Nga Lisa Spit, DE VOLKSKRANT
Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shpërndarësit e ushqimit vazhdojnë të lëvizin mes rrugëve të barrikaduara. Kontejnerë që ende nxjerrin tym, tabela trafiku: gjithçka që mund t’ia vështirësojë punën policisë, është hedhur në rrugë. “Ejani na ndihmoni”, thërret një burrë i moshuar, i cili po përpiqet më kot të lëvizë një shkëmb gjigant.
Të dielën pasdite, rrugët e Tiranës shndërrohen në një zonë lufte. Shqiptarët e zemëruar, kryesisht të rinj, janë vënë kundër qeverisë dhe institucioneve që lidhen me të. “Digjini!”, brohorit turma pranë Bankës Qendrore, ndërsa një djalë i veshur me të zeza godet me forcë xhamat e një kabine roje.
Demonstruesit përplasen me policinë në Tiranë. Prej ditësh po zhvillohen protesta kundër korrupsionit dhe rritjes së kostos së jetesës.
Shumë dyqane në rrugët përreth u përgjërohen protestuesve që t’i lënë të qeta. Në xhama janë ngjitur fletë me mbishkrimet: “Ne jemi në anën tuaj. Mos na shkatërroni”. Të rinjtë nuk treguan mëshirë për një klinikë turke të kirurgjisë plastike. Por restoranti ngjitur, Noor, ku strehohen shumë turistë, doli nga përplasjet pa asnjë dëmtim.
Punonjësi Kristiano, 19 vjeç, mendon se kjo nuk ndodhi për shkak të lutjes së shkruar në xham, por sepse ai doli jashtë dhe u shpjegoi protestuesve se edhe vetë është student. Ai është i kënaqur me kthesën e dhunshme që morën protestat javën e kaluar. “Kryeministri na përqeshi dhe nuk na dëgjoi, ndaj me sa duket nevojitet dhuna për të ndryshuar diçka. Nëse nuk e bëjmë ne, atëherë kush?”
Protesta paqësore, e quajtur “Revolucioni i flamingove”, e cila zgjati për gati 140 ditë, duket se ka marrë fund që prej javës së kaluar. Demonstratat nisën në maj, si reagim ndaj ndërtimit të një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore, dhe gjatë muajve të fundit u shndërruan në një lëvizje të gjerë popullore kundër pabarazisë dhe korrupsionit të vazhdueshëm në vend.
Të rinj e të moshuar kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili e drejton vendin prej 13 vitesh. Kur ai nuk tregoi asnjë shenjë tërheqjeje, studentët vendosën se kishte ardhur koha për të ndjekur një rrugë tjetër. Javën e kaluar, ata sulmuan Ministrinë e Arsimit dhe i vunë flakën. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji. Dhjetëra persona mbetën të plagosur, mes tyre shumë efektivë policie.
Edhe të dielën, ministritë, komisariatet e policisë, bashkia dhe parlamenti u bënë shënjestër e protestuesve. Një shpërthim i fortë. Britma. Gurët fluturojnë në ajër, një granatë gazi lotsjellës bie mes njerëzve dhe, në fund, policia vë në përdorim topin e ujit. Turma shpërndahet me panik. Një lojë maceje me miun që vazhdon deri vonë në mbrëmje.
Në ditën e gjashtë të protestave, duket sikur secili e ka gjetur rolin e vet. Një grua e moshuar shkul gur pas guri nga Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit, rruga e gjerë përgjatë së cilës ndodhen pothuajse të gjitha institucionet e rëndësishme shtetërore. Të rinj rreth të njëzetave, të veshur me të zeza, shpërndajnë sanduiçe të përgatitura vetë. Ka nga një shishe ujë për secilin. Krejt në pjesën e përparme qëndrojnë më të guximshmit, me shkopinj dhe tuba metalikë në duar.
Sipas Kristianos, protestat nuk kanë asnjë lidhje me trazirat në Francë. “Ne duam që arsimi dhe jeta jonë të jenë të përballueshme. Vitin e kaluar punoja shtatë ditë në javë, deri në orët e vona të natës, vetëm që të arrija të përballoja shpenzimet”, thotë studenti i informatikës dhe ekonomisë.
Emigrantë në vendin e tyre
Shumë të rinj ndihen si “emigrantë” në vendin e tyre, shpjegon përmes telefonit Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Politike. Meqë në Shqipëri vendimet i merr një grup i vogël njerëzish, i cili përfiton nga rritja ekonomike, për të rinjtë është pothuajse e pamundur të “integrohen”.
Çdo vit, dhjetëra mijëra shqiptarë largohen nga vendi për të kërkuar fatin diku tjetër. Që nga viti 1991, vendi ka humbur më shumë se 1,2 milionë banorë, pothuajse gjysmën e popullsisë së sotme. “Por kjo gjeneratë është lodhur duke u detyruar të kërkojë diku tjetër perspektiva më të mira për të ardhmen”, thotë Krasniqi, i cili është gjithashtu profesor universiteti dhe dëshiron të theksojë se demonstruesit nuk janë huliganë.
“Janë studentët e mi, njerëz si vajza ime. Edhe pse, sigurisht, dhuna nuk mund të justifikohet kurrë.”
Ai vetë nuk del në rrugë për të protestuar. “Isha student kur rrëzuam komunizmin. Një revolucion mjafton.” Dhe megjithëse brezi i tij ishte i kënaqur me ndryshimet e asaj kohe, vendi në të vërtetë nuk ndryshoi, shpjegon Krasniqi. “Ndërtuam një demokraci me të njëjtët njerëz që kishim edhe më parë. U krijua një sistem i ri, por mentaliteti mbeti i njëjtë. Të rinjtë nuk kënaqen më me kaq.”
Politologu i njohur nuk ka frikë ta përdorë pozitën e tij për të shprehur hapur qëndrimet, edhe pse kryeministri Rama tregon rregullisht dhe publikisht se sa i pakënaqur është me këtë. “Por ka shumë njerëz që po na ndjekin, ndaj nuk mund të ma heqin vendin e punës kaq lehtë.”
Për shumicën e shqiptarëve, situata është ndryshe. Sidomos jashtë Tiranës, njerëzit heshtin nga frika se mund të humbasin vendin e punës në administratën publike. “Na është rrënjosur që në fëmijëri ideja se është më mirë të mos hysh në konflikt me shtetin.”
Askush nuk kursehet
“Kujdes!”, thërret një djalë i veshur me të zeza, teksa një tjetër granatë gazi lotsjellës bie mes turmës, këtë herë në sheshin qendror Skënderbej, të cilin Rama e ka rinovuar tërësisht. Kohët e fundit, disa persona janë plagosur nga saçmet metalikë që policët i qëllojnë drejt demonstruesve nga toka dhe nga çatitë e institucioneve shtetërore. Duket se askush nuk kursehet.
Sa herë që forcat e njësisë së lëvizshme përparojnë, shpërthen paniku. Një pjesë e turmës që vrapon kërkon strehim nga retë e gazit lotsjellës në restorante.
Një burrë i moshuar, me sytë që i lotojnë fort, është personi i fundit që pranohet të dielën brenda restorantit Lé Baron, pranë sheshit qendror. Më pas, dera rrëshqitëse mbyllet për t’i mbrojtur klientët nga avujt toksikë. Një punonjës i zgjat me përvojë një shishe të bardhë me solucion fiziologjik, i cili ndihmon në lehtësimin e djegies së shkaktuar nga gazi lotsjellës.
“Kjo është më keq se komunizmi”
Organizata rinore shqiptare ASAN hapi të shtunën një pikë të improvizuar të ndihmës së parë për të trajtuar dhjetëra të plagosur. Një ditë më vonë, banorë të Tiranës, të rinj e të moshuar, vijnë me çanta të mbushura me shishe uji dhe materiale mjekësore. Ata që nuk kanë maskë kundër gazit apo syze zhytjeje për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës, marrin maska për fytyrën nga vullnetarët me jelekë të verdhë.
Njëri prej vullnetarëve mori pjesë në protestën e së shtunës dhe tregon se një vajzë 17-vjeçare u godit nga plumba gome në shpatull, këmbë dhe kokë. Asnjë prej vullnetarëve nuk pranon të japë emrin. “Mos e bëni, se nesër do të përfundojmë në burg”, paralajmëron një avokat 41-vjeçar nga Tirana, i cili është paraqitur për t’u ofruar ndihmë juridike qindra të rinjve të arrestuar.
Më vonë atë pasdite, një burrë i moshuar i veshur me rroba tradicionale tregon plagët në shpinë dhe në pjesën e poshtme të këmbës. Ai mban një flamur të madh shqiptar, të shpuar nga plumbat e gomës. “Po qëllojnë edhe mbi simbolet e tyre”, thotë i habitur një protestues 27-vjeçar, që po e vëzhgon skenën. “Kjo është më keq se komunizmi.”
Një problem i madh për demonstruesit është gazi lotsjellës. Idlir Xhembulla, 30 vjeç, sjell një shishe me solucion fiziologjik në pikën e ndihmës së parë. Gjatë javës së fundit, ai ka shpenzuar tashmë “të paktën një mijë euro” për këtë qëllim. Ai është ekonomist dhe ka një punë të mirë, por megjithatë merr pjesë në protesta. “Pashë dy protesta studentore të dështuara gjatë dhjetë viteve të fundit. Këtë herë dua ta çoj deri në fund”, thotë protestuesi i veshur me rroba ngjyrë jeshile ushtarake, teksa drejtohet për nga parlamenti.
Në çantën e shpinës ka rroba të tjera, që të mos njihet kur të kthehet në shtëpi në mbrëmje. Është një masë paraprake. “Më kanë arrestuar tashmë dy herë.” Edhe ai nuk i shmanget dhunës. “Ata nuk na dëgjojnë kur protestojmë në mënyrë paqësore.”
Ai nuk e di se si duhet të vazhdojë vendi. Meqë familja e tij ka qenë viktimë e shpronësimeve të kryera nga komunistët shqiptarë, të cilët qeverisën vendin deri në vitin 1990, ai është “më mirë i vdekur sesa i kuq”.
“Le të japë Rama fillimisht dorëheqjen, pastaj do të shohim se si do të vazhdojmë.”
Anëtarësimi në BE
Monda, 67 vjeçe, është dakord me këtë qëndrim. Mësuesja në pension mban lart një pankartë përpara një furgoni të blinduar të policisë. Me shkronja të zeza ka shkruar: “Dorëheqje”. Kryeministri Rama, deri tani, nuk i është përgjigjur kësaj kërkese. Ai i akuzon studentët se drejtohen nga “agjentë të huaj” dhe u hedh fajin se po pengojnë një anëtarësim të mundshëm në Bashkimin Evropian.
Shqipëria ende nuk i përmbush kriteret e anëtarësimit. Raporti i fundit i progresit i BE-së tregon se korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë problem, si edhe mungesa e një sistemi gjyqësor të pavarur.
Gjatë muajve të fundit, BE-ja ka mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj protestave. Por shtrohet pyetja se për sa kohë mund të vazhdojë ta bëjë këtë pas kësaj vale dhune. Politologu Afrim Krasniqi nuk e humb shpresën. “Do të ishte mirë sikur ata të angazhoheshin për ripërtëritjen demokratike, në vend që të vazhdonin të mbështeteshin te elita e konsoliduar e pushtetit.”
Gazeta RD