Nënkryetari i PD, Nikola Kedhi ka mbajtur një fjalë në emër të Partisë Demokratike në Kuvendin e Bashkimit të Forumit Shqiptar në Tuz, ku ka vënë theksin te rëndësia e bashkimit kombëtar, ruajtja e identitetit shqiptar dhe angazhimi për demokracinë e të ardhmen europiane të rajonit.
Në fjalën etij, Kedhi u shpreh se shqiptarët kanë ditur të ruajnë gjuhën, traditat dhe dinjitetin përballë sfidave historike, ndërsa theksoi se sfida e sotme është krijimi i kushteve që brezat e rinj të mos detyrohen të largohen nga vendlindja për të siguruar një jetë dinjitoze.
Postimi
Fjala ime, ne emër të Partisë Demokratike në Kuvendin e Bashkimit te Forumit Shqiptar në Tuz.
Bashkimi ka qenë një nga mësimet më të mëdha të historisë sonë.
Ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë do të thotë të përballesh me vështirësi, të ruash identitetin, gjuhën, traditat dhe dinjitetin përballë sfidave të historisë. Kemi përjetuar ndarje dhe padrejtësi, por kemi ditur të ruajmë atë që na bën një komb. Sa herë kemi vendosur interesin e përbashkët mbi dallimet tona, kemi gjetur forcën për të ecur përpara.
Nga ky kuvend në Tuz, le të dalë një mesazh i qartë, që të dëgjohet në Podgoricë, në Tiranë, në Prishtinë dhe në çdo kryeqytet europian: shqiptarët janë të përkushtuar ndaj identitetit të tyre kombëtar, ndaj demokracisë, ndaj paqes dhe ndaj së ardhmes europiane të rajonit.
Sfida më e madhe që kemi sot nuk është vetëm të ruajmë atë që na lanë të parët. Është të krijojmë kushtet që brezat e ardhshëm të mos detyrohen të largohen nga vendlindja për të pasur një jetë dinjitoze.
Historia na ka ngarkuar të ruajmë identitetin tonë. E ardhmja na ngarkon t’i japim atij identiteti mundësi për të lulëzuar.
Gazeta RD