Nga Boldnews.al
Prokuroria e Posaçme dyshon se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, ka përfituar shuma të konsiderueshme financiare të natyrës korruptive, nga fondet me origjinë tenderat e manipuluar të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas prokurorëve, të paktën 450 mijë euro kanë shkuar nga Ergys Agasi tek familjarët e afërt të zonjës Hyseni në Gjermani, nëpërmjet një skeme të ndërlikuar, për të fshehur gjurmët e parave.
Pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për ish-drejtuesen e Shërbimit Inteligjent Shqiptar, e dyshuar për veprat e “nxjerrjes së sekretit hetimor” dhe “përkrahje e autorit të krimit”, SPAK-u ka thelluar më tej hetimet, duke ngritur dyshimet se ajo është përfshirë edhe në “korrupsion pasiv” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Në 30 Tetor 2026, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar emrin e Vlora Hysenit si e dyshuar për këto dy veprat e fundit penale. Gjithçka nisi nga një letër me shkrim dore, e gjetur në zyrat e kompanisë “EA Tabacco”, në pronësi të Ergys Agasit.
Letra
Disa muaj më parë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kryen kontrolle dhe sekuestruan dokumentacione të ndryshme në zyrat e kompanive të dyshuara për përfshirjen në skandalin korruptiv me tenderat e AKSHI-t.
Mes dokumentave, agjentët e BKH-së sekuestruan edhe një letër më zyrën e “EA Tabacco” shpk në pronësi të Ergys Agasit. Letra ishte shkruar me shkrim dore dhe aty ishin përshkruar disa llogari financiare. Bëhej fjalë për disa pagesa, në një total prej 119.162.400 lekë.

Nisur nga kjo e dhënë, grupi hetimor ndoqi rrugëtimin e kësaj shume parash dhe arritën tek disa kompani të regjistruara në Gjermani, ku gjendeshin gjurmët e familjarëve të Vlora Hysenit, konkretisht vëllait të saj, Izet Dingler (Hyseni) dhe Skënder Hyseni.
Rrugëtimi i parave
Agjentët e BKH-së verifikuar tenderat e zhvilluar nga AKSHI dhe u rezultoi se, shifra e gjetur në letrën e sekuestruar në zyrën e Agasit, përputhej me një faturë të paguar për llogari të procedurës së prokurimit publik për “Instalim-Konfigurim pajisjesh dhe programesh për Laboratorët SMART për Ministrinë e Arsimit”.
Kjo faturë ishte lëshuar për subjektin “Enklo Konstruksion” shpk, nga një tjetër shoqëri, “Sinteza CO”. Më tej ka rezultuar se me datë 21.03.2024, subjekti “Sinteza Co” sh.p.k., ka lëshuar faturën tatimore kundrejt kompanisë “Albascan sh.p.k”. me vlerë 151.263.144 Lekë, me përshkrimin “Instalim/Konfigurim”. Kjo pagesë është kryer brenda ditës nga “Albscan” shpk.

Dy kompanitë, pra “Sinteza & Co” dhe “Albscan” kanë qenë bashkim operatorësh dhe ato së bashku kanë fituar tenderin e zhvilluar nga AKSHI për laboratorët SMART për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, me vlerë totale1.669.372.673 Lekë, për të cilën është lidhur Kontrata nr. 776, datë 24.10.2023.
Nga Tetori 2023 deri në Mars 2024, “Albascan sh.p.k”. ka përfituar 1.438.138.023 Lekë, dhe, sipas SPAK-ut, një pjesë e tyre kanë kaluar tek “Sintezo & Co” dhe, më tej, tek “Enklo Construction” shpk.
Dyshimet e para
Grupi hetimor ka konstatuar se “Enklo Construction” nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin e teknologjisë së informacionit dhe se “nga verifikimet në regjistrin notarial rezulton se nuk ka asnjë kontratë me objekt instalim dhe konfigurim”.
Po ashtu, administratori i “Sinteza & Co” shpk, i pyetur në Prokurinë e Posaçme, ka deklaruar se nuk e njeh fare kompaninë “Enklo Construction” dhe se nuk e ka idenë nëse kjo shoqëri bën punime teknologjike. Sipas tij, veprimet me faturat janë kryer nga pronari i “Albscan”, Elison Jorgji.
Ndërkohë, edhe administratori i “Enklo Construction” ka deklaruar se shoqëria ka objekt të saj fushën e ndërtimit dhe nuk merret me pajisje elektronike.

Mbi këto të dhëna, Prokuroria e Posaçme krijoi bindjen se “Enklo Construction”, e cila rezulton që të ketë marrë 119 milionë lekë të reja nga “Sinteza & Co”, në të vërtetë nuk ka kryer asnjë punim dhe se ajo dyshohet se “ka shërbyer si mjet për qarkullimin e parave të përfituara nga AKSHI dhe nën orientimin e Z. Elision Jorgji”.
Lëvizja e parave
Hetimet e mëtejshme të SPAK-ut kanë zbuluar se shoqëria “Enklo Construction”, pasi ka marrë shumën 119 milionë lekë të reja, ka transferuar drejt “Fortis Beton”, një tjetër shoqëria e përfshirë në skandalin e “AKSHI-it”, një shumë prej 42 milionë lekë të reja. Kjo vlerë është kaluar me përshkrimin “sipas kontratës së huasë…”.
Gjithashtu, “Enko Construction” rezulton se ka paguar një shumë prej 290 mijë euro për blerjen e automjetit “Range Rover”, me targa “G444A”, i cili i është sekuestruar më vonë Ergys Agasit.
Kompania “Fortis Beton”, në të njëjtën ditë që ka marrë shumat nga “Enkli Construction”, ka bërë dy transferime, për një total prej 500 mijë euro, në llogarinë e një shoqërie të regjistruar në Gjermani, “Ëilhelm & Co Planungsgesellschaft”. Kjo pagesë është argumentuar me përshkrimin “shërbim arkitekturor për një ndërtesë banimi dhe tregtare rreth 17 mijë metra katrorë në Tiranë”.
Shfaqen familjarët e Vlora Hysenit
Prokuroria e Posaçme thotë se Jurgen Kurt, administratori i shoqërisë përfituese, nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri, ndërkohë që kompleksi i kontraktuar nuk është ndërtuar.
Nga ana tjetër, prokurorët e posaçëm kanë identifikuar se në kompaninë përfituese gjermane është i punësuar një prej vëllezërve të zonjës Vlora Hyseni. Për prokurorët e posaçëm, skema e deritanishme ka krijuar dyshimet se “transferta e parave në të vërtetë përbën një përfitim korruptiv të Znj. Vlora Hyseni nga ana e Z.Agasi dhe se për këtë pagesë të paligjshme burimi janë fondet e përfituara në mënyrë kriminale nga AKSHI”.
Më tej, Prokuroria e Posaçme i ka thënë gjykatës se ka idenfikuar një tjetër transfertë, në shumën 450 mijë euro, e kaluar nga “Fortis Beton” shpk tek një subjekt tjetër gjerman, “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”, me përshkrimin si “pagesë për kontratë huaje datë 26.02.2024”.
Përfaqësuesi i kompanisë gjermane është Izet Dingler (Hyseni), vëllai i ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Sipas kontratës, kjo shumë do të përdorej për blerjen e 75 përqind të një tjetër shoqërie gjermane, “STGH GmbH”, e administruar nga Skënder Hyseni, një tjetër familjar i Vlora Hysenit.
Megjithatë, siç thotë Prokuroria e Posaçme, kjo transfertë prej 450 mijë euro është anuluar. “Por, kjo nuk e përjashton dyshimin për premtimin dhe pranimin e përfitimit të parregullt nga Znj. Vlora Hyseni, duke marrë si përfitim dhënien nga ajo kundrejt Z. Agasi të informacioneve sekrete të SHISH”, thuhet në dosjen hetimore.
Prokuroria e Posaçme ka krijuar bindjen se “e gjitha kjo skemë nga personat e dyshuar është kryer për fshjehjen e origjinës dhe natyrës kriminale të produkteve të veprës penale të korrupsionit dhe të përfitimeve të paligjshme nga prokurimet publike të AKSHI.
Gazeta RD