Mesazhe kërcënuese kanë mbërritur në telefonat e qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestat kundër qeverisë.
Sipas një denoncimi të publikuar në rrjetet sociale, pjesëmarrësve në protestë u është komunikuar se janë fotografuar dhe se do të njoftohen për akuzat për të cilat pretendohet se do të mbajnë përgjegjësi.
Sipas denoncimit, mesazhe të tilla kanë marrë edhe disa mësues, të cilët pretendojnë se kanë dalë në mbështetje të studentëve dhe të rinjve që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës.
“Mirëmbrëma! Je i fotografuar si pjesëmarrës sot në protestë. Do kontaktoheni nesër dhe do t’ju bëhet me dijeni akuza për të cilën do mbani përgjegjësi”, thuhet në mesazhin që pretendohet se u është dërguar mësuesve.
Në denoncimin e tyre, mësuesit shprehen të shqetësuar nga këto paralajmërime dhe thonë se nuk kuptojnë se për çfarë shkeljeje mund të mbajnë përgjegjësi.
“Jemi të tmerruar nga ajo që po na bëjnë. Ndjesë, por nuk e dimë ku kemi gabuar që të na komunikohet një akuzë. Kemi dalë në krah të rinisë, fëmijëve tanë”, thuhet në reagimin e publikuar.
Gazeta RD