Një javë pasi iu komunikuan akuzat, ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është thirrur në SPAK, ku u paraqit rreth orës 08:30 bashkë me avokatin e saj Ardian Kalia dhe u njoh me mbylljen e hetimeve.
Së shpejti, dosja në ngarkim të saj do të transferohet në Gjykatën e Posaçme.
Belinda Balluku përballet me pesë akuza penale që përfshijnë 15 episode të dyshuara.
Sipas njoftimit të SPAK-ut të 20 tetorit 2026, 9 episode lidhen me shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, ndërsa pjesa tjetër përfshin akuza për korrupsion pasiv, mosdeklarim ose fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Tuneli i Llogarasë, Unaza e Madhe dhe tenderi i Albcontrol
Në fokus të hetimeve për tenderat janë projekti i Tunelit të Llogarasë, shtatë lotet e Unazës së Madhe të Tiranës dhe një procedurë e zhvilluar në kohën kur Balluku drejtonte Albcontrol.
Në rastin e Albcontrol bëhet fjalë për punime në godinën teknologjike të institucionit, me vlerë të raportuar rreth 1.1 milion euro.
Në disa prej raportimeve, vlera e përgjithshme e nëntë procedurave të tenderimit është përllogaritur në rreth 1.2 miliardë euro.
Vila në Dhërmi dhe biznesmeni Pandeli Carapuli
Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me një vilë në kompleksin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut.
Sipas SPAK-ut, Balluku dyshohet se ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt nga kompania “Eurocol”, në formën e një pasurie të paluajtshme me numër F6, me vlerë të vlerësuar nga prokuroria në 145 mijë euro. Dyshimi lidhet me një tender të përfituar nga kompania në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e përgjithshme e Albcontrol.
Biznesmeni Pandeli Carapuli, i lidhur me kompaninë “Eurocol”, është marrë i pandehur për pastrim parash në kuadër të së njëjtës çështje. Ai u paraqit sot në SPAK (më 28 tetor), i shoqëruar nga avokati i tij.
Sipas dyshimeve të prokurorisë, vila mund të jetë përdorur si përfitim i parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë në procedurën e tenderimit.
Igli Tare dhe vila në Palasë
Një tjetër emër që shfaqet në dosje është ai i ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Igli Tare. Më 21 tetor, sipas raportimeve mediatike, SPAK i komunikoi atij akuzën për pastrim parash.
Sipas dyshimeve të prokurorisë, Tare dyshohet se ka shërbyer si person në emrin e të cilit janë regjistruar dy vila që lidhen me Ballukun, një në Dhërmi dhe një në Palasë.
Për vilën në Palasë, përmendet gjithashtu biznesmenin Arbër Abazi dhe një tender me vlerë mbi 20 milionë euro, si dhe dyshime për lidhje mes përfitimeve nga procedurat publike dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.
Akuzat përfundimtare ndaj Belinda Ballukut
1. “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
2. “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
3. “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
4. “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
5. “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale.
Gazeta RD