Realiteti i rinisë shqiptare

Nga Arlind Bajaj, Sekretar për Organizimin, PD Vlorë

Të jetosh në Shqipëri është një sfidë për këdo! Tanimë, nuk bëhet më fjalë për një zgjedhje të thjeshtë mes të qëndruarit në vendin tënd dhe të larguarit prej tij, sepse nuk të ofron mundësitë që meriton. Përkundrazi, prej disa vitesh ka nisur lufta për të mbijetuar. Largimi ndonjëherë duket si luks, ndërsa opsioni i vetëm që mbetet është mbijetesa në atdheun tonë të zhytur në mjerim.
Politika diktatoriale e krimministrit Edi Rama ka bërë gjithçka për ta çuar Shqipërinë në këtë situatë katastrofale. Korrupsioni, abuzimi me pushtetin dhe shkatërrimi i institucioneve kanë gërryer themelet e shtetit, duke e kthyer vendin në një realitet ku qytetarët e zakonshëm paguajnë çmimin e një qeverisjeje që, në vend t’u shërbejë atyre, i trajton si spektatorë të fatit të tyre.
Gjithçka nis nga institucionet arsimore, aty ku jepen dijet e para, nga cikli i ulët deri te universitetet. Aty ku të rinjtë përgatiten për jetën, ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe formohen për të mbajtur mbi supe vazhdimësinë e kombit. Por pikërisht në këto institucione kaq të rëndësishme ka depërtuar degradimi.
Klasa të përgjysmuara, sepse shumë familje nuk arrijnë t’u sigurojnë fëmijëve as kushtet më bazike për jetesë dhe arsimim. Auditore të zbrazëta, sepse studentët detyrohen të punojnë për të mbijetuar dhe shpesh heqin dorë nga studimet. Klasa të boshatisura, sepse familjet shqiptare largohen masivisht nga vendi. Shkolla që mbyllen, sepse në shumë zona nuk ka më nxënës të mjaftueshëm për t’i mbajtur hapur. Ky është realiteti që po përjeton Shqipëria!
Por edhe ata nxënës dhe studentë që ende vazhdojnë studimet përballen çdo ditë me një realitet të mbushur me padrejtësi. Një prej tyre është propaganda politike që ka depërtuar në institucionet arsimore. Në shumë gjimnaze, mësues dhe drejtues shkollash akuzohen se nuk mjaftohen vetëm me propagandimin e qeverisë, por shkojnë edhe më tej, duke nxitur nxënësit të anëtarësohen në partinë në pushtet dhe në forumet rinore të saj. Dhe kur mendon se arsimi duhet të jetë vendi ku formohen mendjet e lira, përballesh me një realitet ku politika kërkon të depërtojë edhe te bankat e shkollës. Ky fenomen nuk kufizohet vetëm te gjimnazet. Edhe në universitete ngrihen shqetësime për ndikime politike dhe presione që shkojnë deri te vlerësimi dhe notat e studentëve.
Por problemet nuk mbarojnë këtu. Sistemi arsimor nuk u kthen shpinën vetëm studentëve që përpiqen të përballojnë vështirësitë ekonomike, por edhe atyre ekselentë që, me punën dhe rezultatet e tyre, dëshmojnë se kanë potencial për të ardhmen e vendit. Në vend që të mbështeten siç duhet, ata përballen me fonde të pamjaftueshme, vonesa në pagesa, pasiguri dhe mungesë transparence. Një ditë u premtohen mbështetje dhe mundësi, ditën tjetër përballen me një sistem që nuk u jep as sigurinë se do të marrin atë që u takon.
Vështirësitë janë të mëdha edhe për studentët që detyrohen të studiojnë në qytete të tjera, kryesisht në Tiranë. Të rinj që zgjohen herët në mëngjes, udhëtojnë çdo ditë për të ndjekur leksionet dhe përpiqen të ndërtojnë të ardhmen e tyre, por që nuk marrin mbështetjen e nevojshme për të përballuar shpenzimet e transportit. Po ata që jetojnë në konvikte? Përballen me dhoma të vogla e të mbipopulluara, kushte skandaloze dhe mungesë të hapësirave të përshtatshme për të jetuar e studiuar.
Për të kaluar përsëri te arsimi dhe mësimdhënia, një tjetër problem shqetësues janë mësuesit dhe pedagogët. Punësimi në administratën publike është kthyer, prej kohësh, në një problem serioz. Një administratë e fryrë, ku punësimet partiake dhe mungesa e meritokracisë janë kthyer në shqetësime. E njëjta problematikë shfaqet edhe në arsim. Miq, të afërm, të njohur dhe militantë të partisë në pushtet, por edhe persona shpesh me mungesë kualifikimi, përfundojnë në pozicione ku duhet të garantojnë edukimin e brezave të rinj. Këta janë njerëzit që dalin çdo ditë përballë nxënësve dhe studentëve, me përgjegjësinë për t’u dhënë dije, për t’i formuar dhe për t’i përgatitur për jetën.
Por degradimi i shoqërisë nuk ndalet te bankat e shkollës. Ai reflektohet edhe në sjelljen e të rinjve, në marrëdhëniet mes tyre dhe në mënyrën se si e perceptojnë pushtetin. Si? Përmes shembullit që jepet çdo ditë nga lajmet, rrjetet sociale dhe realiteti që na rrethon. Të qenët i pushtetshëm, i pasur dhe i paprekshëm është kthyer në modë. Veshjet e shtrenjta, armët e ftohta, sjelljet agresive dhe mungesa e respektit për të tjerët po shfaqen si pjesë e një modeli shqetësues në shumë mjedise shkollore. Një model që ushqehet nga shembujt që të rinjtë shohin te të rriturit. Kur ata shohin persona që janë mbi ligjin dhe që nuk përballen me pasojat e veprimeve të tyre, marrin mesazhin se mund të bësh çfarë të duash, për sa kohë ke para, lidhje dhe dikë që të mbron! Kur autoriteti i ligjit zëvendësohet nga frika dhe ndikimi i individëve të fuqishëm, edhe shkolla e ka të vështirë të ushtrojë autoritetin e saj. Mësuesit dhe drejtuesit gjenden përballë presioneve, ndërsa nxënësit që shkelin rregullat krijojnë bindjen se pasojat janë vetëm për ata që nuk kanë mbrojtje.
Por kjo nuk është thjesht çështje disipline shkollore. Është një problem që prek të ardhmen e shoqërisë. Rastet e dhunës, bullizmit dhe konflikteve mes adoleshentëve kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë në mjediset arsimore. Dhe pyetja që duhet të bëjmë është e thjeshtë: kush mban përgjegjësi kur nxënësit e tjerë duhet të jetojnë me frikën se mund të bëhen viktima të dhunës? Adoleshentë të tillë tallin, fyejnë, ofendojnë, ngacmojnë, shtyjnë, bullizojnë dhe godasin bashkëmoshatarët e tyre, duke lënë pasoja të thella te ata. Pas çdo rasti dhune qëndrojnë fëmijë, familje dhe jetë që mund të ndryshojnë përgjithmonë. Bullizmi dhe dhuna nuk janë shaka. Nuk janë probleme që zgjidhen duke i mbyllur sytë apo duke pritur që gjithçka të harrohet. Kur një nxënës kërkon ndihmë, ai duhet të dëgjohet. Kur një familje denoncon një rast, institucionet duhet të reagojnë. Dhe kur dikush shkel ligjin, përgjegjësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, pavarësisht mbiemrit, pasurisë apo lidhjeve që mund të ketë. Pasojat më të rënda të dhunës mund të jenë të pakthyeshme. Në raste tragjike, të rinj kanë humbur jetën, duke lënë pas familje të shkatërruara nga dhimbja.
A është vërtet kaq e zezë situata? Për shumë të rinj dhe familje shqiptare, realiteti është i mbushur me vështirësi që përsëriten çdo ditë. Por edhe më shqetësues është fakti se jemi duke u mësuar me to. Sa herë dëgjojmë për një tjetër rast dhune, për një tjetër shkollë që mbyllet, për një tjetër student që largohet nga vendi apo për një tjetër padrejtësi, reagojmë për pak kohë dhe pastaj vazhdojmë jetën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. E kemi kthyer të papranueshmen në të zakonshme. Kemi lejuar që problemet që duhet të na shqetësojnë më shumë të bëhen pjesë e përditshmërisë sonë.
Por mjaft është mjaft!
Po e them këtë në emër të të gjithë atyre studentëve dhe të rinjve që çdo ditë përballen me këto probleme. Në emër të atyre që punojnë për të ardhmen e tyre, por nuk marrin mbështetjen që meritojnë. Në emër të atyre që kërkojnë arsim cilësor, mundësi të barabarta, siguri dhe një shtet që i trajton si qytetarë, jo si numra.
Ne duhet t’i marrim fatet tona në duart tona!
Ashtu si studentët që u ngritën në protestat e vitit 2018, ashtu si studentët që rrëzuan diktaturën në 1990, edhe ne duhet të gjejmë forcën për të rrëzuar regjimin komunist modern.
Për veten tonë! Për të ardhmen tonë! Për Shqipërinë!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Nuk pranojmë asnjë bashki me numërim elektronik! Ky numërim është manipuluar edhe me ndërhyrjen e Narko-Shërbimit Informativ

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, ndërkohë pak muaj para zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i …