Ambrozia Meta, SYRI TV: Lidhur me situatën në Serbi, a mendoni ju se edhe në Shqipëri, revolta studentore që ne kemi parë këto ditë mund të prodhojë një formacion politik ,i cili në një pikë të caktuar të garojë në zgjedhje dhe ndoshta të aneksojë dhe partitë opozitare siç ndodhi në Serbi?
Dhe pyetja tjetër këtu, pavarësisht se aty është ndryshuar pushteti, lista e studentëve nuk ka një qasje ndryshe nga Aleksandër Vuçiç në raport me Kosovën. Pra, ata vijojnë mos ta njohin Kosovën si shtet. Cili është qëndrimi juaj dhe për këtë?
Sali Berisha: Së pari, Partia Demokratike nëpërmjet strukturave të saj rinore, është aktive që nga momenti i parë e gjer sot në këtë protestë. Këtë e kam deklaruar dhe e deklaroj me përgjegjësi të plotë.
Së dyti, në Shqipëri çdo qytetar mund të regjistrojë parti, mund të krijojë parti, mund të ndërmarrë veprimet që do. Por dhe një herë, në këtë protestë, Partia Demokratike me strukturat e saj studentore, rinore, dhe të tjera, është e pranishme që në minutën e parë.
Së dyti, unë u bëra thirrje fituesve të koalicionit të studentëve, të ndjekin politikën e fqinjësisë së mirë, politikën pro-perëndimore.
Për shembull, ju mbase nuk e keni dëgjuar, mbrëmë Bashkimi Evropian deklaroi se dyert janë të hapura për Serbinë. Nga mbyllja që u kishin bërë dyerve.
Pra, pavarësisht se në fushatë elektorale, kaq hollësisht s’e kam ndjekur, po dhe këta kanë pasur qëndrime absolutisht të gabuara ndaj Kosovës, qëndrime të paqarta ndaj arritjeve me dialog me ndërmjetësimin e Brukselit, por të shpresojmë dhe urojmë që nesër në pushtet ta lexojnë si duhet votën e kombit serb, i cili përmbysi shtyllën kryesore të verbërisë nacionaliste serbe.
E përsëris, Aleksandër Vuçiç nuk ishte një komunist, ai ishte më shumë një Gjeorgjeviç si nacionalist.
Ose funerali i Partisë Socialiste, Partisë së Millosheviçit, është një arritje për kombin serb.
Kjo parti, që nga themelimi i saj, ka qenë një fatkeqësi për atë komb, edhe për rajonin, se ajo themeloi Partinë e Punës të Shqipërisë, Partinë Komuniste Shqiptare në ’41-shin.
Unë uroj që mesazhin ta lexojnë, në interesin më të mirë të vendit të tyre dhe të qytetarëve që i votuan, qytetarëve që bënë padiskutim një votë historike.
Përmbysën një grup kriminelësh në pushtet, gangsterë. Nuk ka pasur gangsterë si Vuçiçi dhe Edi Rama në Ballkan.
Dhe jam i bindur se largimi i tij argatin e la me një këmbë. E la të plagosur rëndë. Jo se Shqipëria dhe Serbia kanë marrëdhënie të ndërvarura apo varësie, por Rama me Vuçiçin kishin ndërmarrjet, kishin marrëdhëniet e padronit me argatin. Kështu që, padiskutim ky është ndikim pozitiv.
Gazeta RD