Anëtari i Kryesisë së PD, Ilir Alimehmeti ka komentuar progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se rrugëtimi drejt Bashkimit Europian dhe realiteti që përjetojnë qytetarët janë dy gjëra të ndryshme.
Megjithatë, sipas tij, Shqipëria po ecën më ngadalë nga sa duhet, ndërsa shqiptarët e kanë bërë tashmë zgjedhjen europiane, shpesh duke u larguar nga vendi.
Duke iu referuar funksionimit të tregut dhe konkurrencës, Alimehmeti ngriti pikëpyetje mbi mundësinë që kompanitë të konkurrojnë realisht në tenderat publikë, ndërsa përmendi edhe shqetësimet e ngritura nga institucionet europiane për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investitorët strategjikë.
“95% e shqiptarëve duan integrimin në BE. Të gjitha forcat politike duhet të punojnë drejt arritjes së këtij integrimi. Jam rritur me këtë konceptin ‘drejt Europës’, por nuk e pamë kurrë.
Të erdhi një votim nga Parlamenti Europian, ku u tha: duhet moratorium për zonat e mbrojtura. Të erdhi një vërejtje për ligjin për investitorin strategjik. Rrugëtimi dhe ajo që shohim janë dy gjëra të ndryshme. Po shohim një rrugëtim të shqiptarëve, që ikin dhe emigrojnë.
Bëhen europianë përmes Rinasit. Kur do të jetë Shqipëria një vend europian? Për drejtësinë nuk di çfarë të them, se kemi kapur ish-kreun e SHISH-it. Realiteti shqiptar, nga dalja e progres-raportit këto ditë dhe atij që doli para një viti, është: ikja e shqiptarëve është ndaluar apo jo?! Bashkimi Europian është bashkim i demografisë, i njerëzve. Shëndetësia, arsimi dhe siguria janë të minuara. Rrënim nga të gjitha anët, ç’vlerë ka raporti i BE-së? I ke vendet të rrënuara. Si qenkemi mirë në letër, kur po na ikin të gjithë kalamajtë? Do të jetojmë vetëm”, tha ai.
Gazeta RD