Kongresmeni amerikan Mike Lawler ka reaguar për protestat kundër qeverisë që po zhvillohen në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës ndaj protestuesve paqësorë.
Kongresmeni amerikan thekson se qëndron në krah të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe popullit shqiptar, duke nënvizuar se çdo qeveri demokratike, veçanërisht vendet anëtare të NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur lirshëm pikëpamjet e tyre.
“Kam dëgjuar nga zgjedhësit e mi shqiptaro-amerikanë në distriktin NY-17, të cilët janë thellësisht të shqetësuar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe për atë që këto zhvillime nënkuptojnë për të ardhmen e demokracisë në vend. Unë qëndroj në krah të zgjedhësve të mi dhe të popullit shqiptar”, shkruan Lawler.
Ai i drejton një apel të qartë qeverisë shqiptare që të ndalojë përdorimin e forcës ndaj qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.
“Çdo qeveri, veçanërisht demokracitë dhe aleatët e NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve të saj për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre. I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës ndaj protestuesve paqësorë”, përfundon kongresmeni amerikan Mike Lawler.
Gazeta RD