Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve po shtrihet edhe jashtë kryeqytetit, teksa bojkotit të mësimit i janë bashkuar të rinj nga Shkodra dhe Durrësi, duke e zgjeruar shtrirjen e reagimit në disa qytete të vendit, ndërsa në Tiranë vijojnë grumbullimet pranë institucioneve dhe protestuesit shprehin pakënaqësitë e tyre.
Burime për mediat bëjnë me dije se studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë bojkotuar procesin mësimor ndërsa raportohet se janë nisur drejt kryeqytetit, me synimin për t’iu bashkuar kolegëve të tyre që janë mbledhur në Tiranë.
Ndërkohë, të rinjtë që janë përfshirë në protestë shprehen të vendosur për të vijuar reagimin e tyre, duke deklaruar se nuk do të ndalen pa dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një kërkesë që po artikulohet nga protestuesit ndërsa lëvizja po merr përmasa më të gjera.
Bashkimi i studentëve dhe gjimnazistëve nga qytete të ndryshme e vendos protestën në një fazë të re, ndërsa mbetet për t’u parë se sa të rinj do t’i bashkohen mobilizimit gjatë orëve në vijim dhe si do të reagojnë institucionet përballë kërkesave të protestuesve.
Gazeta RD