Nga Blerim VAKAJ
Transferimi i Lali Erit dhe “konspiracionet” rreth transferimit të tij, denoncimi i tij, deklaratat e dykuptimta të personazheve të tjera të Rilindjes, besoj se nuk duhet të hyjnë te çështjet tona të ditës.
Mbeten pjesë e një show politik rilindas. Lufta e tyre brenda llojit është e nivelit estetik. Nuk është një përplasje e vërtetë, e fortë dhe me qëllime të qarta. Sulmi dhe kundërsulmi në kampin e tyre mbeten manovra dashuri-urrejtjeje. Sepse nuk shohim akte të vërteta bashkëpunimi të Veliajt me drejtësinë. Nuk shohim besnikët e tij të dalin hapur kundër autokracisë. Nuk shohim zhvillime apo denoncime të drejtpërdrejta, anonime ose jo, ndaj Ramës, Ballukut apo dikujt tjetër që Rama e ka në dorë.
Duhet të ngulmojmë fort për t’ua bërë të dukshme qytetarëve ligësinë, historinë e vjedhjes, shantazhit dhe aferat korruptive të së shkuarës e të së tashmes.
Duhet të ngulmojmë dhe t’i paralajmërojmë shqiptarët se çfarë do të ndodhë nëse nuk e korrim të gjithë bashkë dhe shumë shpejt, fitoren kundër Rilindjes.
Shqiptarët duhet t’i zgjojmë nga gjumi me aktet tona të drejtpërdrejta ose të tërthorta.
Me shqiptarët duhet të vendosim ura komunikimi dhe të gjejmë në mesin e tyre dhe të protestuesve idealistët, prijësit e mendimit, zërat publikë, ujqërit e vetmuar atdhetarë, klerikët e lirë dhe të pashantazhuar, punonjësit dinjitozë në administratën publike, por edhe në sektorin privat, si dhe bizneset e ndershme me prirje atdhetare.
Opozita kryesore në vend duhet t’i mbledhë të gjitha forcat dhe organet e veta, të ndajë detyra e përgjegjësi dhe t’u kërkojë rezultate atyre që marrin përsipër drejtimin e një veprimtarie apo të një grupi të caktuar.
Opozita shqiptare duhet ta njohë kontributin e sinqertë të çdo grupi apo zëri që ka ushqyer dhe po ushqen lirisht, pa prapaskena, protestat dhe revoltat në shesh apo në rrjetet sociale.
Opozita shqiptare duhet të japë garanci të forta se bizneset nuk do të përballen me të njëjtat pasoja si më parë, kur u është dashur të bëjnë kompromise me pushtetin për shkak të presionit apo gjobëvënies nga pushteti dhe mafia.
Opozita duhet të japë garanci të forta se nuk do të ruajë as do të ushqejë platforma dhe sisteme patronazhiste të ndjekjes së votave apo të manipulimit të zgjedhjes së votuesit me metoda të mitmarrjes, presionit apo ankandeve. Sigurisht, nuk dua të nënkuptoj që ne të mos i njohim votuesit dhe elektoratin tonë, të mos i gradojmë ata që mbrojnë doktrinën, që e përcjellin atë, apo njerëzit besnikë dhe të devotshëm në punët e mira.
Por kurrsesi nuk duhet të lejohet të krijohet ideja se, me Partinë Demokratike në pushtet, shteti do të bjerë në duart e një tregu palaçosh, ku vlerësohet devotshmëria e manipuluesve të votës dhe e dilerëve të parave të korrupsionit.
Opozita, në këto kushte ku jemi sot, kur gjithçka shihet më shumë si një luftë estetike e brendshme brenda Rilindjes, duhet të gjejë urat e bashkimit me deputetë dhe zëra të veçantë brenda kampit të tyre, të cilët nuk shantazhohen, nuk kanë qenë pjesëmarrës në aferat me nam të qeverisë dhe kanë familje të ndershme e reputacion të mirë në qytetet e tyre dhe në vend.
Opozita duhet t’i bëjë këto lëvizje drejtpërdrejt, ndershmërisht dhe sinqerisht me njerëz që kanë elektorat gri ose edhe të majtë, si dhe ta bazojë luftën e vet opozitare mbi marrëveshje të shkruara dhe të pashkruara me njerëz si Marjana Koçeku e të tjerë, të cilët e ndiejnë peshën e rëndë të moralit të poshtër të atyre që kanë përdorur çdo mjet për ta shkrirë PS-në në shtet dhe shtetin në PS.
Përpara të gjithë bashkë!
Gazeta RD