Neomarksizmi që premton revolucion, por e nis betejën duke luftuar opozitën
Nga Felix BILANI
Në vitin 1944, komunistët erdhën në pushtet me premtimin për të ndërtuar një Shqipëri të re. Në vitin 1947, regjimi i Enver Hoxhës botoi revistën propagandistike me të njëjtin emër: Shqipëria e Re.
Shqiptarëve iu premtua parajsa socialiste dhe iu ndërtua një burg prej 28 mijë kilometrash katrorë.
Sot, tetë dekada më vonë, një tjetër revolucionar u premton shqiptarëve një “Shqipëri të re”.
Quhet Arlind Qori.
Nuk ka uniformën e komisarit politik të vitit 1944. Ka gjuhën e një pedagogu, fjalorin e një ideologu të së majtës radikale dhe ambicien e një politikani që kërkon të shpallë të pavlefshëm gjithë opozitarizmin ekzistues.
Por Shqipëria nuk ka nevojë të presë një tjetër eksperiment revolucionar për të kuptuar se çfarë rreziku mbart mendësia që pretendon monopolin e së vërtetës.
Historia jonë e ka paguar njëherë faturën e atyre që erdhën për të shpëtuar popullin nga vetvetja.
Prej katër muajsh ndjek, fotografoj dhe filmoj protestat në Tiranë. Nuk po flas për një fenomen që e kam zbuluar dje nga televizori. Po flas për zhvillime që i kam ndjekur në terren, për thirrje që përsëriten dhe për një konflikt politik që, në gjykimin tim, po merr një drejtim gjithnjë e më shqetësues.
Nga protesta kundër pushtetit po kalohet te lufta për eliminimin politik të opozitës tradicionale.
Dhe në qendër të këtij projekti qëndron Arlind Qori, grupet e te cilit ulerijne fjalen rrevolucion dhe ky rrevolucion kundër kujt, zoti Qori?
Më 26 shtator 2025, Qori deklaronte se në Shqipëri nuk kishte opozitë të mirëfilltë dhe se Lëvizja Bashkë ishte opozita e vërtetë.
Pra, përpara se të ndërtonte një alternativë të aftë të zëvendësonte pushtetin, ai shpalli politikisht të pavlefshme opozitën ekzistuese.
Në qershor 2026, Qori e quante protestën revolucion të shekullit XXI dhe shpjegonte projektin e tij për një Shqipëri të re.
Më 31 tetor, në Tiranë, protestuesit kundërshtuan praninë e deputetëve demokratë, ndërsa në shesh dëgjohej thirrja:
“Opozita jemi ne!”
Dhe Ja ku kemi mbërritur.
Një lëvizje që deklaron se kërkon rrëzimin e Edi Ramës e shndërron protestën edhe në një betejë për delegjitimimin e kundërshtarëve të tjerë të Ramës.
Çfarë revolucioni është ky?
Një revolucion që e ka të vështirë të durojë praninë e opozitës në një shesh publik?
Një revolucion ku kundërshtari i pushtetit duhet fillimisht të marrë miratimin moral të Arlind Qorit për t’u konsideruar opozitar?
Një revolucion ku Partia Demokratike duhet të zhduket politikisht përpara se të largohet Edi Rama?
Kjo nuk është përmbysje e pushtetit. Është luftë për pronësinë e opozitarizmit.
Dhe këtu lind pyetja që Qori duhet ta përballojë politikisht: nëse qëllimi yt është largimi i Ramës, përse një pjesë kaq e rëndësishme e konfliktit tënd zhvillohet kundër opozitës?
Cui prodest? Përfituesi quhet Edi Rama
Nuk më duhen procesverbalet e ndonjë takimi të fshehtë për të analizuar pasojat politike të një veprimi publik.
Më mjafton të shoh kush dobësohet dhe kush përfiton.
Nëse opozita tradicionale humbet aftësinë për të sfiduar pushtetin, ndërsa forcat e tjera opozitare nuk krijojnë një alternativë elektorale me fuqi të krahasueshme, Edi Ramës i lehtësohet qëndrimi në pushtet.
Kjo është logjika politike.
Dhe në këtë kuptim, unë e konsideroj Arlind Qorin një ndihmës objektiv të interesit politik të Ramës, pavarësisht retorikës së tij kundër kryeministrit.
Sepse shërbimi politik nuk matet vetëm me marrëveshjet që mund të ekzistojnë mes aktorëve. Matet edhe me rezultatin që prodhon një strategji.
Qori mund ta mallkojë Ramën nga mëngjesi deri në darkë.
Mund të organizojë njëqind protesta dhe të shpallë njëqind revolucione.
Por nëse rezultati i strategjisë së tij është dobësimi i forcës kryesore që konkurron Ramën për pushtetin, atëherë ai duhet t’i përgjigjet pyetjes më të thjeshtë:
Kujt po i shërben politikisht kjo luftë?
Divide et impera.
Përça dhe sundo.
Nuk është e nevojshme që Rama ta ketë shpikur përçarjen e opozitës. Mjafton që ajo t’i shërbejë.
Një opozitë që lufton veten është një opozitë që ia kursen pushtetit një pjesë të betejës.
Ky është paradoksi i Arlind Qorit: një revolucionar që pretendon se do të rrëzojë sistemin, por që mund të përfundojë duke i zgjatur jetën politike njeriut që e drejton atë.
Dhe ketu vijme tek neokomunizmi dhe sindroma e opozitës së vetme.
Në Shqipëri, fjala komunizëm nuk është thjesht një nocion akademik.
Është histori burgjesh, pushkatimesh, internimesh, konfiskimesh dhe përndjekjesh.
Por mbi të gjitha është historia e shkatërrimit të pluralizmit.
Komunistët nuk u mjaftuan duke shpallur se ishin një alternativë politike. Ata pretenduan se ishin përfaqësuesit e vetëm legjitimë të popullit.
Kundërshtari u kthye në armik.
Dhe kundërshtimi politik u kthye në faj.
Sot nuk po barazoj një parti parlamentare me diktaturën e Enver Hoxhës. Po identifikoj një rrezik ideologjik, mentalitetin sipas të cilit vetëm një forcë politike ka autoritetin të flasë në emër të popullit.
Kur dëgjoj “Opozita jemi ne”, ndërsa deputetët e një partie tjetër kundërshtohen në shesh, shoh një pyetje serioze për demokracinë e brendshme të këtij projekti.
A është Arlind Qori kundër monopolit të pushtetit, apo kundër faktit që atë monopol nuk e ka ai?
Kjo është pyetja që duhet t’i bëhet një politikani që e shpall lëvizjen e vet opozitën e vetme të vërtetë.
Sepse autoritarizmi nuk fillon domosdoshmërisht me burgjet.
Ai mund të fillojë me bindjen se vetëm ti përfaqëson popullin, vetëm ti ke të drejtë dhe gjithë të tjerët janë politikisht të pavlefshëm.
Kjo mendësi është e rrezikshme, pavarësisht nëse vishet me të kuqe, blu apo me flamurin e një lëvizjeje të re, dhe me ulerimen “shqipëri e re” një parullë me kujtesë të përgjakur.
Arlind Qori nuk mund t’i kërkojë një shoqërie që ka përjetuar diktaturën komuniste të dëgjojë pa asnjë shqetësim fjalorin revolucionar.
“Shqipëri e re”.
“Revolucion”.
“Përmbysje e sistemit”.
“Populli”.
“Klasa punëtore”.
Fjalë të mëdha, premtime të mëdha.
Edhe Enver Hoxha premtonte çlirimin e popullit nga shfrytëzimi.
Edhe regjimi i tij pretendonte se qeveriste në emër të punëtorëve dhe fshatarëve.
Por historia nuk e gjykoi nga fjalët. E gjykoi nga veprat.
Prandaj, përpara se shqiptarëve t’u shitet një tjetër revolucion, duhet të dimë çfarë qëndrimi kanë revolucionarët e rinj ndaj pronës private, pluralizmit, kundërshtarit politik, lirisë së medias dhe konkurrencës demokratike.
Dhe prova nuk fillon ditën kur merr pushtetin.
Fillon sot, në shesh. Në mënyrën si sillet me kundërshtarin.
Një projekt që premton demokraci më të gjerë, por nuk arrin të krijojë bashkëjetesë politike me opozitarë të tjerë, ka një problem të rëndë besueshmërie.
Mos më tregoni se sa e bukur do të jetë Shqipëria e re. Më tregoni sa i lirë do të jetë shqiptari që nuk e dëshiron Shqipërinë tuaj të re.
Këtu ndahet demokrati nga dogmatiku. Sepse nje grabites fondesh si Soros financon mikiona per eksperimentet e veta me popujt.
Soros dhe internacionalizmi i neomarksizmit shqiptar
Një tjetër debat që kërkon përgjigje është ai i financimeve dhe lidhjeve ndërkombëtare.
Për Arlind Qorin janë ngritur publikisht pretendime lidhur me rrjetet e George Sorosit. Qori i ka mohuar ato.
Ndërkohë, lidhja organizative e Lëvizjes Bashkë me Internacionalen Progresiste është një çështje publike, që meriton analizë politike më vete.
Unë nuk e konsideroj përkatësinë në një rrjet ndërkombëtar provë faji. Por nuk pranoj as që një forcë që kërkon transparencë nga të gjithë të tjerët të përjashtohet nga pyetjet mbi marrëdhëniet dhe mbështetjen e saj politike.
Kush financon aktivitetet? Cilat organizata bashkëpunojnë? Çfarë mbështetjeje jepet? Ku shkojnë fondet?
Quis custodiet ipsos custodes?
Kush i kontrollon ata që duan të kontrollojnë të tjerët?
Nëse Qori pretendon se lufton oligarkinë, transparenca duhet të fillojë nga organizata që drejton.
Nëse pretendon se sfidon establishmentin, duhet të jetë i gatshëm të shqyrtohet edhe vetë.
Dhe nëse pretendon se përfaqëson një moral politik të ri, nuk mund të kërkojë imunitet ndaj kritikës së gazetarisë.
Një revolucion që i bën dhuratë kohën Ramës
Le ta zhveshim gjithë këtë histori nga retorika revolucionare.
Edi Rama është në pushtet.
Partia Demokratike është forca kryesore e opozitës tradicionale.
Arlind Qori kërkon të ndërtojë një alternativë të re politike, duke i konsideruar si Ramën, ashtu edhe Berishën pjesë të establishmentit që duhet zëvendësuar.
Por këtu kemi një kontradiktë që nuk zhduket me teori marksiste.
Rama dhe Berisha nuk kanë sot të njëjtin rol politik.
Njëri drejton qeverinë.
Tjetri drejton një forcë që kërkon ta largojë atë nga pushteti.
T’i barazosh pandërprerë në çdo kontekst do të thotë të mjegullosh dallimin mes përgjegjësisë së qeverisë dhe konkurrencës opozitare.
Dhe kur kjo shoqërohet me përplasje në protesta, rezultatet bëhen edhe më shqetësuese.
Në vend të një sheshi ku diskutohet përgjegjësia e pushtetit, krijohet një shesh ku opozitarët debatojnë se kush duhet të largohet i pari.
Në vend të presionit ndaj qeverisë, vëmendja zhvendoset te përplasjet mes kundërshtarëve të saj.
Dhe ndërsa Qori kërkon të fitojë betejën për titullin e opozitës së vërtetë, Rama ruan avantazhin e të qenit në pushtet.
Ky është problemi politik që unë denoncoj.
Nuk është e nevojshme të dihet çfarë thuhet në dhoma të mbyllura për të analizuar çfarë ndodh në sheshet publike.
Dhe unë kam katër muaj që i ndjek këto sheshe me aparat fotografik dhe kamerë në dorë.
Nuk kam ndërmend ta trajtoj si rastësi politike çdo përplasje të përsëritur vetëm sepse protagonistët e saj flasin në emër të revolucionit, sepse shqipëria nuk ka nevojë për një
Enver të ri, as për komisarë të rinj,
shqipëria ka nevojë për ndryshim politik, për institucione të përgjegjshme dhe për garë demokratike.
Pra ajo nuk ka nevojë për një tjetër lëvizje që e shpall veten pronare të së vërtetës.
Nuk ka nevojë për një profesor që, pasi e shpall opozitën të pavlefshme, kërkon t’u shpjegojë shqiptarëve se vetëm projekti i tij përfaqëson të ardhmen.
Nuk ka nevojë për një revolucion ku kundërshtari politik trajtohet si pengesë për t’u përzënë.
Dhe mbi të gjitha nuk ka nevojë për një konflikt të ri ideologjik që e lë pushtetin ekzistues të përfitojë nga përçarja.
Arlind Qori ka të drejtë të jetë marksist, socialist apo çfarëdo tjetër që dëshiron, por nuk ka të drejtë ekskluzive mbi opozitarizmin shqiptar, Qorri nuk mund të fshijë me një deklaratë historinë e Partisë Demokratike.
Nuk mund të shpallë të pavlefshëm Sali Berishën dhe elektoratin e tij vetëm sepse ata nuk përshtaten me projektin e vet politik.
Dhe nuk mund të presë që gazetaria ta trajtojë si shpëtimtar, kur vetë veprimtaria e tij ngre kaq shumë pikëpyetje për përçarjen opozitare.
Res, non verba.
Vepra, jo fjalë.
Më intereson pak se sa revolucionare tingëllojnë fjalimet e Qorit.
Më intereson rezultati politik.
Dhe rezultati që unë shoh është një opozitë që harxhon energji duke luftuar opozitën, ndërsa Edi Rama mbetet në pushtet.
Ky është shërbimi politik që, sipas analizës sime, neomarksizmi i Arlind Qorit po i bën Edi Ramës.
Një shërbim që mund të kryhet edhe pa një marrëveshje të shkruar, sepse në politikë përfituesi nuk përcaktohet vetëm nga qëllimet, por edhe nga pasojat.
Prandaj, përpara se Qori t’u premtojë shqiptarëve një tjetër Shqipëri të re, duhet t’i përgjigjet pyetjes që i qëndron përballë gjithë projektit të tij:
Nëse synon të rrëzosh Ramën, përse një pjesë kaq e madhe e revolucionit tënd është kthyer në luftë kundër opozitës?
Dhe nëse përgjigjja është se opozita duhet zëvendësuar me çdo kusht, atëherë le të thuhet hapur se projekti nuk është vetëm për ndryshimin e qeverisë, por edhe për marrjen e drejtimit të opozitarizmit.
Në atë rast, shqiptarët kanë të drejtë ta gjykojnë sipas rezultateve të tij.
Sepse në vitin 1944 shqiptarëve iu premtua një Shqipëri e re.
E pamë çfarë ndodhi.
Në vitin 2026, shqiptarëve nuk u duhet një tjetër premtim revolucionar. U duhet liria për të zgjedhur dhe për të kundërshtuar këdo, përfshirë edhe Arlind Qorin.
Dhe për sa kohë lufta e tij kundër opozitës prodhon avantazh për qeverinë, pyetja mbetet:
Cui prodest?
Kujt i shërben revolucioni i Arlind Qorit, nëse nga beteja e tij kundër opozitës përfiton Edi Rama?
Gazeta RD