Nga Agim L.BAJRAMI
Shkrimtarja e njohur vlonjate Vilhelme Vranari Haxhiraj, sot kishte gjashtë mujorin e ndarjes nga jeta. Për ta kujtuar atë, Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, sëbashku me shume kolege tanë të letrave dhe stafin mësues -nxenes të shkollës “14 nëntori” organizuan një takim homazh me veprën e saj të plotë, romane esse, poezi dhe publicistikë të zgjedhur. Është një korpus veprash, që përmbledh një pjesë të mirë të jetës së saj krijuese, më të cilën kjo autorë ka zgjuar vazhdimisht interesin e kritikës dhe studiuesve tanë.
Si gjithmonë ideatore dhe moderatore e këtyre aktiviteve, ishte poetesha dhe drejtoresha e kësaj shkollë znj. Merita Thartori. Në fjalën e saj znj Thartori evidentoi disa prej veçorive të kësaj vepre, siç janë pasqyrimi i jetës së gruas intelektuale në diktaturë dhe roli i saj anticonformist, në shoqëritë e shtypura dhe të mbyllura.
Mësues dhe nxënës të shumtë lexuan fragmente nga krijimtaria e saj, ndërsa poetët dhe shkrimtarët Shpendi Topollaj, Vladimir Muça, Agim Bajrami etj u morën me analiza për vepra të veçanta të saj Studiuesi Kadri Tarelli nënvizoi faktin se duke qenë nga një familje të persekutuarish nga Kanina, shkrimtarja u përball që në fëmijërinë e saj me luftën e egër të klasave dhe mohimin e të drejtave më themelore të jetesës ,por pa u perulur asnjëherë.
Edhe pse në kushte shumë të vështira, ajo nuk hoqi dorë nga dashuria e saj e madhe letërsia dhe demaskimi nëpërmjet i regjimit të egër diktatorial. Ështe fakt që edhe pse shumicën e krijimtarisë së saj autorja e shkroi në situata dhe momente shumë të veshtira, niveli i tyre artistik mbetet për tu admiruar.
Letërsia e Vilhemes ishte një letërsi qëndrese dhe dinjiteti, tha bashkëshorti i saj Fitim Haxhiraj, i cili solli para auditorit shumë çaste dhe ngjarje nga jeta e saj krijuese dhe marrëdhëniet bashkëshortore me shkrimtaren. Në përfundim nje buqetë me zambakë të bardhë, ishte dhurata më e bukur që nxënësit dhe mësuesit e shkollës 14 nentori, i bënë kujtimit të paharruar të shkrimtares së ndjerë.







Gazeta RD