Prof.Gjok VUKSANI
Unë dëgjova sot me shqetësim Kryeministrin, që u shpreh se do të mbledhë rektorët, që të konsultohet me ta për të ndryshuar Ligjin e Arsimit të Lartë, për përfshirjen e profesorëve në protestën e studentëve.
Së pari, liria akademike nuk është një dhuratë që na jep qeveria, por një arritje e brezave të tërë profesorësh dhe studentësh për të shprehur lirshëm pikëpamjet e tyre, edhe në kundërshtim me politikat e institucionit ku bëjnë pjesë.
Së dyti, profesorët, me eksperiencën e tyre dhe me mendimin e tyre intelektual, japin një kontribut të pazëvendësueshëm në zhvillimin kulturor e ekonomik të vendit. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës kur dëgjojnë çdo ditë zërin e Zeqinjve në Parlament, në qeveri, në ministri, në administratë publike, në banakët e TV-ve proqeveritare.
Prandaj Kryeministri do t’ua mbyllë gojën profesorëve, mendimet e të cilëve janë në kundërshtim me të dhe janë në antitezë me zërin e injorantëve që buçet në çdo anë.
Por gafa më e madhe e Kryeministrit qëndron në faktin se, për t’ua mbyllur gojën profesorëve, ai do t’u marrë dorën drejtuesve të universiteteve.
Drejtuesve të cilët, me arrogancën e tyre dhe me keqqeverisjen e tyre, janë një nga faktorët kryesorë që studentët janë ngritur në protesta të pathyeshme.
Prandaj, thirrja ime për të gjithë profesorët është e qartë: të mbështesim studentët dhe të mbrojmë të drejtën e tyre për të protestuar. Të mos lejojmë që fati i tyre, por as liria jonë akademike, të mbetet në dorën e një Kryeministri të paditur.
Gazeta RD