KQZ e miraton/ Referendum nëse duhet lejuar ose jo kulla në Parkun Rinia në Tiranë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën për zhvillimin e një referendumi vendor për mbrojtjen e Parkut Rinia në Tiranë, duke i hapur rrugë nismës së aktivistëve dhe qytetarëve kundër ndërtimit të një kulle në këtë hapësirë të gjelbër në zemër të kryeqytetit.
Nisma synon t’u japë qytetarëve të Tiranës mundësinë të shprehen drejtpërdrejt përmes votës nëse janë dakord me projektin e ndërtimit, i cili është kundërshtuar për ndikimin që pritet të ketë në trafikun, cilësinë e ajrit dhe hapësirat e gjelbra të qytetit.
Kërkesa për referendum është depozituar në KQZ më 5 tetor 2026 nga një komitet nismëtar, ku bëjnë pjesë Dorial Teliti, Adriana Kalaja, Jamarbër Malltezi, Erges Eskiu, Xhulda Xheka, Agron Kuliçaj dhe aktivistë e qytetarë të tjerë.
Pyetja që propozohet t’u shtrohet qytetarëve është: “A jeni dakord që të ndërtohet një kullë tek Parku Rinia?” Sipas kërkesës, alternativa “JO” do të konsiderohet fituese nëse merr numrin më të madh të votave, ndërsa nisma synon të ndalë një tjetër projekt ndërtimi që kërcënon hapësirat e gjelbra të Tiranës.
Kujtojmë se më 1 tetor, kryeministri Edi Rama prezantoi projektin fitues të konkursit ndërkombëtar për transformimin e kompleksit “Tajvani” në Parkun Rinia, duke bërë të ditur se studioja daneze Bjarke Ingels Group (BIG) ishte përzgjedhur për projektin “Tirana Fountain Plaza”.
Projekti parashikon ndërtimin e një kulle rreth 78 metra të lartë, me apartamente, zyra dhe ambiente hotelerie, si dhe parkim nëntokësor. Rama e prezantoi ndërhyrjen si një tjetër etapë të vizionit të tij për Tiranën e vitit 2030, duke pretenduar se ndërtimi do të realizohet brenda perimetrit të pronës private dhe se do të shtojë hapësirat e gjelbra dhe elementët e ujit në park.

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha: Sot keni sjellë në parlament propozime antidemokratike, ju nuk mund të kufizoni të drejtën e protestës së qytetarëve!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi në parlament aktet që, sipas tij, cenojnë të …