Sula: Rama, ministrja e Arsimit dhe ministri i Brendshëm do mbajnë përgjegjësi për dhunën ndaj studentëve!

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj studentëve gjatë protestës, duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe ministri i Brendshëm.

Në një deklaratë për mediat, Sula akuzoi qeverinë për represion ndaj të rinjve dhe policinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve.

Sula u bëri thirrje studentëve të mos dorëzohen, duke theksuar se Partia Demokratike do t’i mbështesë në kërkesat e tyre për kushte më të mira arsimore dhe një jetë dinjitoze. Ajo nënvizoi se protesta nuk ka ngjyrë politike, por lidhet me të drejtat e studentëve dhe nevojën për ndryshim, ndërsa kërkoi që përgjegjësit për dhunën të mbajnë llogari.

Deklarata

Si pedagoge, si nënë, si qytetare e angazhuar dhe si shqiptare, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike e dënoj me forcë dhunën barbare të ushtruar kundër të rinjve dhe të rejave studente nga banditët e policisë së narkoshtetit.

Ky dënim nuk shkon vetëm për Ramën, që e udhëheq si maniak, këtë makinë represioni, ndaj cdo zëri kritik dhe opozitar, por edhe ndaj ministres së Arsimit dhe ministrit të Brendshëm, që ka qenë vetë dikur zv.rektor i Universitetit publik.

Ky dënim shkon edhe për policët që, të tërbuar nga urdhrat, sillen si patronazhistë jo si uniforma të policisë së shtetit, duke dhunuar ata që mund të ishin fare mirë motrat, vëllezërit, bijat, bijtë apo të afërm të tyre.

Tërbimi me të cilin u sollën sot dëshmon se e kanë humbur kontrollin dhe kërkojnë ta rimarrin me anë të dhunës, frikës, represionit. U bëj thirrje studentëve, të rinjve, prindërve të tyre, që të mos dorëzohen.

Partia Demokratike do të jetë në mbështetejn tuaj të plotë, pa asnjë qëllim tjetër, vec respektimit të së drejtës suaj për protestë, dhe të kërkesave tuaja të drejta për jetë dinjitoze dhe atdhe që ju trajton si bijtë e bijat e vet.

Ata që keni përballë nuk janë qeveritarë, por arsyeja se pse të afërmit i keni në mërgim, pse vetë sorollateni për një bursë, për një qira, për një dhomë në konvikti, për tekstet mësimore, për të mbyllur muajin, e për shumë halle të tjera.

Protesta nuk ka ngjyrë politike, ajo ka vetëm një kolorit, atë kuq e zi, të shpresës për kthimin e Shqipërisë në normalitet, dhe larg duarve të Ramës dhe banditëve të tij, që e kanë kthyer shtetin në shesh pazaresh dhe tekash.

Forca dhe kurajë studentëve guximtarë të Shqipërisë!

About Redaksia

Check Also

AFP: Policia përdor gaz lotsjellës ndaj studentëve protestues në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit

Qindra studentë u mblodhën në kryeqytetin shqiptar për të kërkuar përmirësimin e arsimit dhe largimin …