Tension në Komision/ Tabaku: Pa diskutuar dhunën ndaj protestuesve, nuk vijojmë me buxhetin 2027

Debatet për dhunën e ushtruar gjatë protestave të fundit kanë shoqëruar mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, këtë të mërkurë.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, kërkoi që përpara diskutimit të projektbuxhetit 2027 të trajtoheshin çështjet që lidhen me dhunën ndaj protestuesve, ndërsa deputetët e mazhorancës kërkuan vijimin e punës me rendin e ditës.

Në nisje të diskutimeve, Tabaku ngriti shqetësimin për mungesën e përfaqësuesve të qeverisë në komision, duke përmendur Gogun dhe Ministrin e Brendshëm, të cilin tha se e kishte kërkuar për të raportuar.

“Ky komision nuk mund të funksionojë jashtë realitetit. Gogu sot nuk është paraqitur në Komision. Kam kërkuar edhe Ministrin e Brendshëm dhe nuk ka ardhur. Kemi pasur dhunë ndaj qytetarëve, por edhe gazetarëve. Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kisha shpresuar që ta shihnim protestën si kambanë alarmi”, deklaroi Jorida Tabaku.

Tabaku këmbënguli se përpara shqyrtimit të projektbuxhetit duhej të diskutoheshin çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe dhunën gjatë protestave. Ajo deklaroi se nuk do të merrte pjesë në diskutimet e tjera nëse këto shqetësime nuk trajtoheshin.

“Para se të diskutojmë buxhetin, duhet të diskutojmë për këto të drejta të njeriut. Ju nuk flisni për dhunën e ushtruar nga shteti dhe më kërkoni llogari për veprimet e PD. Nuk ndodhemi këtu prej PD. Përderisa nuk diskutohen këto çështje, nuk marr pjesë në diskutime të tjera”, deklaroi kryetarja e komisionit.

Në rendin e ditës së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ishin parashikuar miratimi i projekt-kalendarit të Buxhetit 2027, shqyrtimi dhe miratimi në parim i projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027”, me relatore Etleva Budinin, si dhe zhvillimi i një seance dëgjimore me Ministrinë e Drejtësisë.

About Redaksia

Check Also

Prestigjiozja “Politico”/ Tre diplomatë të NATO-s paralajmëruan Ramën

Pretendimet e kryeministrit Edi Rama se protestat kundër qeverisë në Shqipëri nxiten nga Rusia dhe …