Protestat kundër qeverisë kanë vijuar edhe këtë mbrëmje para godinës së Kryeministrisë, ku qytetarë, studentë dhe të rinj janë mbledhur për të kërkuar largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.
Pavarësisht gjobave administrative të vendosura ndaj pjesëmarrësve dhe shoqërimeve të kryera nga Policia, protestuesit kanë vijuar qëndrimin e tyre në rrugë. Një ditë më parë, pati edhe përplasje me efektivët, pasi disa qytetarë refuzuan të merrnin në dorëzim fletëgjobat.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama, në prani të ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, paralajmëroi se masat administrative dhe hetimet penale ndaj protestuesve do të vijojnë.
Por kjo nuk duket se ka ndryshuar qëndrimin e qytetarëve të mbledhur para Kryeministrisë. Ata vijojnë të refuzojnë ofertën për dialog me kreun e qeverisë, duke këmbëngulur te kërkesa për dorëheqjen e Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar.
Gazeta RD