Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar se qëndrimi i opozitës për çështjen e Erion Veliajt nuk lidhet me mbrojtjen e kryebashkiakut, por me respektimin e ligjit dhe parimeve të drejtësisë.
Megjithatë, sipas tij, përplasja e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe Veliajt, veçanërisht mesazhi i përcjellë përmes ministrit të Drejtësisë, shkon përtej një konflikti të brendshëm politik. Boçi e cilësoi situatën si një kërcënim për jetën.
“Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur z. Veliaj. PD është shumë e qartë në akuzat e saj. Është një njeri që ka mbi supe afera korruptive dhe patjetër që duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe drejtësisë. Por në rastin konkret nuk po flasim për forcë ligji e drejtësie, por për kapërcim dhe dhunim të drejtësisë në një formë krejt absurde.
Kjo ka të bëjë me kërcënim për jetën dhe duhet të tregojmë një lloj ndjeshmërie. Nëse është i korruptuar, vitet e burgut ia përcakton ligji. Nuk është ministri i Drejtësisë që i thotë ‘do dënohesh dhe do kalbesh në burg’. PD është në mbrojtje të parimeve, ligjeve dhe pse jo, të moralit”, u shpreh Boçi.
Gazeta RD