Bardhi: Progres raporti më i zi për Shqipërinë! Korrupsion, kapje e shtetit dhe shkelje të Kushtetutës!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026, duke e cilësuar atë si raportin më negativ në të gjitha vitet e vlerësimit të vendit.

Bardhi ka renditur dhjetë problematika që, sipas tij, evidentohen në dokumentin e Komisionit Europian, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje, korrupsion, kapje të institucioneve dhe cenim të standardeve demokratike.

Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, një nga shqetësimet kryesore që ngrihet në raport lidhet me funksionimin e Parlamentit dhe respektimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.

Bardhi shkruan se Komisioni Europian evidenton mosfunksionimin demokratik të Kuvendit, si dhe moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Reagimi i Bardhit

Raporti i Komisionit Europian 2026 për Shqipërinë, në mënyrë të përmbledhur:
1. Evidenton mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.
2. Evidenton se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.
3. Evidenton shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
4. Evidenton moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
5. Evidenton nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, që është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
6. Evidenton se reforma territoriale dhe administrative në zhvillim, e shoqëruar me një tendencë drejt ricentralizimit, ka krijuar pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
7. Evidenton kapjen e shtetit nga partia në pushtet, përmes politizimit të të gjitha emërimeve në institucioneve e pavarura kushtetuese dhe ligjore.
8. Evidenton se Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës qeverisëse, duke thyer traditën e konsoliduar të konsensusit ndërpartiak.
9. Evidenton që Qeveria ka ndërmarrë nisma ligjore që nuk përputhen me acquis-in e BE-së dhe standardet europiane, përfshirë miratimin e një ndryshimi në ligjin për portet turistike.
10. Evidenton nevojën për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Të gjitha këto janë arsye për të cilat studentët, të rinjtë, qytetarët shqiptarë, protestojnë prej ditësh e muajsh tashme. Këto problematika nuk i zgjidh dot Edi Rama, që është shkaku i tyre. Prandaj zëri i të rinjve duhet të dëgjohet. Shqipëria ka nevojë për largimin e Edi Ramën, ka nevojë për një qeveri kujdestare që përgatit vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE.

About Redaksia

Check Also

Kur “provat” do të dalin dhe “flasin” një ditë, se ato ndodhen dhe “atje”…

Nga Adriana KALAJA Sipas informacioneve të sigurta, takimi i Ambasadorit të SHBA me Drejtuesin e …