Nga Red VARAKU
Kriza e thellë shoqërore në Shqipëri është një realitet që Edi Rama nuk e ka më as kapacitetin politik dhe as fuqinë ta zhbëjë.
Kjo sepse Shqipëria ka kaluar një pikë të rëndësishme historike, përtej së cilës kriza nuk mund të zgjidhet më përmes mekanizmave të zakonshëm të pushtetit.
Ajo që po ndodh nuk është më thjesht një krizë qeverisjeje dhe as një konflikt i zakonshëm mes pozitës dhe opozitës. Është një krizë shumë më e thellë, që prek vetë themelet e marrëdhënies mes qytetarit dhe shtetit. Eshtë një krizë besimi, përfaqësimi dhe legjitimiteti shoqëror.
Kjo është arsyeja pse ajo nuk mund të zhbëhet me një deklarata politike, me fushata propagandistike apo me një tjetër manovër të komunikimit publik.
Sepse, nuk ka makiazh propagandistik që mund ta fshehë pafundësisht një realitet shoqëror. Nuk ka forcë policore që mund ta zëvendësojë besimin e qytetarëve dhe nuk ka manovër politike që mund ta kthejë në normalitet një frakturë të rëndë mes shoqërisë dhe pushtetit.
Pikërisht kur instrumentet me të cilat pushteti menaxhon krizat nuk mjaftojnë më për t’i zgjidhur ato aty fillon dhe PIKA E KTHESES.
Në këto kushte, çdo përpjekje për ta neutralizuar krizën pa prekur shkaqet që e kanë prodhuar rrezikon ta thellojë atë edhe më shumë.
Prandaj, zgjidhja nuk mund të jetë më thjesht një tjetër strategji komunikimi politik, apo tjetër mekanizëm të administrimit te pakënaqësisë apo tjetër formulë të kontrollit të pasojave.
Zgjidhja mbetet vetëm politike.
Ajo kërkon domosdoshmerisht një përgjigje që të rikthejë besimin, të rivendosë përfaqësimin dhe të shërojë frakturën mes qytetarit dhe shtetit.
Përndryshe kriza edhe mund të shtyhet, edhe mund të maskohet, edhe mund të menaxhohet ama vetëm përkohësisht, sepse gjithmonë ajo do të rikthehet, dhe në çdo rikthim ajo sa do vijë dhe do bëhet me pakontrollueshme dhe me pasoja të pariparueshme.
Gazeta RD