Çdo orë që kalon me Ramën kryeministër e rëndon Shqipërinë dhe e nxin të ardhmen e saj

Nga Rezenbrik Serjani

Shpopullimi, si politika e vetme e 14 viteve të sektit Rama: Çdo orë që kalon me Ramën kryeministër e rëndon Shqipërinë dhe e nxin të ardhmen e saj
*Miratimi i Reformës Administrativo-Territoriale nga sekti Rama, si akti më i fundit i shkeljes së Kushtetutës, rrënimi i institucioneve dhe fryma e protestës së studentëve, si akti më madhështor i këtyre viteve.

Protesta studentore është shndërruar në një thirrje me karakter kombëtar, në mbrojtje të Kushtetutës dhe me kërkesën e panegociueshme për largimin e sektit Rama.

Shpopullimi është një nga plagët më të rënda të Shqipërisë së këtyre 14 viteve. Largimi i qindra mijëra qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, nuk mund të trajtohet si një statistikë e zakonshme emigracioni. Ai është një alarm kombëtar, një tregues i humbjes së shpresës dhe një tregues i qartë i një modeli qeverisjeje që nuk ka arritur t’u ofrojë shqiptarëve sigurinë, mundësitë dhe besimin se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në vendin e vet.

Për shumë shqiptarë, emigracioni këto 14 vite nuk ka qenë më një zgjedhje e lirë mes mundësive të ndryshme, por një rrugëdalje nga pasiguria ekonomike, mungesa e meritokracisë dhe mosbesimi ndaj institucioneve. Kur të rinjtë largohen, Shqipëria nuk humbet vetëm popullsi. Ajo humbet dije, energji, profesionistë, sipërmarrës dhe, mbi të gjitha, mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e saj.

Ky është bilanci politik që është në qendër të debatit publik për 14 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës, dhe është arsyeja më e fortë e protestave anembanë vendit.

Me votimin e 9 tetorit 2026 për një model të ri të qeverisjes vendore me 46 bashki, mazhoranca socialiste ka thelluar konfliktin mes pushtetit qendror dhe komuniteteve vendore. Kundërshtimi ndaj kësaj reforme nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por me mënyrën se si merret një vendim që prek drejtpërdrejt përfaqësimin, autonominë dhe jetën e qytetarëve.

Kur një reformë territoriale miratohet pa një proces të gjerë konsultimi publik, lind një pyetje themelore: a po ndërtohen institucionet për t’u shërbyer qytetarëve, apo po riformësohen sipas vullnetit të shumicës politike për qëllime të pastra elektorale?

Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është thelbësore për të ardhmen e demokracisë shqiptare.

I. Autokrati Rama që po minon drejtimin perëndimor të Shqipërisë
Pas 14 vitesh në pushtet, Edi Rama përballet me një problem që shkon përtej konsumimit të zakonshëm politik të një qeverie. Çështja më thelbësore është se përqendrimi i pushtetit, dobësimi i mekanizmave të kontrollit dhe skandalet e përsëritura po dëmtojnë themelet e institucioneve demokratike dhe besimin e qytetarëve te shteti.

Kritika ndaj qeverisjes së Ramës nuk mund të kufizohet vetëm te ekonomia, shërbimet publike apo premtimet e pambajtura. Ajo duhet të përfshijë edhe mënyrën se si funksionojnë institucionet, sa të pavarura janë ato nga pushteti politik dhe sa hapësirë u lihet zërave kundërshtues në Parlament dhe në shoqëri.

Kur kontrolli parlamentar humbet efektivitetin, kur administrata publike është e varur nga interesat partiake dhe kur vendimmarrja përqendrohet gjithnjë e më shumë në duart e një ekipi të ngushtë politik, në duart e një sekti, pasojat nuk përfundojnë me mbarimin e një mandati qeverisës. Ato mund të ndikojnë për vite me radhë në cilësinë e demokracisë dhe në aftësinë e shtetit për t’u shërbyer qytetarëve.

Këtu qëndron rreziku i modelit të përqendrimit të pushtetit nga autokrati Rama.Kryeministri nuk mund të identifikojë fatin e tij politik me fatin e shtetit dhe as të kërkojë që interesat e një partie të mbizotërojnë mbi interesin publik.
Partitë vijnë e ikin. Qeveritë ndryshojnë. Shteti duhet të mbetet.

Shqipëria ka zgjedhur drejtimin europian dhe euroatlantik si orientim strategjik qysh në ‘90.Ky drejtim nuk garantohet vetëm nga deklaratat politike apo nga prania në tryezat ndërkombëtare. Ai kërkon institucione të besueshme, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, administratë profesionale dhe respektim të lirive themelore.

Asnjë retorikë proeuropiane nuk mund të zëvendësojë funksionimin real të demokracisë. Asnjë marrëdhënie e mirë diplomatike nuk mund të përdoret si mburojë ndaj përgjegjësisë për mënyrën se si qeveriset vendi.

Nëse skandalet, mungesa e transparencës dhe konfliktet institucionale dëmtojnë besimin e partnerëve strategjikë, atëherë kostoja nuk është thjesht reputacionale. Ajo ndikon në besimin te institucionet, në klimën e investimeve dhe në ritmin e integrimit europian.

Kushtetuta nuk mund të jetë peng i interesave politike të kryeministrit apo i një shumice parlamentare. Ajo është kontrata themelore që kufizon pushtetin dhe garanton liritë e qytetarëve. Nuk është një dokument që zbatohet vetëm kur i leverdis shumicës.

Çfarë ndodhi me reformën territoriale të 9 tetorit e vendos këtë parim në qendër të debatit politik, shoqëror e social, si pasayrim direkt i gjendjes së 14 viteve të sektit Rama.

II. Reforma territoriale, shkelja e Kushtetutës dhe e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore – Argumentet e deputetit Bujar Leskaj në Kuvend
Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti i Vlorës, z. Bujar Leskaj, kundërshtoi me forcë reformën administrativo-territoriale të mazhorancës socialiste, duke e vënë theksin te shkelja e parimeve kushtetuese, mosrespektimi i Kartës Europiane të Autonomisë Vendore dhe përjashtimi i qytetarëve nga vendimmarrja për të ardhmen e komuniteteve të tyre.

Sipas argumenteve të paraqitura nga z. Leskaj, ajo që po i imponohet vendit nuk është thjesht një riorganizim administrativ i bashkive, por një ndërhyrje me pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë vendore, përfaqësimin e qytetarëve dhe funksionimin e institucioneve. Ai vuri në dukje se qytetarët që protestuan jashtë Kuvendit kundër reformës dëshmuan se kundërshtimi ndaj saj nuk është vetëm politik, por lidhet edhe me të drejtën e komuniteteve për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tyre.

Në thelb të fjalës së tij qëndron një argument i qartë: asnjë shumicë parlamentare nuk mund ta përdorë numrin e votave si justifikim për të anashkaluar Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Z. Leskaj i mbështeti kundërshtimet e tij në dispozita konkrete të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke argumentuar se ndryshimi i kufijve të njësive të qeverisjes vendore nuk mund të bëhet duke shpërfillur mendimin e popullsisë dhe qëndrimin e institucioneve vendore të prekura.

Së pari, neni 5 i Kartës Europiane të Autonomisë Vendore; Mbrojtja e kufijve territorialë.

Në argumentimin e tij në Kuvend, z. Leskaj iu referua Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, të miratuar nga Këshilli i Europës në vitin 1985 dhe të ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1999. Ai vuri në dukje se neni 5 i Kartës përcakton se ndryshimet e kufijve territorialë të njësive vendore nuk mund të bëhen pa u konsultuar paraprakisht me komunitetet e interesuara, përfshirë, kur e lejon ligji, edhe referendumin.

Ky parim nuk është një formalitet që mund të anashkalohet sipas interesave të shumicës politike. Ai është një garanci për autonominë vendore dhe për të drejtën e qytetarëve që të dëgjohen përpara se të ndryshohen kufijtë administrativë brenda të cilëve organizohet jeta e tyre ekonomike, shoqërore dhe institucionale.

Së dyti, rëndësia e autonomisë vendore dhe detyrimi për konsultim.

Në fjalën e tij, z. Leskaj iu referua gjithashtu nenit 4 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, duke theksuar rëndësinë e respektimit të autoriteteve vendore dhe të marrjes së mendimit të tyre për çështjet që i prekin drejtpërdrejt.

Sipas këtij argumentimi, një reformë territoriale që ndryshon organizimin e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të trajtohet si një vendim ekskluziv i qeverisë qendrore. Ajo duhet të marrë në konsideratë realitetet lokale, interesat e komuniteteve, traditën historike dhe qëndrimin e institucioneve që përfaqësojnë banorët.

Pikërisht këtu qëndron një nga kundërshtimet themelore të ngritura nga deputeti Leskaj: nëse autoritetet vendore dhe qytetarët e prekur nuk janë dëgjuar në mënyrë të efektshme, atëherë lind një problem serioz lidhur me respektimin e standardeve të autonomisë vendore.

Së treti, neni 108, pika 2, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Një nga argumentet më të rëndësishme të paraqitura nga z. Leskaj lidhet me dispozitën kushtetuese që rregullon ndarjen administrativo-territoriale të vendit.

Neni 108, pika 2, përcakton se ndarja administrativo-territoriale e njësive të qeverisjes vendore caktohet me ligj, mbi bazën e nevojave dhe interesave të përbashkëta ekonomike dhe të traditës historike. Po kjo dispozitë përcakton shprehimisht se kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to.

Duke u mbështetur në këtë dispozitë, z. Leskaj kundërshtoi mënyrën e miratimit të reformës territoriale, duke argumentuar se ndryshimi i kufijve të bashkive pa konsultimin e kërkuar me popullsinë ngre një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese.

Nëse qytetarëve u mohohet mundësia për të shprehur mendimin e tyre për një vendim që prek përfaqësimin dhe organizimin e komuniteteve, atëherë cenohet jo vetëm një procedurë ligjore, por edhe vetë parimi i qeverisjes demokratike.

Së katërti, qëndrimi i këshillave bashkiakë dhe vullneti i komuniteteve vendore.

Në fjalën e tij, deputeti i Vlorës ngriti gjithashtu çështjen e vendimeve të këshillave bashkiakë të njësive të prekura nga reforma, të cilat, sipas tij, ishin shprehur kundër ndarjes së propozuar.

Ky element e bën debatin edhe më të rëndësishëm. Këshillat bashkiakë janë organe përfaqësuese të komuniteteve vendore dhe qëndrimet e tyre duhet të shqyrtohen në kuadrin e procedurave ligjore dhe të konsultimit publik. Kur institucionet vendore shprehin kundërshtimin e tyre ndaj një ndryshimi territorial, ky kundërshtim nuk mund të shpërfillet politikisht pa u shqyrtuar arsyet dhe pasojat e tij.

Argumenti i z. Leskaj është se reforma nuk mund të legjitimohet vetëm nga votat e mazhorancës në Kuvend, nëse procesi i vendimmarrjes ka anashkaluar detyrimet për konsultim dhe ka shpërfillur qëndrimet e komuniteteve të prekura.

Së pesti, neni 116 i Kushtetutës dhe hierarkia e akteve normative.

Një tjetër argument gjatë fjalës së tij në Kuvend, i ngritur nga z. Leskaj lidhet me nenin 116 të Kushtetutës, i cili përcakton hierarkinë e akteve normative që kanë fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Kjo dispozitë përcakton pozitën e Kushtetutës, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara, ligjeve dhe akteve normative nënligjore në rendin juridik shqiptar. Për rrjedhojë, ligjvënësi dhe institucionet shtetërore duhet të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër.

Në këtë kuadër, z. Leskaj argumentoi se miratimi i reformës territoriale duhet të vlerësohet edhe në raport me detyrimet që burojnë nga Karta Europiane e Autonomisë Vendore dhe me garancitë kushtetuese për konsultimin e popullsisë.

Shkelja e këtyre dispozitave kërkon shqyrtim juridik mbi bazën e dokumentacionit të konsultimit dhe procedurave të ndjekura. Por pikërisht kjo e bën të domosdoshëm kontrollin institucional dhe kushtetues, jo shmangien e tij.

Së gjashti, përgjegjësia e mazhorancës dhe kufijtë e pushtetit politik.

Në përfundim të argumentimit të tij, fjala e z. Leskaj rikthen në qendër të debatit një parim themelor të shtetit të së drejtës: pushteti politik nuk është i pakufizuar dhe shumica parlamentare nuk qëndron mbi Kushtetutën.

Në një demokraci funksionale, qeveria ka të drejtë të propozojë reforma dhe Kuvendi ka kompetencën t’i shqyrtojë e t’i miratojë ato. Por këto kompetenca ushtrohen brenda kufijve kushtetues dhe në respekt të detyrimeve ligjore. Asnjë shumicë nuk mund ta zëvendësojë konsultimin e qytetarëve me bindjen se numrat në Kuvend mjaftojnë për të legjitimuar çdo vendim.

Një kryeministër nuk mund të jetë njëkohësisht hartuesi i dispozitave Kushtetuese, interpretuesi përfundimtar i tyre dhe autoriteti që vendos nëse duhet t’i zbatojë. Për këtë arsye ekzistojnë ndarja e pushteteve, kontrolli kushtetues dhe mekanizmat e përgjegjësisë institucionale.

Pikërisht për këtë, argumentet e paraqitura nga deputeti Bujar Leskaj në Kuvend ngrenë pyetje thelbësore për respektimin e Kushtetutës, për autonominë e pushtetit vendor dhe për mënyrën se si duhet të merren vendimet që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Në fund të fundit, çështja nuk është vetëm sa bashki duhet të ketë Shqipëria, por nëse ndryshimet e hartës administrative bëhen në respekt të Kushtetutës, të ligjit dhe të vullnetit të komuniteteve.

Ky është thelbi i diskutimit të datës 9 tetor në Kuvend i ngritur nga z. Bujar Leskaj: reforma territoriale nuk mund të shndërrohet në instrument të vullnetit politik të shumicës, por duhet të jetë rezultat i një procesi demokratik, transparent dhe kushtetues.

III. Deputetët socialistë përballë përgjegjësisë dhe turpit historik
Deputetët e Partisë Socialiste nuk janë thjesht numra në një tabelë votimi. Ata janë përfaqësues të qytetarëve dhe mbajnë përgjegjësi individuale për vendimet që marrin në Kuvend.

Disiplina partiake është pjesë normale e jetës politike. Por ajo nuk mund të zëvendësojë ndërgjegjen politike, përgjegjësinë kushtetuese dhe detyrimin për të shqyrtuar pasojat e vendimeve.

Kur në Kuvend diskutohet një reformë që ndryshon hartën administrative të vendit dhe prek përfaqësimin e komuniteteve, deputetët duhet të jenë në gjendje të kërkojnë transparencë, të ngrenë pyetje dhe të shprehin mospajtim. Kjo nuk duhet të interpretohet si tradhti ndaj partisë, por si pjesë e përgjegjësisë së tyre ndaj zgjedhësve.

Përndryshe, Kuvendi rrezikon të shndërrohet nga një institucion përfaqësues në një mekanizëm që formalizon vendime të marra diku tjetër, si një noter i rëndomtë.

Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia politike e deputetëve socialistë për votimin e 9 tetorit 2026. Ata duhet të përballen me pyetjet që ngre kjo reformë: A u dëgjuan komunitetet e prekura? A u respektuan procedurat e konsultimit? A u shqyrtuan alternativat? A u dhanë qytetarëve arsyet e plota për ndryshimet e propozuara?

Këto pyetje nuk marrin përgjigje vetëm me argumentin se mazhoranca i ka numrat për ta miratuar ligjin. Numrat japin shumicën për të vendosur. Ata nuk e përjashtojnë përgjegjësinë për mënyrën se si vendoset.

Nëse deputetët e shumicës kanë votuar pa shqyrtuar në mënyrë të pavarur pasojat e reformës dhe kundërshtimet e komuniteteve, atëherë ata duhet të mbajnë përgjegjësi politike për këtë zgjedhje. Besnikëria ndaj një drejtuesi nuk mund të jetë më e rëndësishme se besnikëria ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve.

Një parti që e lidh të ardhmen e saj me fatin politik të një individi rrezikon të humbasë aftësinë për t’u rinovuar. Kur debati i brendshëm zëvendësohet nga bindja e pakushtëzuar dhe kur interesat e pushtetit mbizotërojnë mbi interesin publik, dëmi nuk prek vetëm kundërshtarët politikë. Ai prek edhe vetë partinë, institucionet dhe besimin e qytetarëve te demokracia.

Përgjegjësia historike e deputetëve nuk qëndron te bindja ndaj një lideri, por te aftësia për të mbrojtur interesin publik edhe kur kjo kërkon guxim politik.

IV. Shpopullimi, dështimi më i rëndë i modelit të qeverisjes
Por asnjë debat për reformën territoriale nuk mund të shkëputet nga kriza më e thellë që po përjeton Shqipëria: largimi i qytetarëve të saj.

Gjatë këtyre 14 viteve, emigracioni është kthyer në një nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Shumë familje janë ndarë mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera europiane. Të rinj të arsimuar kanë zgjedhur të kërkojnë mundësi jashtë vendit. Komunitete të tëra përballen me plakjen e popullsisë dhe me tkurrjen e fuqisë punëtore.

Shifra prej mbi një milion shqiptarësh të larguar mbetet një sfidë e rëndë demografike, ekonomike dhe shoqërore.

Pyetja që duhet t’i bëhet qeverisë është e drejtpërdrejtë: pse kaq shumë qytetarë nuk e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri?

Nuk mjafton t’u kërkohet të rinjve të qëndrojnë në vendin e tyre, ndërkohë që ata përballen me pasiguri për punësimin, strehimin, pagat, karrierën dhe mundësinë për t’u ngritur në jetë mbi bazën e meritës. Nuk mjaftojnë as fushatat propagandistike për Shqipërinë turistike, nëse qytetari i zakonshëm nuk gjen mundësi të ndërtojë një jetë të qëndrueshme.

Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke humbur vazhdimisht njerëzit që duhet ta ndërtojnë atë.

Një vend që humbet të rinjtë humbet edhe një pjesë të kapacitetit të vet për të reformuar institucionet, për të zhvilluar ekonominë dhe për të krijuar një shoqëri më të drejtë. Shpopullimi dobëson tregun e punës, vë nën presion shërbimet publike dhe rrit peshën demografike të brezave më të moshuar.

Për këtë arsye, shpopullimi nuk është thjesht pasojë e disa vështirësive ekonomike. Ai duhet trajtuar si një çështje e sigurisë kombëtare dhe e së ardhmes së shtetit.

Nëse qeverisja nuk arrin të krijojë besim, nëse institucionet perceptohen si të padrejta dhe nëse mundësitë duken të rezervuara për një pakicë të lidhur me pushtetin, qytetarët do të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit.

Ky është një problem që nuk zgjidhet me slogane. Ai kërkon përgjegjësi politike, institucione funksionale, ekonomi konkurruese dhe një shtet ku qytetarët të mos ndihen të përjashtuar.

V. Protesta studentore, zëri i një Shqipërie që nuk pranon të dorëzohet
Në këtë realitet, protesta studentore merr një domethënie që shkon përtej kërkesave të një grupi të caktuar.

Studentët përfaqësojnë një brez që kërkon të ketë të ardhme në vendin e vet. Ata nuk kërkojnë vetëm arsimim, punësim apo mundësi më të mira. Ata kërkojnë një shtet ku zëri i tyre të dëgjohet, ku institucionet të japin llogari dhe ku vendimet politike të mos trajtohen si çështje që u përkasin vetëm drejtuesve të pushtetit.

Protesta e tyre kërkon largimin e Edi Ramës si kusht të panegociueshëm, dhe kjo kërkesë duhet kuptuar si qëndrim politik i protestuesve dhe si shprehje e pakënaqësisë së tyre ndaj qeverisjes.

Por rëndësia e protestës nuk matet vetëm me objektivin e saj të menjëhershëm. Ajo matet edhe me aftësinë për të artikuluar një alternativë, për të kërkuar llogaridhënie dhe për të mbrojtur parimet demokratike që duhet të vlejnë për çdo qeveri.

Protesta studentore është zëri qytetar për shqetësimet për arsimin, punësimin dhe të ardhmen si dhe me kërkesën për institucione të pavarura, zgjedhje të besueshme, luftë kundër korrupsionit dhe respektim të Kushtetutës.

Kjo është arsyeja pse protesta duhet dëgjuar. Zëri i tyre u përket studentëve dhe shoqërisë që ata përfaqësojnë.

Dhe kjo lëvizje shpreh një pakënaqësi më të gjerë shoqërore, dhe përgjigjja nuk mund të jetë heshtja, përçmimi apo delegjitimimi i protestuesve. Përgjigjja duhet të jetë dialogu, transparenca dhe llogaridhënia.

Një qeveri që pretendon se përfaqëson qytetarët duhet të jetë e gatshme të dëgjojë edhe ata që kërkojnë largimin e saj.

VI. Shqipëria ka nevojë për ndryshim politik dhe rikthim te shteti i së drejtës
Edi Rama dhe mazhoranca që ai drejton duhet të përballen me bilancin e qeverisjes, me shqetësimet për funksionimin e institucioneve, me kundërshtimet ndaj reformës territoriale dhe me krizën e besimit që shprehet përmes protestave dhe largimit të qytetarëve.

Përgjegjësia politike është më e gjerë se përgjegjësia penale. Ajo lidhet me vendimet, rezultatet, transparencën dhe besimin që një qeveri arrin të ruajë te qytetarët.

Shqipëria ka nevojë për një model qeverisjeje që nuk e trajton shtetin si pronë të partisë, administratën si instrument politik dhe Parlamentin si mekanizëm formal për miratimin e vendimeve të shumicës. Ka nevojë për institucione që funksionojnë pavarësisht se kush qeveris, për pushtet vendor që respekton komunitetet dhe për një ekonomi që u jep të rinjve arsye të qëndrojnë.

Ndryshimi politik është një e drejtë demokratike. Por ai duhet të shoqërohet me një projekt të qartë për ditën pas ndryshimit: si do të forcohen institucionet, si do të luftohet korrupsioni, si do të krijohen mundësi për të rinjtë dhe si do të rikthehet besimi i qytetarëve te shteti.

Nuk mjafton të largohet një qeveri nëse modeli i përqendrimit të pushtetit mbetet i paprekur. Nuk mjafton të ndryshojë drejtuesi nëse institucionet vazhdojnë të funksionojnë sipas të njëjtës logjikë. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim që vendos rregulla të qëndrueshme dhe që garanton se askush nuk është mbi ligjin.

Ky është dallimi mes një rotacioni të zakonshëm politik dhe një ndryshimi që synon të rikthejë besimin te demokracia.

Çdo orë që kalon, Shqipëria nuk mund të humbasë më shumë kohë.

Katërmbëdhjetë vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë rrënuar funksionimin e institucioneve dhe të ardhmen e brezave të rinj dhe Largimi i tij është kusht i panegociueshëm.

Historia e regjimeve autoritare tregon se përqendrimi i pakontrolluar i pushtetit mund të ketë pasoja të rënda për shoqërinë dhe për vetë drejtuesit e tyre. Por Shqipëria nuk ka nevojë për hakmarrje.Ajo ka nevojë për drejtësi, përgjegjësi dhe ndryshim demokratik.

Nuk është vetëm fundi i një autokrati ai që duhet të jetë objektivi i një shoqërie demokratike, por fundi i pandëshkueshmërisë, i abuzimit me pushtetin dhe i bindjes se askush nuk mund ta sfidojë një shumicë politike.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë të humbasë të rinjtë, të dobësojë institucionet dhe të shtyjë për nesër zgjidhjen e problemeve që po rëndojnë të ardhmen e saj. Çdo vit i humbur e bën më të vështirë rikthimin e atyre që janë larguar dhe rindërtimin e besimit të atyre që ende jetojnë këtu.

Protesta studentore është një thirrje që nuk duhet shpërfillur. Ajo është thirrja e një kombi të tërë, për demokraci, respektim të Kushtetutës dhe për një Shqipëri ku të rinjtë të mos e shohin emigracionin si të vetmen rrugë drejt një jete më të mirë.

Çdo orë që kalon pa përgjegjësi politike, pa institucione funksionale dhe pa një strategji serioze e rëndon sfidën me të cilën përballet Shqipëria. E ardhmja e vendit nuk mund të mbetet peng i interesave të një individi apo i një partie.

Shqipëria ka nevojë për shpresë, për drejtësi, për demokraci funksionale dhe për një të ardhme që ndërtohet brenda kufijve të saj.

Kjo është beteja politike, qytetare dhe rinore që ka rëndësi sot: jo për të zëvendësuar një pushtet me një tjetër, por për të garantuar që pushteti t’u përkasë qytetarëve dhe të respektohet Kushtetuta.

Sepse Shqipëria nuk mund të presë pafundësisht. Dhe e ardhmja e saj nuk mund të jetë më çmimi që paguajnë shqiptarët për dështimet e politikës.

About Redaksia

Check Also

E vetmja rrugë e kësaj shumice

Nga Jorida TABAKU Kam lexuar këto orë statuse pa fund nga ministra dhe deputetë të …