Baçi: Dorëheqje e menjëhershme e këtij autokrati që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe po dhunon studentët!

Deputeti i PD, Luan Baçi, akuzoi mazhorancën në mbledhjen e Komisionit të Arsimit se po vijon punën në normalitet, ndërsa studentët protestojnë prej 14 ditësh dhe përballen me dhunë policore dhe arrestime të paligjshme.

Baçi e cilësoi mbledhjen të papërshtatshme në kushtet e protestave, duke kërkuar që komisioni të trajtonte drejtpërdrejt kërkesat e studentëve.

Ai mbështeti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se Partia Demokratike do të vijojë të jetë në krah të protestuesve.

Fjala e deputetit Luan Baçi

Faleminderit zonja drejtuese e këtij komisioni për, për sot. Së pari më lejoni të them që ju jeni ilegjitime sot për të drejtuar këtë mbledhje komisioni, për arsye se ky është një komision që drejtohet nga opozita. Dhe kryetari i komisionit duhet të ishte sot aty, por si rezultat i një mase të marrë nga ju, si deputetë të mazhorancës në mënyrë të paligjshme, duke përjashtuar për 60 ditë zotin Boçi, kryetarin e komisionit të këtushëm dhe pesë kolegë të tjerë të Partisë Demokratike, ju tregoni atë që me një dorë të hekurt, sipas mësimeve të autokratit tuaj, doni që çdo gjë që ka opozita që ia jep rregullorja dhe ligji, ta merrni ju dhe ta drejtoni ju. Kështu që unë mendoj që ju nuk duhet të kishit pranuar sot të uleshit në atë karrige dhe duhet që në atë karrige të ishte kryetari i komisionit, zoti Luçiano Boçi. E para.

E dyta, më lejoni të them që sot ju na lexuat rendin e ditës. Dhe në këtë rend dite, përveç miratimit të procesverbalit dhe miratimit të kalendarit, kemi dhe projektligjin, të përfshirë për shqyrtim në komision, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar 2024 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri sipas parimit të efiçencës së energjisë”. Pra, të universiteteve, të studentëve, për studentët.

Sot ne jemi në ditën e 14-të që studentët e universiteteve të Shqipërisë, studentët tanë, janë në rrugë, janë në sheshe, janë në protesta. Dhe ju pa pikën e turpit mblidheni sot këtu sikur nuk ka ndodhur gjë, sikur nuk i dini kërkesat e studentëve, por e mblidhni këtë komision dhe do të votoni një rikonstruktim të godinave të efiçencës së energjisë dhe ku di unë se çfarë tjetër. Pra, kjo është një tallje që bëni me studentët. Pikërisht sot ky komision nuk duhej të mblidhej për këtë punë, por duhej të mblidhej për kërkesat e studentëve. Duhej që këtu të ishte Ministrja e Arsimit, duhej që këtu të ishin gjithë personat përgjegjës që e kanë çuar në këtë derexhe universitetet dhe studentët tanë, sepse keni qenë ju ata që në 2013-ën keni thënë që do ta çojmë GDP-në 5% për arsimin.

Pra, nuk është se studentët janë ngritur në protestë në gjithë këto ditë që protestojnë paqësisht dhe ju i dhunoni egërsisht aty në shesh, janë ngritur për disa kërkesa dhe disa probleme që ju si mazhorancë nuk i keni ditur. Por i mësuat tani që i thonë studentët. Jo, ju i keni ditur, i keni konstatuar që në 2013-ën, madje e kishit një nga pikat tuaja të programit që fituat dhe morët zgjedhjet e vitit 2013. Tashmë që studentët janë në shesh dhe janë në mënyrë masive, nuk besoj se ju keni gojë të flisni dhe të thoni që ato janë protesta që i ka nisur Partia Demokratike, i drejton Partia Demokratike e të tjera. Janë studentë të pavarur, janë studentë madje shumicë socialiste që kanë dalë aty. Ju për këta studentë nuk keni asnjë përgjigje për pyetjet dhe kërkesat e tyre? Dhe kërkesa e tyre është e qartë: dorëheqja e kryeministrit Rama. Dorëheqja e menjëhershme e këtij autokrati që ka uzurpuar të gjitha pushtetet në Shqipëri dhe po dhunon studentët.

Çdo natë kemi dhunë ndaj studentëve, çdo natë dhe çdo ditë kemi dhunë të egër ndaj studentëve, kemi arrestime, kemi ndalime të paligjshme, kemi ndjekje të tyre nëpër rrugicat e lagjeve, ndjekje të tyre në shtëpitë e tyre. Dhe ju jeni kaq të qetë. Ju kolege të nderuara, zonja të nderuara, me gjithë respektin unë jua them këtë, jeni nëna, keni bij, bija, keni fëmijë, keni nipër, mbesa, keni të afërm, keni të njohur, që unë jam i sigurt që i keni në protestë. Keni gjë për këta studentë? Keni ndonjë përgjigje për këta studentë përveç kësaj mbledhje, këtij takimi, këtij formaliteti të turpshëm që ju doni të bëni sot? Unë mendoja se kjo mbledhje e sotme do të ishte një mbledhje, do të ishte një takim, kur ne duhet të diskutonim kërkesat e studentëve, shqetësimet e tyre.

Keni gjë për dhunën ndaj studentëve? Për arrestimet e paligjshme? Janë arrestime të paligjshme. I ka nxjerrë gjykata arrestimet dhe ndalimet të paligjshme në 80-90% të tyre. Dhunë e egër policore. Kemi një student, kemi një të ri që i keni nxjerrë syrin, e keni qorruar. Keni shumë studentë të tjerë që sot janë në komisariate. Keni shumë studentë të tjerë që janë rrugëve. Dhe ju vazhdoni me një normalitet që është për të ardhur keq, është për t’u çuditur, është për t’u turpëruar. Nuk arrij ta kuptoj sinqerisht. Unë jam prind si ju. Një djalë e kam student… po po, dhe janë në protestë. Madje më ka dhënë informacion që ka dhe studentë që janë të disa eksponentëve të Partisë Socialiste, dalin në protestë dhe ata. Bij policësh, që përballen me prindërit e tyre në protestë. Policë me skafandra, policë të dhunshëm, patronazhistë.

Ky është shqetësimi madhor që duhet të kishte çdo deputet i këtij parlamenti, çdo komision, i gjithë parlamenti. Kalimi në normalitet që ju doni ta bëni, është për të ardhur keq. Shumë e sinqertë kjo. Kemi patur raste të tjera, zonja e nderuar drejtuese e seancës, zonja Selami, kur Partia Demokratike ka qenë në protesta. Kemi patur probleme, kemi patur përplasje dhe mbase reagimet tona ishin politike, ishin në favor të Partisë Demokratike dhe ju me të drejtën tuaj në thonjëza na i hidhnit poshtë, na i rrëzonit. Sot, në këto fjalë që unë them dhe në çdo fjalë që ka thënë e gjithë opozita, ju nuk bini dakord me ata studentë që dalin dhe protestojnë për të drejtat e tyre? Për kërkesat e tyre?
Pra së pari në këtë këndvështrim, unë mendoj se kjo mbledhje është mbledhje ilegjitime ashtu siç është ilegjitim dhe ai parlament. Nuk ka vend në këtë parlament, nuk ka vend për ne si deputetë të mblidhemi dhe të bëjmë mbledhje të zakonshme, mbledhje në normalitet kur jashtë kemi një anormalitet. Kemi studentë të dhunuar, studentë të përndjekur, studentë të arrestuar, studentë të irrituar. Studentë të rinj dhe të reja dhe qytetarë që janë ngritur në protestë dhe kërkojnë dorëheqjen e këtij kryeministri që është një kryeministër uzurpator, diktator, autokrat. Dhe absolutisht nuk meriton të rrijë asnjë ditë si kryeministër dhe ky parlament nuk meriton të rrijë asnjë ditë më në këmbë, por duhet të kalojë menjëherë në zgjedhje të parakohshme.

Unë ju falënderoj që më dëgjuat me vëmendje, e vlerësoj që, jo siç ndodh shpeshherë, për ta ndërprerë dhe atë fjalë që ne kemi, por nuk mund të rrimë dhe të vazhdojmë bashkë me ju në këtë, do të thoja një lloj maskarallëk mbledhje, kur aty jashtë janë studentët. Dhe ata studentë të jeni të sigurt do të vazhdojnë, nuk kanë për të ndaluar. Partia Demokratike patjetër do të jetë në krah të tyre, në mbështetje të tyre dhe nuk do të tërhiqemi asnjëherë.

Dhe të paktën ju si deputetë, ju zonja të nderuara dhe gjithë kolegët tuaj, duhet të keni parasysh një gjë: deri para disa ditësh edhe mundet të mendonit se do të kalojë kjo, siç tha kryeministri që ‘durim, durim, durim’, tha se do të kalojë. Dhe kjo nuk ka për të kaluar. E ka shembullin te vëllai i tij në Serbi, Vuçiç, i humbi zgjedhjet në mënyrën më të turpshme. Është në kohë kryeministri juaj, miqësisht transmetojani këtë, është më mirë të dorëhiqet dhe të iki, se fundi pastaj nuk është i mirë, nga ata studentë dhe nga të gjithë qytetarët që kanë dalë në rrugë.

 

About Redaksia

Check Also

“REUTERS”: Të rinjtë në Shqipëri janë ngritur kundër Ramës!

Një valë protestash të ashtuquajtura të “Gjeneratës Z” ka përfshirë vendet evropiane, përfshirë Francën, Italinë, …