Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Policia e Shtetit po përballet me akuza për përdorim joproporcional të forcës ndaj protestuesve.
Pa paraqitur prova konkrete Kryeministri pretendoi se pas mobilizimit të të rinjve qëndrojnë shërbime të huaja, si Rusia dhe Irani, apo lëvizjen ANTIFA të shpallur si organizatë terroriste nga presidenti Trump.
Gjatë shtatë ditëve të fundit, pamjet filmike dhe dëshmitë për përdorimin e forcës nga policia, si dhe nga persona civilë të paidentifikuar, kanë ngritur shqetësime për trajtimin e protestuesve, përfshirë edhe persona që nuk shfaqen duke ushtruar dhunë.
Por, kryeministri e justifikoi këtë lloj ndërhyrje dhe paralajmëroi se nuk do të kursehet askush që do të jetë në shesh, pavarësisht nëse është duke protestuar paqësisht.
“Çdokush që është në një manifestim të dhunshëm është objekt i policisë së shtetit. Nuk ka aty jo, “unë isha me duar në xhepa. Jo unë isha me duar në sy duke parë atë se si po vret polici”, ti je aty sepse ti je me të. Se në qoftë se ti nuk je me të, ti nuk rri aty”- tha ndër të tjera ai.
Po ashtu ai paralajmëroi për pasoja financiare dhe administrative për protestuesit, duke deklaruar se familjet e të miturve do të detyrohen të paguajnë dëmet e shkaktuara gjatë protestave dhe se studentët do të humbasin bursat, mbështetjen financiare dhe përfitimet nga arsimi falas.
Gjuha e përdorur nga kryeministri para policisë në ditën e 6 të trazirave të dhunshme në kryeqytet u perceptuan gjërësisht si gjuhë force dhe nxitëse për përplasje të mëtejshme, ndërsa vendi po përjeton një nga momentet më të vështira prej dekadash.
Shkrimtari Fatos Lubonja, një ish- i burgosur politik i diktaturës komuniste, i krahasoi deklaratat e kryeministrit me atë të diktatorit famëkeq Enver Hoxha.
“Është një fjalim ku kërcënimit e hapura për çdokënd që guxon të protestojë qoftë edhe paqësisht justifikohen me manipulime dhe gënjeshtra që kërkojnë ta paraqesin protestën me gjuhën që përdorte Enver Hoxha si vepër të armikut të jashtëm dhe të brendshëm”,- tha Lubonja për BIRN.
“Na kujtoi fjalët e Enver Hoxhës; me gjak e kemi marrë pushtetin me gjak do ta lemë që në rastin e tij mund të kthehen në; me krime e kemi mbajtur pushtetin dhe me krime do ta lemë”- shtoi ai.
Sipas Lubonjës nxitja e policisë me fjalim dhe me shpërblime që të vijojnë shtypjen me dhunë të kësaj proteste tregon qartë se po shkojmë drejt një shteti policor.
Deklaratat e Ramës erdhën në një kohë kur shoqëria civile, pedagogë dhe aktorë ndërkombëtarë po bënin thirrje për uljen e tensioneve dhe ndalimin e dhunës.
Studiuesi i antropologjisë Nebi Bardhoshi paralajmëroi se retorika e kryeministrit rrezikon të thellojë përplasjen shoqërore.
“Kjo rrezikon ta çojë vendin në përplasje, në një humnerë sociale nëse qytetarët nuk i bëjnë barrikadë morale e sociale”- komentoi për BIRN Nebi Bardhoshi, studiues antropolog, i cili e konsideroi gjuhën e Ramës si nxitëse e dhunës që nga fillimi i protestave paqësore.
Duke i profilizuar protestuesit si të sponsorizuar nga armiq të Shqipërisë, sipas tij, krijhen kushtet që shteti të ndërhyjë në mënyrë të dhunshme.
“Tani jemi në kulmim të kësaj gjuhe. Portretizimi i protestuesve ai agjentë, terroristë, të paditur etj. është e ndërtuar në mënyrë të tillë që të legjitimoj dhunën policore në çdo nivel, deri në brutalitet, siç dhe ka ndodhur tashmë”- theksoi Bardhoshi.
E pyetur nga BIRN për bazën ligjore të paralajmërimeve ndaj protestuesve dhe rrezikun që deklaratat e kryeministrit të përshkallëzojnë dhunën, zyra e shtypit e Kryeministrisë tha se ato duhen lexuar në kontekstin e akteve të dhunshme dhe jo të së drejtës për protestë.
“Deklarata e Kryeministrit Edi Rama duhet lexuar në kontekstin e saj të plotë. Ajo nuk i referohet ushtrimit të së drejtës për protestë, por akteve të dhunës ndaj punonjësve të policisë, qytetarëve dhe pronës publike e private”, tha zyra shtypit në një përgjigje për shkrim, duke shtuar se “ndërhyrja policore nuk lidhet me pjesëmarrjen në protestë, por me garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimeve të dhunshme, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit”.
Lidhur me paralajmërimet ndaj prindërve të të rinjve që protestojnë në shesh Kryeministria iu referuar neneve të kodit civil dhe tha se “paralajmërimet e Kryeministrit për pasojat financiare dhe administrative ndaj personave të përfshirë në dhunë nuk nënkuptojnë vendosjen e sanksioneve kolektive apo shmangien e procedurave ligjore”.
Gazeta RD