Nga Iva V.GRILLO
Sot më doli përpara një pjesë debati televiziv midis dy përfaqësuesve të disa partive të reja.
Më bëri sidomos përshtypje pozicionimi i zotërisë më poshtë që është edhe deputet i Lëvizjes Bashkë.
Ishte kategorikisht kundër Qeverisë teknike, pavarësisht se qytetarët protestues e kanë këtë një nga kërkesat kryesore pas largimit të Ramës, kërkesa që janë artikuluar në mënyrë formale me deklaratë nga protestuesit por edhe në mënyrë spontane me thirrje të përditshme, parulla, etj.
Tani natyrshëm lindin disa pikëpyetje për deputetin që është i gatshëm të refuzojë qeverinë teknike dhe mesa kuptoj edhe largimin e Ramës nga frika se mos bëhen ministra qeverie teknike disa njerëz të PD-së…
:
Nëse zotëria (apo shoku) është kundër një qeverie teknike, i bie që ose dëshiron të vazhdojë gjendja aktuale tërhiq e mos e këput, ku Rama qëndron në pushtet, protesta vazhdojnë, gjuha populiste e “pikës zero” të opozitarizmit gëlon por asgjë nuk ndodh… Ose pret po nga Rama të caktojë një datë zgjedhjesh të parakohshme që i organizon ingranazhi elektoral i Ramës…
Ky opsioni i dyte mesa duket lidhet me pritshmëritë se narrativat populiste e përçarëse “të vitit zero ” të hedhura në publik sidomos në muajt e fundit të kanalizojnë disa vota më shumë në drejtim të forcës së vet politike, por sigurisht pa mundësi reale rrëzimin e Ramës.
Në të dyja rastet duket qartë se nuk ekziston asnjë lloj ngutjeje apo urgjence për largimin e Kryeministrit Rama. Ngutja apo urgjenca duket se lidhet më shumë për të evituar përfitimet potenciale/të imagjinuara që mund të kenë partitë e tjera opozitare të cilat mesa duket i sheh dhe trajton si rivalet e vet numër 1… më pas vjen Regjimi Rama si rivali numer 2 (ose 3, 4)
…
Tani, sigurisht që çdo forcë politike bën llogaritë e veta, në rastin konkret mesa duket edhe në kurriz të sakrificës së të tjerëve (pjesës më të madhe të protestuesve).
Por, duke qënë se aktivistë të forcës politike të deputetit që nuk e do qeverinë teknike kanë qenë jo rrallë folës/ligjërues në mikrofonin e protestës, do të ishte mirë që tani të shprehen formalisht e publikisht: a janë në protestë si mbështetës të kërkesës legjitime të saj për largimin e Ramës dhe qeveri teknike apo jo?
Dhe nëse nuk i mbështesin protestuesit në dy nga pesë kërkesat e tyre kryesore, atëherë cili është qëllimi i ardhjes vërdallë nëpër protestë?!
Gazeta RD
