Nga Bujar Leskaj
Çmimi “Nobel” i Ekonomisë për vitin 2026 iu është dhënë ekonomistëve Robert Hall dhe Michael Woodford, studjues të njohur amerikanë, kontributet e të cilëve lidhen me tema të rëndësishme të makroekonomisë moderne.
Kontributet e tyre shkencore ofrojnë një bazë të vlefshme për të kuptuar pse studimi i krizave, pritshmërive dhe i politikës monetare është kaq i rëndësishëm për ekonominë e sotme botërore.
I. Robert E. Hall,studjuesi i thellë i konsumit, papunësisë dhe cikleve ekonomike

Robert E. Hall
Ekonomist amerikan Robert E. Hall është studjues i njohur i konsumit, papunësisë, cikleve ekonomike dhe mënyrës se si familjet e bizneset reagojnë ndaj ndryshimeve të të ardhurave, interesave të parasë dhe kushteve ekonomike.
Puna e tij ka ndihmuar në zhvillimin e mënyrave më të avancuara për të kuptuar se si funksionon ekonomia dhe pse periudhat e rritjes ekonomike mund të pasohen nga ngadalësimi ose tkurrja.
Kontributi i tij është veçanërisht i rëndësishëm për analizën e marrëdhënieve ndërmjet punësimit, të ardhurave, shpenzimeve të familjeve dhe vendimeve të bizneseve.
Një nga fushat kryesore të kërkimit të Hall është mënyra se si funksionon tregu i punës. Punësimi dhe papunësia nuk varen vetëm nga numri i vendeve të lira të punës, por edhe nga mënyra se si punëkërkuesit dhe punëdhënësit takohen, negociojnë dhe marrin vendime.
Në praktikë, një ekonomi mund të ketë njëkohësisht biznese që kërkojnë punonjës dhe njerëz që nuk arrijnë të gjejnë punë. Kjo ndodh sepse aftësitë e kërkuara nuk përputhen gjithmonë me ato që zotërojnë punëkërkuesit, vendet e punës mund të ndodhen në zona të tjera ose pagat dhe kushtet e punës mund të mos përputhen me pritshmëritë.
Studimet e Hall ndihmojnë në analizimin e këtyre mekanizmave dhe të mënyrës se si funksionon tregu i punës, edhe kur ekonomia nuk ndodhet në recesion. Kjo ka rëndësi të madhe praktike për për qeveritë, pasi kjo do të thotë se ulja e papunësisë nuk arrihet vetëm përmes krijimit të vendeve të reja të punës. Nevojiten edhe arsimim profesional, aftësi të përshtatura me kërkesat e bizneseve, informacion më i mirë për tregun e punës dhe politika që lehtësojnë përputhjen e punonjësve me vendet e lira.
Studjuesi ka dhënë ndihmën e tij në analizën e luhatjeve ekonomike dhe të mënyrës se si ndryshimet në kërkesë, produktivitet dhe vendimet e aktorëve ekonomikë ndikojnë në aktivitetin e përgjithshëm.
Një nga kontributet e njohura të Robert Hall lidhet me teorinë e konsumit dhe me mënyrën se si familjet vendosin të shpenzojnë të ardhurat e tyre. Në studimin e tij të vitit 1978, “Stochastic Implications of the Life Cycle-Permanent Income Hypothesis: Theory and Evidence(në shqip, Implikimet Stokastike të Ciklit të Jetës-Hipoteza e të Ardhurës Permanente: Teori dhe Evidenca)”, Hall analizoi pasojat e hipotezës së të ardhurave të përhershme dhe të modelit të ciklit jetësor, për sjelljen e konsumatorëve.
Ideja themelore është se familjet nuk i përcaktojnë shpenzimet e tyre vetëm nga paga që marrin sot. Ato marrin parasysh edhe të ardhurat që presin të kenë në të ardhmen, pasurinë, kursimet dhe pasigurinë për situatën ekonomike.
Një tjetër fushë e rëndësishme e kërkimit të Hall është mënyra se si funksionojnë tregjet dhe si përcaktohen çmimet e pagat.
Në një treg pune plotësisht konkurrues, pagat dhe punësimi do të përshtateshin sipas ofertës dhe kërkesës. Në realitet, procesi është më kompleks: punëdhënësit dhe punonjësit kanë informacion të paplotë, kërkimi i punës kërkon kohë dhe marrëdhëniet e punës përfshijnë kosto negociimi.
Kuptimi i këtyre kufizimeve ndihmon në shpjegimin e arsyeve pse papunësia mund të vazhdojë, edhe kur ekonomia fillon të rimëkëmbet. Për politikëbërësit, kjo nënkupton se tregjet funksionale kërkojnë jo vetëm rritje ekonomike, por edhe institucione efektive, transparencë dhe mundësi reale për lëvizjen e punonjësve drejt vendeve ku aftësitë e tyre përdoren më mirë.
II. Michael Woodford: ekonomisti që ndryshoi mënyrën e të kuptuarit të politikës monetare moderne

Michael Woodford
Nobelisti tjetër amerikan Michael Woodford përfaqëson një nga studjuesit kryesorë të teorisë monetare moderne, me kontribut të rëndësishëm në shpjegimin e rolit të pritshmërive, normave të interesit dhe komunikimit të bankave qendrore.
Michael Woodford është profesor i ekonomisë politike në Universitetin Columbia në Nju Jork dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e modeleve që shpjegojnë lidhjen ndërmjet politikës monetare, pritshmërive të publikut, inflacionit dhe aktivitetit ekonomik.
Vepra e tij më e njohur, “Interest and Prices: Foundations of a Theory of Monetary Policy (në shqip, Interesat dhe Çmimet: Themet e një Teorie të Politikës Monetare)” , botuar në vitin 2003, konsiderohet një kontribut themelor në literaturën moderne të politikës monetare.
Një nga idetë kryesore që ndihmon të kuptohet përmes punës së Woodford është se inflacioni nuk përcaktohet vetëm nga kostot aktuale të prodhimit apo nga sasia e parasë në qarkullim. Ai ndikohet edhe nga pritshmëritë për të ardhmen dhe nga mënyra se si këto pritshmëri përfshihen në vendimet ekonomike.
Woodford ka ndihmuar në konsolidimin e qasjes sipas së cilës vendimet e bankave qendrore duhet të analizohen jo vetëm nëpërmjet efekteve të menjëhershme të normave të interesit, por edhe nëpërmjet mënyrës se si këto vendime ndikojnë tek pritshmëritë e familjeve, bizneseve dhe tregjeve financiare.
Kontributi i Michael Woodford në teorinë monetare ndihmon të kuptojmë se inflacioni nuk përcaktohet vetëm nga sasia e parasë apo nga kostot aktuale të prodhimit. Rëndësi kanë edhe pritshmëritë për të ardhmen. Nëse bizneset presin rritje të vazhdueshme të kostove, mund të rrisin çmimet. Nëse punonjësit presin inflacion më të lartë, mund të kërkojnë paga më të larta për të ruajtur fuqinë blerëse.
Kur një krizë thellohet, qeveritë detyrohen të rrisin shpenzimet për ndihmë sociale, të mbështesin sektorët në vështirësi, ose të ndërhyjnë për të ruajtur stabilitetin financiar. Gjë që sekti Rama në krye të qeverisjes në Shqipëri nuk e ka bërë, prandaj edhe jemi në një krizë permanente
Ndërhyrja në kohën e duhur, përmes politikave të përshtatshme monetare, fiskale dhe rregullatore, kufizon humbjet e vendeve të punës, falimentimet dhe rënien e investimeve.
Për ekonominë tonë, kjo çështje ka rëndësi të veçantë, për shkak të varësisë nga importet, ndjeshmërisë ndaj çmimeve ndërkombëtare, peshës së turizmit, rolit të remitancave dhe ndikimit të kushteve financiare në kreditimin e bizneseve e familjeve.
Kontributet e Michael Woodford kanë rëndësi edhe për një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria, ku çmimet e brendshme ndikohen ndjeshëm nga zhvillimet ndërkombëtare. Çmimet e naftës, energjisë, ushqimeve dhe mallrave të importuara mund të ndikojnë në inflacionin vendas, edhe kur kërkesa e brendshme nuk është burimi kryesor i presionit mbi çmimet.
xxx
Të dy kërkuesit shkencorë u dalluan në dy fusha që plotësojnë njëra-tjetrën: i pari për mënyrën se si reagojnë konsumatorët dhe bizneset ndaj goditjeve ekonomike dhe i dyti, për mënyrën se si mund të ndikojnë bankat qendrore mbi inflacionin, kërkesën dhe aktivitetin ekonomik.
Teoritë e tyre janë të rëndësishme për ekonominë e sotme botërore, madje edhe për vendin tonë. Krizat financiare dhe ekonomike nuk shkaktohen vetëm nga mungesa e parave. Një krizë mund të nisë nga një goditje energjetike, një konflikt gjeopolitik, një rënie e investimeve ose një krizë financiare. Por përmasat e saj varen edhe nga reagimi i familjeve, bizneseve, bankave dhe qeverive. Prandaj, kuptimi i sjelljes ekonomike është thelbësor, për të parandaluar që një problem i përkohshëm të shndërrohet në krizë të zgjatur.
Të dy studjuesit e shquar, tani nobelistë, na ndihmojnë të kuptojmë se parandalimi i krizave është gjithnjë më i lirë se përballimi i pasojave të tyre.
Për politikat tona publike, katër mësimet kryesore nga vepra e tyre e gjerë janë që (i) të dallohen goditjet e përkohshme nga presionet e qëndrueshme inflacioniste; (ii) të vlerësohet ndikimi mbi kreditë, investimet dhe aftësinë paguese të familjeve, (iii) të analizohen të ardhurat reale, kursimet dhe cenueshmëria e familjeve, si dhe (iv) të rritet parashikueshmëria e politikave dhe besueshmëria e institucioneve.
Për fat të keq, këto mësime sekti Rama në pushtet nuk ka ndërmend as edhe t’i vlerësojë, dhe jo më t’i zbatojë në praktikë!
Gazeta RD