Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar përpara gazetarëve në Zyrën Ovale lidhur me raportimet se këshilltarët e tij politikë, Chris LaCivita dhe James Blair, kanë punuar për qeverinë e Republika Srpska-s në Bosnjë dhe Hercegovinë. Trump deklaroi se do të shqyrtojë nëse ekziston konflikt interesi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u pyet më 7 tetor 2026 nga gazetarët në Zyrën Ovale për raportimet mbi aktivitetin e Chris LaCivita-s dhe James Blair, dy figura të rëndësishme të operacionit politik republikan.
Reagimi i tij erdhi pas një raportimi të The New York Times, sipas të cilit LaCivita dhe Blair kishin udhëtuar në Republika Srpska, një entitet autonom në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të ofruar këshillim mbi çështje elektorale. Sipas burimeve të cituara nga gazeta, të dy kishin marrë secili qindra mijëra dollarë për këtë angazhim.
I pyetur për konfliktin e mundshëm të interesit, Trump tha se nuk e konsideronte automatikisht një konflikt, pasi të dy punojnë si konsulentë të pavarur.
“Ata nuk kanë konflikt interesi, sepse janë njerëz të pavarur. Ata nuk punojnë për mua. Janë konsulentë dhe supozoj se kanë shumë klientë”, deklaroi Trump përpara gazetarëve.
Trump fillimisht paralajmëroi se do ta ndërpriste menjëherë bashkëpunimin nëse konstatonte konflikt interesi, por në deklaratën e tij në Zyrën Ovale theksoi se të dy janë konsulentë të jashtëm dhe se puna për klientë të tjerë është e zakonshme në Uashington.
Gazeta RD