Gjykata Kushtetuese ka vendosur pikëpyetje serioze mbi vendimin e gjyqtarit të Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, për caktimin e masës së “detyrimit për paraqitje” ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, vendim i mbështetur më tej nga Gjykata e Lartë.
Gjykata Kushtetuese njoftoi këtë të premte se pranoi pjesërisht ankimin e Berishës, duke vendosur rikthimin e çështjes në Gjykatën e Lartë. Gjyqtarët kushtetues konstatuan se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, nuk kanë arsyetuar se ku ishin bazuar dhe përse e kishin vlerësuar të përshtatshme caktimin e masës “detyrim për paraqitje” ndaj kryedemokratit.
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese rikthen në vëmendje mënyrën se si u vendos masa ndaj liderit të opozitës, si dhe mungesën e arsyetimit juridik për vendimin që u la në fuqi nga Gjykata e Lartë.
Më 3 janar 2025, Gjykata e Shkallës së Parë e GJKKO-së rrëzoi të gjitha masat e sigurisë ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha, duke i hapur rrugë hetimit të tij pa asnjë masë kufizuese, pas shfuqizimit të arrestit shtëpiak dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit.
Pas vendimit të Shkallës së Parë, SPAK-u e ankimoi çështjen në Apelin e GJKKO-së, ku gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të rrëzojë vendimin që e linte Berishën pa masa sigurimi. Pëllumbi pranoi kërkesën e SPAK-ut dhe caktoi ndaj kryetarit të PD-së masën e “detyrimit për paraqitje”, duke e detyruar të paraqitet dy herë në muaj para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Vendimi i gjyqtarit Pëllumbi u konsiderua nga pala mbrojtëse si një masë pa bazë dhe pa arsyetim juridik, që cenon lirinë kushtetuese të lëvizjes së Berishës, aq më tepër që ai mban edhe postin e kreut të opozitës shqiptare.
Siç shihet nga vendimi i sotë i Gjykatës Kushtetuese, nipi i ish-sigurimsit të shtetit Bujar Himçi, Engert Pëllumbi, dha një masë politike dhe jo juridike ndaj liderit të opozitës së vendit. Mesa duket nën moton e Altin Dumanit, “afërmendsh gjykata vendos siç duam ne”.
Pas vendimit të Apelit, Berisha dhe avokatët e tij e ankimuan çështjen në Gjykatën e Lartë. Ata argumentuan se masa e “detyrimit për paraqitje” cenonte lirinë kushtetuese për të lëvizur dhe se vendimi nuk mbështetej në argumente të mjaftueshme juridike.
Megjithatë, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e kreut të opozitës pa dhënë një arsyetim juridik të qartë se përse masa duhej të mbetej në fuqi. Kjo ishte arsyeja që çështja iu paraqit Gjykatës Kushtetuese.
Me shumicë votash, më 9 tetor 2026, Gjykata Kushtetuese vendosi që çështja të rikthehet për shqyrtim para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Ky i fundit duhet tashmë të argumentojë se përse Berisha duhet të vijojë të paraqitet para oficerëve të Policisë Gjyqësore ose të shfuqizojë masën e vendosur ndaj tij.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese evidenton mungesën e arsyetimit në vendimet e mëparshme dhe detyrimin e Gjykatës së Lartë për ta shqyrtuar çështjen mbi baza të argumentuara juridike.
Përtej aspektit procedural, vonesa e gjatë deri në marrjen e vendimit kushtetues tregon qartë se nuk ka patur një trajtim gjyqësor të çështjes së liderit të opozitës, por përndjekje me urdhëra politike.
Tashmë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë duhet të rishqyrtojë çështjen dhe të japë arsyetimin juridik që mungoi në vendimin e saj të mëparshëm.
Gazeta RD