Kedhi, në Kuvendin e Bashkimit të Forumit Shqiptar në Tuz

Nikol KEDHI
Pata kënaqësinë dhe nderin që, bashkë me kryetarin e PD Shkodër, Ardit Çylybyli, të përfaqësonim Partinë Demokratike dhe kryetarin Sali Berisha në Kuvendin e Bashkimit të Forumit Shqiptar në Tuz, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Përcollëm përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta të zotit Berisha për shqiptarët e Malësisë dhe mbështetjen e plotë për ta.
Ishte emocion i veçantë të ishim mes patriotëve të Malësisë, që na mikpritën vëllazërisht dhe, me bashkimin në një parti të vetme, dhanë një mesazh të fuqishëm që interesi i përbashkët kombëtar qëndron mbi dallimet dhe ambiciet personale.
Siç e thashe dhe në fjalën time, në tokën e Dedë Gjo Lulit, ku më 1911 u ngrit flamuri në Deçiq, ky bashkim merr kuptim të veçantë. Nga Deçiqi te Vlora e Pavarësisë, historia na ka mësuar se kur shqiptarët bëhen bashkë, janë më të fortë për të mbrojtur identitetin, lirinë dhe të ardhmen e tyre.
Forumi Shqiptar shënon një hap të rëndësishëm, historik, për fuqizimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Një faktor shqiptar i fortë do të thotë një Mal i Zi më demokratik e më i qëndrueshëm e më pranë BE-së. Shqiptarët kanë qenë e mbeten faktor stabiliteti në Ballkan, të përkushtuar ndaj paqes, bashkëpunimit dhe orientimit euroatlantik.
Mbi ne në tokën amë, bie përgjegjësia historike sot për të shpëtuar vendin e për të rindërtuar një Shqipëri të fortë, demokratike dhe të zhvilluar, që të jetë mbështetje e sigurt për shqiptarët dhe forcimin e faktorit shqiptar në mbarë rajonin.
Kënaqësi e veçantë të bisedonim me z. Gjeloshaj, ministrin Marash Dukaj, nënkryetarin e Kuvendit Nikollë Camaj, kryetarin e Tuzit Lindon Gjelaj, ministra të qeverisë, z. Edon Balidemaj, zv.kryetar i Komunes se Gucise, mikun tim Albert Bikaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit e anëtar kryesie i sapozgjedhur, dhe shumë miq të nderuar.
Përgëzime Forumit Shqiptar për këtë bashkim historik! Urime zotit Gjeloshaj per zgjedhjen si kryetar i parë i Forumit! Te Partia Demokratike e Shqipërisë, shqiptarët e Malit të Zi do të gjejnë përherë një derë të hapur dhe një shtëpi të dytë.

About Krye Redaktor

Check Also

Mesazhet e sanitares që gjeti ‘thesarin’ me euro ne vilën e Ballukut në Dhërmi

Nga Elton Qyno  Një kuti e zezë e mbushur me tufa me euro të prerjes …