“Der Standard”: Kryeministri shqiptar, Edi Rama, pa maskë!

Demonstratat drejtohen edhe kundër nepotizmit që ka kapluar gjithçka dhe që lidhet me emrin e kryeministrit prej shumë vitesh në pushtet.

Pothuajse në të njëjtën kohë me demonstratat masive në Francë, nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, dhe qendra të tjera urbane të vendit ballkanik u raportuan protesta kundër politikave qeveritare. Ashtu si katër muaj më parë, në rrugë nuk dolën vetëm studentët, por edhe qytetarë të tjerë, për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë së drejtuar nga kryeministri socialist Edi Rama.

Pushtet absolut

Asokohe, protestat u zhvilluan kundër vendimit të qeverisë për të vënë në dispozicion të një projekti luksoz turistik, me marinë për jahte, një zonë të mbrojtur natyrore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, të banuar nga flamingot, në ishullin e Sazanit, në Adriatik. Projekti drejtohet nga JaredKushner, dhëndri i presidentit amerikan DonaldTrump. Për projektin, vlera e të cilit vlerësohet në 1,4 miliardë euro, Kushneri mori statusin e shumëkërkuar të “investitorit strategjik” për dhjetë vjet, me mundësinë e përshpejtimit të procedurave për marrjen e lejeve nga Ministria e Turizmit.

Megjithatë, ndryshe nga Franca, situata politike në Shqipëri nuk karakterizohet nga ndarja mes ekstremit të djathtë dhe ekstremit të majtë, por nga pushteti pothuajse absolut i qeverisë Rama.

Rama, i cili qeveris prej 16 vitesh, përbën një rast të veçantë në politikën europiane. Piktori i talentuar mban marrëdhënie të shkëlqyera jo vetëm me galeritë ndërkombëtare. Ai konsiderohet edhe i preferuari i redaktorëve të faqeve kulturore, gjithnjë i gatshëm të shfaqet në intervista me veshje të lirshme, duke u vetëpromovuar si “politikan-artist”.

Korrupsion i rrënjosur thellë

Ai ishte bërë i njohur ndërkombëtarisht që në vitet e para të karrierës së tij politike, kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. Një nga veprimet e tij të para në këtë detyrë ishte lyerja e qindra pallateve gri me motive shumëngjyrëshe, të projektuara prej tij. Në qendër të qytetit, dhjetëra kulla të larta janë ngritur në vend të mijëra ndërtimeve pa leje.

Bumi i ndërtimit i dha një shtysë të fuqishme korrupsionit të rrënjosur thellë. Për sistemin e klientelizmit që Rama ka ngritur gjatë shumë viteve, vlen thënia e famshme e filozofit Lord Acton (1834–1902): “Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”.

Demonstratat që vijojnë prej ditësh drejtohen kundër qeverisë, jo vetëm për shkak të kushteve të këqija të studimit, por edhe për shkak të nepotizmit që ka kapluar gjithçka dhe që lidhet me emrin e Ramës.

Retorika e gënjeshtrave

Në vend që të merrej me shkaqet e demonstratave të dhunshme, Rama urdhëroi përdorimin e autobotëve me ujë dhe gazit lotsjellës nga policia, e cila ushtroi dhunë brutale ndaj protestuesve. Në daljet e tij publike, ai akuzoi “duar të huaja” se qëndrojnë pas demonstratave dhe se synojnë të pengojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pa paraqitur prova. Sipas tij, kjo është “vepra e së njëjtës dorë që e ka djegur dhe shkatërruar Shqipërinë më shumë se një herë”.

Duke kopjuar këtë retorikë gënjeshtrash, të përdorur nga regjimet autoritare dhe diktaturat, si dhe duke arrestuar qindra persona, Rama 62-vjeçar e ka hequr maskën dhe ka gjasa ta ketë shkatërruar përfundimisht imazhin e tij të ndërtuar me aq kujdes si një figurë jashtë establishmentit politik, pavarësisht çorapeve të kuqe që vesh me kostum.

About Redaksia

Check Also

Protestuesja humb ndjenjat në tubimin para Ministrisë së Arsimit

Një protestuese ka rënë pa ndjenja gjatë protestës që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit, …