Ambrozia Meta, SYRI TV: Kisha dhe një pyetje për situatën politike në vend. Cila do jetë qasja e opozitës në raport me parlamentin pas kësaj situate? Do të lejoni zhvillimin e seancave normale apo do të kemi kaos si herën e fundit? A do e rishikoni qëndrimin në tryezën e reformës zgjedhore? Dhe a do përgatisni, le të themi, kundërshtitë për t’i çuar në Gjykatë Kushtetuese paketën e masave që Rama do kalojë në lidhje me Kodin Penal apo masa të tjera kufizuese që lidhen edhe me të drejtën për tubim?
Sali Berisha: Siç keni parë ju, Gjykata Kushtetuese është një noter i Padrinos, i qeverisë. Noter i thjeshtë.
Megjithatë, bazuar në një parim tjetër, ne do e dërgojmë, të bindur se ajo është një noter. Siç dërgojmë dosjet në SPAK.
Ne kemi dërguar qindra dosje në SPAK, ndonëse SPAK-u është pas Edi Ramës, armiku numër dy i pluralizmit politik në Shqipëri. Pse është armiku numër dy i pluralizmit politik në Shqipëri? Sepse të gjitha dosjet, tashmë të konfirmuara nga institucionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve, ata i mbyllin sepse janë kundër partisë së tyre. Duke i mbyllur në një verbëri absolute, duke mos harruar se shndërrohen në një institucion të shtypjes së pluralizmit.
Marrin përsipër misionin më të keq të mundshëm. Janë vetëm në zgjedhjet e fundit mbi 50 dosje të dërguara, asnjë. Ka demokratë të thirrur në SPAK nga pesë-gjashtë herë, pesë herë nga një prokuror, pesë herë nga një prokuror tjetër.
Pra, në këtë kuadër, megjithatë ne i dërgojmë dosjet. Edhe aty i dërgojmë, të bindur se ata funksionojnë bashkë me Gjykatën si nën urdhrat e një partie.
Po unë meqë jam në këtë çështje dhe dëgjoj se këto ditë ka pasur jo pak analistë që janë shprehur se me këtë paketë vendosi diktaturën, unë u them atyre se cilido që ka ABC-në elementare të politikës dhe të ndërtimit të një shteti, dhe njihet me këtë grafik të publikuar nga një institut krejtësisht jo në favor të opozitës në vitin 2021, do të shohë një gjë shumë interesante, përqindjen e pushtetit të partisë në pushtet.
Dhe u jap këtu: në vitin 2000, partia në pushtet kishte 48% të pushteteve. Kontrollonte 48% të pushteteve.
Në vitin 2013, partia në pushtet kontrollonte 48% të pushteteve. Pra, pushtetet e tjera nuk ishin në kontrollin e saj, as në rastin e socialistëve.
Në vitin 2020, Partia Socialiste, partia e krimit, bëhet me 90% të pushtetit.
Në vitin 1991, Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist, kishte 82% të pushtetit.
Kurse në vitin 2020, pasi kompletoi reformën e drejtësisë dhe bëri që të gjitha emërimet të jenë të tij, ky institut nxjerr se Edi Rama përqendroi të gjitha pushtetet në një dorë.
Shtylla më kryesore e një diktature është përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë.
Gjatë këtyre viteve, ai përsëri i ka rritur pushtetet në dorë. Por në vitin 2020, ai nuk ka pasur siç e ka sot në dorë fuqinë e të keqes, drogën. Ai e ka shumuar duke e bërë Shqipërinë një superfuqi droge.
Shqipëria është një vend i vogël, por është një superfuqi droge. Meqenëse shqiptarët janë transportuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine në Europë, meqenëse shqiptarët janë eksportuesit kryesorë të kanabisit në Europë, meqenëse sot Shqipëria ka rrugën kryesore të heroinës nga Afganistani, Irani, Turqia në Itali.
Pra, këto janë lidhur me autoritarizmin apo diktaturën.
Nuk i kishte padroni i tij në Serbi këto. Jo, realisht! Dhe fakti, ai i kishte të gjitha, ai është për në Hagë, por dorëheqjen e dha, e njohu rezultatin.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Lidhur me reformën elektorale, rikthimin në tryezë?
Sali Berisha: Ne jemi për listat e hapura përfundimisht. Po, plotësisht. Pa diskutim. Kemi pasur një proces, në qoftë se ju kujtohet.
Ky proces ka qenë i ndërmjetësuar nga forumi intelektual dhe ky forum ndërmori konsultat dhe me ato partitë e tjera opozitare që janë në parlament. Dhe njëra prej tyre, e kryesuar nga Adriatik Lapaj, kërkoi pikërisht listën e hapur 100%, gjë për të cilën ne ishim dakord. Jemi plotësisht dakord. Pa asnjë lloj hezitimi.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Sjellja e opozitës në Kuvend, a do kemi seanca normale?
Sali Berisha: Jo, nuk mund të ketë parlament në këto kushte. Sot përfaqësuesit tanë në detyrë kryetari apo nënkryetari, janë paraqitur te komisionet për të bërë një deklaratë dhe për t’u larguar.
Ne jemi në një detyrë shumë të rëndësishme të mobilizimit me të gjithë potencialin tonë të mbështetjes së përditshme të revoltës studentore dhe organizimit periodik të protestave kombëtare në mbështetje të kësaj revolte. Në mbështetje dhe mbrojtje të studentëve.
Edi Rama, siç bëri me protestën e parë, që ndërmori një agresion mesjetar primitiv me të gjitha mjetet kundër saj, përpiqet me të njëjtin skenar me këtë të dytën. Por absolutisht do dështojë dhe do ta shohë vetë se do dështojë.
S’ka parë gjë akoma, i them. Nuk ka parë gjë akoma! Tani kujtoj këtë frazë, ta shkruajë aty dhe të më kujtojë pak.
Gazeta RD