Një skenë që ngre pikëpyetje është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë, ku rreth 15 persona të maskuar janë parë duke dalë nga ambientet e brendshme të Ministrisë së Brendshme, në një kohë kur kryeqyteti po përballet me tensione të larta për shkak të protestave.
Sipas raportimeve, grupi ka lëvizur përgjatë godinave institucionale, në drejtim të kryqëzimit të rrugës “Myslym Shyri”. Prania e personave të maskuar ka tërhequr vëmendjen e efektivëve të policisë, të cilët fillimisht janë afruar drejt tyre, duke i marrë për protestues.
Por situata ka marrë një tjetër rrjedhë pas komunikimit mes policëve dhe grupit. Sipas raportimeve nga vendngjarja, efektivët janë larguar menjëherë pas kontaktit me personat e maskuar, pa kryer kontrolle apo shoqërime.
Një tjetër detaj i raportuar lidhet me momentin kur grupi ka vënë re kamerat e gazetarëve. Në atë çast, personat e maskuar kanë nisur të thërrasin slogane kundër qeverisë.
Rrethanat në të cilat këta persona kanë dalë nga godina e Ministrisë së Brendshme dhe arsyeja pse policia u tërhoq pas komunikimit me ta mbeten të paqarta. Episodi ngre pikëpyetje që kërkojnë sqarim, në një mbrëmje të shoqëruar nga tensionet dhe përplasjet gjatë protestës në Tiranë.

Gazeta RD