Dhuna policore ndaj të rinjve/ 10 aktivistë kallëzojnë në SPAK Ramën dhe Skënder Hitën, zbardhen 6 akuzat

Dhjetë aktivistë të Shoqërisë Civile kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Në kallëzimin e tyre, aktivistët rendisin gjashtë akuza, që lidhen me veprimet dhe mosveprimet e pretenduara të zyrtarëve në raport me protestat dhe trajtimin e qytetarëve.

Sipas kallëzimit, ata pretendojnë se janë kryer veprime që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të organizimit, si dhe integritetin fizik dhe psikologjik të individëve.

Gjashtë pikat e renditura në kallëzim janë:

 

 

1. Gjenocid ndaj një pjese të shoqërisë, përmes asaj që kallëzuesit e cilësojnë si veçim, diskriminim, linçim dhe zhvlerësim, të shoqëruara me dhunë, përndjekje dhe dëme fizike e psikologjike.

2. Ushtrimi i ndikimit për kryerjen e veprimeve të paligjshme, përmes premtimit të parave punonjësve të rendit.

3. Shpërdorimi i detyrës, me veprime që pretendohet se kanë sjellë pasoja në interesat e shtetasve.

4. Dhënia e urdhrave të paligjshëm, që, sipas kallëzuesve, cenojnë lirinë dhe integritetin e individit.

5. Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë.

6. Kryerja e veprimeve për pengimin e lirisë së shprehjes dhe organizimit.

Kallëzimi vjen në një klimë tensionesh të shtuara, pas protestave dhe reagimeve për mënyrën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

Pretendimet e paraqitura në kallëzim përbëjnë akuza të kallëzuesve dhe mbetet në kompetencën e organeve të drejtësisë të vlerësojnë nëse ekzistojnë elemente të veprave penale dhe nëse ka përgjegjësi ligjore për personat e kallëzuar.

About Redaksia

Check Also

Protestuesja humb ndjenjat në tubimin para Ministrisë së Arsimit

Një protestuese ka rënë pa ndjenja gjatë protestës që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit, …