Rama-fisko 2027: si i masakron qytetarët dhe biznesin me taksa!

Nga Bujar Leskaj

Nga 1 janari 2027, për shkak të paketës fiskale 2027 të sektit Rama në pushtet, e cila do të miratohet nga mazhoranca me diktatin e kartonit, qytetarët dhe mbi 17 mijë biznese të vogla do të përballen me një ndryshim të ndjeshëm negativ të taksave të tyre.
Rritja e TVSH-së nga 20% në 21% do të ndikojë drejtpërdrejt në tatimin mbi furnizimet që i nënshtrohen normës standarde. Ulja e pragut nga 10 në 5 milionë lekë për bizneset e vogla që nuk paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) do të zgjerojë grupin e bizneseve të detyruara të regjistrohen në TVSH, duke sjellë detyrime të reja administrative dhe ndryshime në mënyrën e menaxhimit të çmimeve dhe kostove.
Në praktikë, nga 1 janari 2027, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të përballen me një rritje të ndjeshme të barrës fiskale për ta. Por çfarë do të ndryshojë konkretisht?

Tabela e mësipërme, e sintetizuar nga revista profesionale ekonomike “Monitor”, vërteton se si shtohet TVSH-ja për gjithshka tjetër, përveç ushqimeve. Kjo do të thotë rritje e çmimit të karburanteve, energjisë, ujit, dhe çdo produkti apo shërbimi në treg, që nuk është ushqim bazë. Kjo lëvizje e rrit barrën e taksave për qytetarë dhe sipërmarrës me 10.6 miliardë lekë, ose 117 milionë euro.
Gjithashtu, shtrenjtohen pushimet dhe hotelet. Shkalla e reduktuar për shërbimet e akomodimit në strukturat hoteliere, agroturizëm dhe hotelet me pesë yje (status special) rritet nga 6% në 10%. Ky ndryshim e rëndon barrën e taksave për qytetarët me 6.76 milionë euro shtesë në vit
I. Si masakrohen profesionistët e lirë!
Me Rama-fisko 2027, pragu i përfshirjes në skemën e TVSH-së ulet nga 10 milionë lekë xhiro vjetore që është aktualisht, në 5 milionë lekë duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kjo masë detyron rreth 17,516 biznese të paguajnë TVSH, duke e rënduar barrën fiskale për bizneset e vogla me rreth 50 milionë euro në vit.
Veçanërisht të ekspozuara janë profesionet e lira, ku pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga puna dhe shërbimi profesional, ndërsa blerjet e mallrave dhe shërbimeve të kreditueshme për TVSH-në janë të kufizuara. Këtu hyjnë mjekët, avokatët, dentistët, gazetarët free lance, përkthyesit dhe krijuesit e pavarur, elektriçistët, hidraulikët, muratorët dhe marangozët, riparuesit, teknikët dhe profesionistët e tjerë të vetëpunësuar.
Këto profesione, për nga natyra e biznesit, nuk kanë blerje dhe pothuajse e gjithë TVSH u shkon drejtëpërdrejtë si taksë mbi xhiron! Këta 17,516 të vetëpunësuar përballen me frenim të fortë të aktivitetit, ose falimentim të sigurtë, pasi, ose do të duhet t’ia kalojnë TVSH-në klientit, duke rritur çmimin përfundimtar dhe pakësuar keqazi klientelën, ose të ulin shpenzimet ose të ardhurat e veta, për të kompensuar barrën e re tatimore, ose të kufizojë aktivitetin, të punojë më pak dhe të shtyjnë investimet.
II. Cunam taksash mbi biznesin
Tatimi mbi Fitimin e Korporatave (biznesi i madh) rritet nga 15% që është aktualisht, në 17% me Rama-fisko 2027. Ky ndryshim e rrit barrën e taksave me rreth 55 milionë euro në vit për biznesin.
Tatimi mbi dividentin rritet nga 8% që është aktualisht, në 15% duke filluar nga 1 janari 2027 dhe unifikohet kështu me të gjitha të ardhurat e tjera pasive nga investimet (interesat, qiratë etj.)
Kjo rritje do të rëndojë barrën fiskale për biznesin shqiptar dhe të huaj tek ne me 33.5 milionë euro të tjera në vit.
Rritja e Tatimit mbi Fitimin e Korporatave nga 15% në 17% dhe e tatimit mbi dividentin nga 8% në 15%, sipas ndryshimeve të parashikuara në Paketën Fiskale 2027, përbëjnë një shtim të ndjeshëm të barrës fiskale për biznesin shqiptar dhe investitorët e huaj këtu, që do të gjenerojë një largim masiv të tyre nga vendi.
Barra shtesë fiskale arrin në rreth 88,5 milionë euro në vit! Këto ndryshimet ngrejnë pikëpyetje serioze mbi konkurrueshmërinë fiskale të Shqipërisë, klimën e investimeve dhe nxitjen e sipërmarrjes për të riinvestuar fitimet në ekonominë tonë.
Në një ekonomi që synon të tërheqë investime të huaja, të zgjerojë bazën prodhuese dhe të rrisë produktivitetin, politika e tatimit mbi fitimin dhe dividentin ka një rëndësi strategjike.
Investitorët e zgjedhin një vend edhe nga niveli i tatimeve. Norma fiskale ndikon drejtpërdrejt në kthimin neto të investimit dhe mund të bëhet vendimtare, kur vendet konkurrente ofrojnë kushte të ngjashme. Rritja e tatimit mbi fitimin në 17% dhe e tatimit mbi dividentin në 15% sjell uljen e fitimit neto të kompanive, duke pakësuar burimet e disponueshme për investime të reja, rritjen e kostos së kapitalit, pasi investitorët do të kërkojnë kthim më të lartë për të kompensuar barrën fiskale, si dhe shtyrjen e investimeve, veçanërisht në sektorët ku projektet kërkojnë kapital të madh dhe kanë periudha të gjata kthimi.
Nga ana tjetër, rritja e tatimit mbi dividentin dekurajon riinvestimin.
Kur një kompani mban fitimet brenda aktivitetit, ajo mund t’i përdorë për të blerë makineri, për të zgjeruar kapacitetet, për të investuar në teknologji, për të trajnuar punonjësit ose për të hyrë në tregje të reja. Kur fitimi shpërndahet si divident, aksionarët paguajnë tatimin përkatës mbi shpërndarjen. Rritja e normës së dividentit e bën shpërndarjen e fitimeve më pak tërheqëse. Kjo ndikon tejet negativisht mbi investimet private, formimin e kapitalit të ri dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

xxx
Sipas përllogaritjeve të bazuara në shifrat zyrtare të paketës së re fiskale, efekti negativ neto i saj, i cili do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve dhe mbi biznesin shkon në mbi 111 milionë euro në vit!
Ky bilanc tregon se rritja masive e taksave mbi kapitalin dhe konsumin e përgjithshëm e tejkalon ndjeshëm lehtësimin e marrë nga ulja e TVSH-së për ushqimet e shportës dhe e tatimit mbi të ardhurat për pagat e mesme.
Ndryshe nga sa do të buçasë propoganda e Rama-fisko 2027, kjo paketë fiskale thjesht i masakron qytetarët dhe biznesin me taksa!

About Redaksia

Check Also

Dorëheqje e Ramës/ Studentët e Mjekësisë marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, duke dalë në …