Nga Bislim AHMETAJ

Gjashtë muaj që shqiptarët janë në shesh.
Herë me qindra, herë me mijëra e ndonjëherë me dhjetëra, por asnjë ditë nuk e kanë braktisur sheshin.
Kërkesa e vetme, që nuk u ndryshua dhe as u lëkund për asnjë ditë të vetme gjatë kësaj proteste, unike në historinë e shqiptarëve, ishte dhe mbeti e panegociueshme: Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama!
Temperaturat përvëluese të gushtit ishin një provë e frikshme, por qëndrestarët e kaluan me sukses sprovën e durimit dhe sakrificës.
Shtatori nuk i përmbushi plotësisht pritshmëritë e qëndrestarëve dhe organizatorëve, por gjithsesi arriti të mbillte shpresën dhe besimin se studentët do të shpërthenin.
Dhe studentët nuk zhgënjyen!
Ditën e parë të vitit akademik, Universiteti «Aleksandër Moisiu» i Durrësit i rezervoi kryeministrit një «pritje» spektakolare, aq sa Edi Rama, përballë revoltës studentore, anulloi vizitën e paralajmëruar.
Më pas, studentët e shpërfaqën revoltën e tyre në mënyrën që vetëm ata dinë, duke sjellë në kujtesën e shqiptarëve ditët historike të Dhjetorit të vitit 1990, kur shpërtheu Lëvizja Studentore, e cila çoi në dorëzimin e diktaturës dhe themelimin e pluralizmit politik shqiptar.
Policia, nën urdhrat e Edi Ramës, nuk la mjet arbitrar pa përdorur për ta shuar protestën e studentëve.
Edi Rama ka vënë në përdorim çdo instrument shantazhi, ligjor e çnjerëzor, për ta shtypur këtë lëvizje qytetare që duket se nuk ka më kthim pas.
Politika e vjetër dhe e re nuk ka lënë gur pa lëvizur për të siguruar qoftë edhe një vend apo rol në primatin e produktit politik që pritet të prodhojë lëvizja studentore e brezit «Z».
Deri tani nuk ia kanë dalë.
As ta shuajnë, as ta shantazhojnë dhe as ta kontrollojnë këtë lëvizje shprese dhe besimi, e cila lindi në maj dhe duket se mund të kurorëzohet në Festën tonë të Flamurit, ose në vigjilje të Dhjetorit historik, kur diktatura komuniste u detyrua të dorëzohej.
Por tani, pikërisht në këtë pikë të rëndësishme të rrugëtimit të saj, nga organizatorët kërkohet diçka më shumë.
Të jenë pak më të organizuar, pak më të mprehtë, pak më smart, pak më të hapur dhe, mbi të gjitha, më të bashkuar.
Të bashkuar jo pas një partie,
jo pas një individi,
jo pas një ambicieje personale,
por rreth FLAMURIT TONË KOMBËTAR!
Sepse kjo protestë nuk është dhe nuk duhet të bëhet pronë e askujt.
Është shpresa e një brezi dhe përgjegjësia e një kombi.
Gazeta RD