Nga Kristi KAMBERAJ
Disa fjalë pas asaj që ndodhi, për banorët e 15 bashkive që, me një të rënë të lapsit, u fshinë nga harta, pa marrë parasysh problemet, hallet, mendimet dhe nevojat e tyre.
Mos u mërzisni me përfaqësuesit tuaj. Ata janë thjesht disa rrogëtarë që zbatuan urdhrat dhe kaq. Me veprimet e tyre nxorën në pah fytyrën e vërtetë, ndërsa në këtë kohë po pompohet me forcë fjala besnikëri, e cila, me sa duket, për disa mbetet vetëm një fjalë boshe.
Por një fjalë e kam edhe për deputetin e Lumit të Vlorës, Vullnet Sina.
Sot është hera e fundit që po të drejtohem publikisht, sepse unë nuk e kam për zakon të merrem me shebekë. Siç themi ne në zonat tona, merremi drejtpërdrejt me problemin dhe me atë që jep urdhrat.
Zoti Sina, ju premtuat shumë. Premtuat se nuk do ta shkrinit Selenicën. Premtuat se do të ishit gjithmonë një përfaqësues besnik i kësaj zone. Por, fatkeqësisht, premtimet tuaja mbetën vetëm fjalë boshe.
Vetëm pak kohë më parë, ju zhvilluat një takim me banorët e Koculit dhe u premtuat me gojën plot se vota juaj nuk do të ishte për shkrirjen e Selenicës.
Sot, zoti Sina, a mund t’u dilni më përballë këtyre banorëve?
A mund t’u dilni përballë banorëve të Armenit, prej nga vini, të cilët ju kanë votuar në vitet 2017 dhe 2021 dhe ju besuan sërish në vitin 2025?
A mund t’u dilni përballë banorëve të Vllahinës, Sevasterit, Bratit dhe Selenicës?
A jeni i gatshëm t’u shpjegoni banorëve të Mesaplikut, të cilët sot vuajnë mungesën e rrugëve, se përse po i bashkoni me Vlorën me premtimin se do të krijoni një bashki metropolitane? Një bashki që, ndërkohë, nuk është e aftë të mirëmbajë as rrugët e Babicës, vetëm dhjetë minuta larg qytetit të Vlorës, rrugë që janë shtruar në kohën kur Fredo Berberi ishte kryetar komune.
Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave, që banorët e kësaj zone kanë të drejtë t’ju bëjnë, a mund t’u përgjigjeni, zoti Sina?
Dhe nëse jo, atëherë kam edhe një pyetje tjetër për ju:
A jeni aq burrë sa të mos e mbani më atë mandat që banorët e kësaj zone jua besuan, jua ribesuan dhe jua besuan sërish?
Ju, zoti Sina, duhet të ishit shembull për këta banorë, jo armiku i parë i tyre. Duhet të tregonit se jeni një njeri me dinjitet, që nuk e shet besimin e njerëzve për të zbatuar urdhrat e të tjerëve. Duhet të dëshmonit se nuk ishit thjesht një rrogëtar në atë pellg turpi ku u zhyt politika dje.
Partia Socialiste nuk kishte nevojë për votën tuaj që numri i votave të ndryshonte nga 85 në 84. Por Selenica kishte nevojë për një përfaqësues dinjitoz, jo për një rrogëtar!
Banorët e kësaj zone nuk ju votuan për të ngritur dorën sipas urdhrave që ju vijnë nga lart. Ju votuan që të mbronit interesat e tyre, të dëgjonit zërin e tyre dhe të qëndronit në krah të tyre pikërisht në ditët kur ata kishin më shumë nevojë për ju.
Dhe pikërisht në ditën kur duhej të tregonit se kujt i përkisni, ju zgjodhët të votonit kundër interesit të zonës që ju besoi.
Po ju drejtohem kështu sepse kam disa pyetje për atë turp që bëtë me dorën tuaj. Por kjo është hera e fundit që ju drejtohem publikisht. Siç e thashë edhe më lart, ne, në zonat tona, nuk e kemi për zakon të merremi me shebekë. Merremi drejtpërdrejt me problemin dhe me ata që mbajnë përgjegjësi për të.
Besoj se e kuptoni mirë këtë shprehje.
Selenica nuk kishte nevojë për premtime që harrohen. Kishte nevojë për një burrë që t’i qëndronte fjalës.
Dhe kur vjen dita për të zgjedhur mes bindjes ndaj urdhrave dhe besnikërisë ndaj njerëzve që të kanë votuar, pikërisht aty provohet karakteri i një përfaqësuesi.
Dje, banorët e Lumit të Vlorës panë se kush ua mbajti fjalën dhe kush jo.
Por mos harroni: kjo që po them nuk i drejtohet vetëm zotit Vullnet Sina, por edhe të gjithë deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste të Vlorës, të cilët mashtruan Selenicën dhe banorët e saj. Të gjithë ata që premtuan, që dhanë fjalën dhe që sot zgjodhën të vepronin ndryshe, duhet të mbajnë përgjegjësi para njerëzve që u besuan.
Selenica nuk është pronë e asnjë partie dhe as e asnjë deputeti. Është shtëpia jonë, është historia jonë dhe është dinjiteti ynë. Ju mund ta fshini nga harta me një votë, por nuk mund ta fshini nga zemrat e banorëve të saj.
Fjalët mund t’i harroni, por Selenica nuk do t’i harrojë ata që i kthyen shpinën!
SELENICA NUK DORËZOHET! LUMI I VLORËS NUK DORËZOHET! SELENICA BASHKI!
Gazeta RD