkoshtet në Amerikën Latine.
Për ata të cilët bëjnë sikur nuk e shohin, për ata të cilët e injorojnë, unë u them, merrni pak zhvlerësimin e dy monedhave më të fuqishme të botës.
Në asnjë vend në planet, në asnjë narkoshtet të cituar, euro dhe dollari nuk kanë pësuar një zhvlerësim kaq katastrofal sa në Shqipëri. Në 10 vite ato janë zhvlerësuar respektivisht 32 dhe 35 përqind. Por po kaq janë zhvlerësuar sepse narkoshteti përcaktohet nga ndikimi i drogës në ekonomi, nga narkoekonomia. Shtylla kryesore, shtylla më kryesore është kjo.
Merrni ndikimin në ekonomi. Zhvlerësimi me 32 dhe 35% i euros dhe dollarit. Dhe mos harroni se vetëm këtë vit, gjer tani Banka e Shqipërisë ka blerë në treg 1.2 miliardë euro. Sepse narkoeurot që vijnë me kontejnerë, me autobusë, me të gjitha mjetet, euron evropiane të qarkullimit të lirë po e nxjerrin jashtë loje.
Pra, ky zhvlerësim ka zhvlerësuar në masën proporcionale eksportet e vendit. Sepse eksportuesit shesin me euro, me dollarë, por brenda vendit paguajnë me lekë dhe konvertimi i eurove në lekë tani është 30% më i ulët.
Narkoekonomia apo eurot mbi ekonominë kanë sjellë goditje fatale për prodhimin bujqësor. Nuk janë shifrat tona, u them atyre që nuk duan të flasin për narkoshtet, kjo është shifër e Eurostatit që thotë se prodhimi industrial i Shqipërisë nga 2021-shi gjer sot ka rënë më shumë se në çdo vend tjetër përveç Ukrainës, ka rënë me 15.3%.
Dhe mbi të gjitha shoku demografik. Sepse shkatërrimi i eksporteve, i prodhimit industrial dhe po kaq i prodhimit bujqësor, ka bërë të falimentojnë qindra mijëra ndërmarrje, qindra mijëra ferma dhe largimin e punonjësve të tyre nga Shqipëria. Largimi më i madh se në çdo kohë në histori.
Në 10 vite vetëm në Bashkimin Europian 1 milion e 99 mijë shqiptarë kanë emigruar.
Këto dy shtylla, vetëm të verbrit që nuk duan nuk i shohin, apo atyre që droga ua ka zënë sytë.
Po ka një tjetër, po kaq kardinale: implikimi i institucioneve me trafiqet e drogës.
A nuk është kryeministri shqiptar që ka pritur Luftar Hysën në zyrë dhe i ka dhënë licencë për hotel me pesë yje dhe kazino?
A nuk është kryeministri shqiptar që Pëllumb Gjokës, një motel të dalë boje, ia shpalli hotel me pesë yje dhe i jep licencën e kazinosë?
A nuk është Edi Rama që dërgon në takimet trilaterale përfaqësuesit e tij në Aruba, në Majorka e në vende të tjera?
A nuk ishte Vlora Hyseni e lidhur si mishi me kockën me koordinatorin e karteleve të drogës dhe që jepte informacione për to, Ergys Agasin?
A nuk ishte drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Proda, që merrte Suel Çelën nga strofulla e tij dhe e çonte tek dentisti?
A nuk dalin emra gjykatësish dhe prokurorësh vetëm në dosjen Metamorfoza? Vetëm në dosjen Metamorfoza 1 janë emrat e 300 oficerëve të policisë, të rangjeve të ndryshme, nga killer tek pengmarrës, tek trafikant ordiner.
Pra ky është regjimi. Dhe ne i kemi bërë këtë autopsi. Dhe ne do vazhdojmë.
Unë e di që ka avokatë, disa e bëjnë nga mungesa e njohurive, të tjerë e bëjnë se droga u zë sytë. Mos harroni, Edi Rama është njeriu më transaksional. Nuk i ka për gjë milionat në transaksione për të mbyllur gojë.
Po prapë ne jemi të bindur, të vendosur që këtë realitet dramatik ta paraqesim kudo.
Isha në Këshillin e Europës, e paraqita siç është.
Në takimet që pata në Teksas, e kisha çështje kryesore.
Kudo do ta kemi çështje kryesore. Droga është fuqi e të keqes dhe ne do ta luftojmë atë, duke shpresuar se qëndrime të hapura do mbahen siç kanë filluar të mbahen nga komuniteti ndërkombëtar.
Jemi të inkurajuar dhe mirënjohës për rezolutat e organizatave ndërkombëtare të partive.
Jemi shumë mirënjohës për mesazhet që ka përcjellë administrata e Presidentit Trump dhe Sekretari Rubio, por prapë kjo kërkon që ne të vazhdojmë këtë betejë.
Ka prapë shumë punë për të bërë.
Gazeta RD