Prokurori Arbër Berexha liron menjëherë protestuesit: Arrestime të paligjshme!

Nga Boldnews.al

Prokurori i Tiranës, Arbër Berexha, ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të një grupi të konsiderueshëm protestuesish, duke dhënë sinjalin e parë, por të rëndësishëm, që veprimet abuzive të efektivëve të Policisë së Shtetit nuk mund të kalojnë gjithnjë pa u vlerësuar nga organet e drejtësisë.

Të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se Berexha ka konstatuar arrestime të paligjshme të studentëve, duke i dhënë njëkohësisht një mesazh edhe kolegëve të tij në Prokurorinë e Tiranës, të cilët, në shumicën e rasteve, kanë legjitimuar veprimet jo-profesionale dhe, shpesh, abuzive, të Policisë së Shtetit ndaj mijëra të rinjve që protestojnë këto ditë kundër korrupsionit qeveritar.

Në foto: Prokurori i Tiranës, Arbër Berexha

Vendimet për lirimin e menjërshme të protestuesve janë nënshkruar gjatë pasdites së të martës (20 tetor 2026). Redaksia ka mësuar se, gjatë verifikimit të informacionit të përcjellë nga oficerët e Policisë së Shtetit, prokurori Arbër Berexha ka konstatuar mungesa të theksuara të informacionit për fakte penale. Madje, në disa raste, referimi policor nuk kishte asnjë të dhënë konkrete për studentët dhe të rinjtë e arrestuar.

Më shumë se një javë nga nisja e revoltës studentore, Policia e Shtetit ka raportuar arrestimin e disa qindra të rinjve, si të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë “kundërshtim të forcave të rendit”, “shkatërrim prone publike e private”, etj.

Përtej raportimeve zyrtare, pamjet e transmetuara nga mediat tradicionale e rrjete sociale kanë dhënë dëshmi të shumta për ndalime e arrestime të shumta dhe abuzive të të rinjve në rrugët e Tiranës. Në një pjesë të konsiderueshme të këtyre rasteve, duket qartë edhe veprimet flagrante të punonjësve të policisë së shtetit, shoqëruar me dhunë e dëmtime fizike, tërësisht të panevojshme, ndaj të rinjve aspak agresivë.
Në foto: Pamje nga protesta e studentëve në Tiranë

Megjithatë, prokurorët, kryesisht në Tiranë, kanë legjitimuar pjesën më të madhe të arrestimeve të kryera nga Policia e Shtetit, duke iu drejtuar gjykatës me kërkesa për caktimin e masave të sigurimit ndaj protestuesve.

Në këtë frymë të ashpër institucionale ndaj protestuesve vjen edhe një deklaratë në kufijtë e shfazimit të kryeministrit Edi Rama, ku i kërkoi gjykatës që të arrestojë të rinjtë “edhe pa prova”.

Gjatë një takimi me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të hënën e kësaj jave, Rama deklaroi tekstualisht: “Gjykata i lëshon (protestuesit) në mënyrë të papërgjegjshme, duke thënë s’ka prova dhe i kërkojnë policisë që kur lufton atje me një kriminel që po i nxjerr sytë policit t’i bëjë dhe fotografi, i kërkon policisë imazhe kur kamerat janë ndërkohë vandalizuar”, deklaroi kryeministri.

Në thelb, Rama deklaroi se gjykatat duhet të vendosin në burg të gjithë protestuesit e arrestuar nga policia, edhe pse ndaj tyre nuk ka prova.

About Redaksia

Check Also

Berisha: I them zonjës Hoxha të Top Turpit, hiq dorë nga përdorimi i medias si hanxhar kundër protestuesve!

Kryetari PD, Sali Berisha tha se, i them zonjës Hoxha të Top Turpit, hiq dorë …