Mjekët deklaratë nga protesta: Rama të japë dorëheqjen! Ndërkombëtarët të mbajnë qëndrime të pavarura!

“Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, mjekë, stomatologë, farmacistë dhe punonjës të tjerë, i bashkohemi protestës së studentëve. Misioni ynë për të mbrojtur jetën e qytetarëve na ngarkon me detyrën për të mbrojtur jetën. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur.

Arsimi cilësor dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve.

Ndaj, ky grupim kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si akt të marrjes së përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj, si dhe krijimin, në përputhje me Kushtetutën, të një qeverie tranzitore që të mundësojë daljen paqësore nga kjo situatë dhe respektimin e funksionimin e institucioneve.

Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe ndaj atyre që janë angazhuar për të dhënë ndihmën e parë. Studentët vullnetarë dhe personeli shëndetësor që ofrojnë ndihmë kërkojnë të mbrohen.

Punonjësit e policisë duhet të garantojnë jetën e qytetarëve, si edhe paprekshmërinë e pronës private. Duhet të mbrohen edhe banorët dhe kalimtarët. Përdorimi i gazit në sasi të mëdha dëmton edhe banorët dhe mund të ekspozojë qytetarë të çdo moshe.

Si profesionistë të shëndetësisë, e konsiderojmë të papranueshme lënien pa ndihmë të personave të lënduar. Kërkojmë hetim të shpejtë”.

About Redaksia

Check Also

Terror para kryeministrisë! Policia nxjerr autobotët dhe hedh gaz lotsjellës, protestuesit rezistojnë

Ndërsa masa e jashtëzakonshme e njerëzve ishte nisur drejt Kryeministrisë, policia nuk i ka lejuar. …