Çapja: Projektbuxheti nuk financon realisht rekomandimet e Komisionit Europian për mjedisin

Deputetja e PD, Klodiana Çapja, ka kritikuar projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Mjedisit, duke argumentuar se fondet e parashikuara nuk përmbushin nevojat për zbatimin e standardeve europiane. Sipas saj, pavarësisht rekomandimeve të përsëritura të Komisionit Europian për Kapitullin 27, qeveria parashikon rreth 3.23 miliardë lekë për këtë ministri, ose afërsisht 0.33% të shpenzimeve të përgjithshme publike.

Në një deklaratë për mediat, Çapja u ndal te raporti i Progresit për Shqipërinë, i publikuar më 4 nëntor, duke theksuar se Komisioni Europian evidenton progres të kufizuar në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Sipas saj, rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërsa projektbuxheti i vitit 2027 nuk paraqet financime të mjaftueshme për përmbushjen e tyre.

Deputetja e PD ngriti shqetësime për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, duke iu referuar zhvillimeve në Pishë Poro–Nartë, Bunë–Velipojë dhe çështjes së aeroportit të Vlorës. Ajo theksoi se këto problematika janë përmendur edhe në raportin e Komisionit Europian dhe kërkoi që qeveria të sqarojë financimet konkrete për mbrojtjen e këtyre zonave dhe forcimin e institucioneve përgjegjëse.

DEKLARATA

Projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Mjedisit, Paketa Fiskale që e shoqëron dhe Raporti i Progresit për Shqipërinë, i publikuar më 4 nëntor nga Komisioni Europian, ngrenë një pyetje themelore:

A janë fondet dhe politikat e parashikuara për vitin 2027 të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet mjedisore të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian?

Raporti i Komisionit Europian e vlerëson Shqipërinë me një nivel fillestar përgatitjeje në Kapitullin 27, “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”. Më saktësisht, Komisioni konstaton se vendi ka njëfarë niveli përgatitjeje, por gjatë periudhës së raportimit ka shënuar vetëm progres të kufizuar.

Rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe mbeten ende në fuqi.

Ndërkohë, për vitin 2027, buxheti i Ministrisë së Mjedisit parashikohet në rreth 3.23 miliardë lekë, ose afërsisht 0.33% të shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit të shtetit dhe atij vendor, përfshirë fondet speciale.

Qartësisht, ky buxhet, së bashku me financimet e ministrive të tjera, bashkive dhe donatorëve, nuk mbulon nevojat reale për zbatimin e standardeve europiane.

Së pari, Komisioni Europian ngre shqetësime serioze për mbrojtjen e zonave të mbrojtura.

Raporti i Progresit 2026 konstaton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatja e ligjit për investimet strategjike kanë kontribuar në përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës.

Komisioni përmend shprehimisht zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, ku miratimi i tri lejeve të zhvillimit dhe kryerja e punimeve përgatitore, në mungesë të konsultimit publik dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis, vazhdojnë të ngrenë shqetësime.

Raporti evidenton gjithashtu zhvillimet në zonën e mbrojtur Bunë–Velipojë dhe çështjen e aeroportit të Vlorës, për të cilin Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës ka kërkuar në mënyrë të përsëritur vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Këto nuk janë thjesht shqetësime të organizatave mjedisore. Ato janë tashmë pjesë e vlerësimit zyrtar të Komisionit Europian për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit.

Qeveria duhet të sqarojë se çfarë financimesh konkrete parashikohen në vitin 2027 për përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe për forcimin e institucioneve përgjegjëse për zonat e mbrojtura.

Së dyti, menaxhimi i mbetjeve mbetet një problem i rëndësishëm mjedisor dhe financiar.

Për menaxhimin e mbetjeve urbane parashikohen rreth 740 milionë lekë.

Ndërkohë, dokumentacioni buxhetor përfshin kontratën koncesionare të landfillit dhe inceneratorit të Tiranës, me një vlerë kontraktore të listuar prej rreth 17.1 miliardë lekësh.

Inceneratorët mbeten skema më e madhe korruptive e kësaj qeverie, një skemë që, sipas pretendimeve të opozitës, ka gllabëruar deri më tani më shumë se 300 milionë euro. Ndërkohë, ende nuk ka një pasqyrë të qartë se çfarë ndodh me inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës.

Përtej kësaj, vlera prej 17.1 miliardë lekësh është vlera e kontratës dhe jo pagesa vjetore për vitin 2027. Megjithatë, përmasat e saj kërkojnë transparencë të plotë mbi pagesat, detyrimet e mbetura dhe rezultatet e shërbimit.

Raporti i Komisionit Europian konstaton se Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, e krijuar në vitin 2026, vazhdon të ketë kapacitete dhe ekspertizë të kufizuara.

Megjithëse Shqipëria ka miratuar legjislacionin për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, aktet zbatuese dhe funksionimi efektiv i sistemeve të menaxhimit të mbetjeve mbeten sfida.

Pyetja është: sa nga fondet e vitit 2027 shkojnë realisht për ndarjen e mbetjeve në burim, riciklimin, trajtimin sipas standardeve europiane dhe forcimin e kapaciteteve institucionale?

Së treti, cilësia e ajrit dhe e ujërave kërkon më shumë monitorim dhe investime të matshme.

Komisioni Europian njeh krijimin e një strukture të posaçme për cilësinë e ajrit në Ministrinë e Mjedisit dhe instalimin e dy stacioneve të reja automatike të monitorimit.

Megjithatë, ai kërkon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve teknike dhe administrative për monitorimin e ndotjes.

Për cilësinë e ujërave, raporti evidenton se programi kombëtar i monitorimit mbetet i kufizuar në shtrirje dhe mbulim gjeografik.

Këto konstatime kërkojnë që projektbuxheti të shoqërohet me objektiva të qarta: sa stacione monitorimi do të jenë funksionale, cilat zona do të mbulohen, sa do të rritet trajtimi i ujërave të ndotura dhe si do të publikohen të dhënat për qytetarët.

Së katërti, mbrojtja e pyjeve dhe parandalimi i zjarreve duhet të kenë financime dhe rezultate konkrete.

Për administrimin e pyjeve parashikohen rreth 823 milionë lekë.

Raporti i Komisionit Europian thekson se menaxhimi i pyjeve duhet të garantojë mbrojtjen e biodiversitetit dhe funksionimin natyror të ekosistemeve, duke mos i nënshtruar këto objektiva interesave ekonomike.

Komisioni evidenton gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve kundër prerjeve dhe trafikimit të paligjshëm të drurit.

Këto masa kërkojnë koordinim dhe financim ndërinstitucional, përfshirë edhe institucionet e mbrojtjes civile.

Janë miliona euro që shkojnë për kontrata korruptive, tendera abuzivë e madje edhe për pajisje që përdoren për të shuar protestat e qytetarëve. Ndërkohë, kemi parë dëme të pallogaritshme në pyje dhe kullota si pasojë e zjarreve, ndërsa Shqipëria nuk disponon kapacitetet e nevojshme logjistike për shuarjen e tyre.

Së pesti, Paketa Fiskale 2027 duhet të analizohet edhe për ndikimin e saj mjedisor.

Qeveria propozon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër mbi benzinën dhe gazoilin, ristrukturimin e taksave të automjeteve dhe vendosjen e një takse vjetore prej 15.000 lekësh për automjetet elektrike.

Në të njëjtën kohë, propozohet rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21%.

Lehtësimi i kostove të transportit mund të ketë efekte pozitive ekonomike. Megjithatë, këto ndryshime kërkojnë edhe një analizë të ndikimit mbi konsumin e karburanteve, ndotjen e ajrit dhe objektivat klimatike.

Në veçanti, duhet të sqarohet se si përputhet vendosja e një takse të re për automjetet elektrike me politikat për nxitjen e transportit me emetime të ulëta.

Së gjashti, rekomandimet e Komisionit Europian duhet të reflektohen në shqyrtimin parlamentar të projektbuxhetit.

Komisioni Europian kërkon shprehimisht përgatitjen e planeve të financimit për investimet prioritare mjedisore.

Projektbuxheti 2027 u depozitua përpara publikimit të raportit, por shumë prej rekomandimeve të Komisionit janë përsëritur edhe nga vitet e mëparshme.

Prandaj, gjatë shqyrtimit parlamentar, duhet të verifikohet nëse ekziston një lidhje e qartë ndërmjet rekomandimeve europiane, fondeve të parashikuara dhe rezultateve që synohen.

Për këto arsye, kërkojmë nga qeveria dhe Ministria e Mjedisit:

Paraqitjen në Kuvend të një plani financiar për përmbushjen e rekomandimeve të Kapitullit 27, me afate, institucione përgjegjëse dhe burime financimi.

Sqarimin e masave dhe financimeve për mbrojtjen e zonave Pishë Poro–Nartë, Bunë–Velipojë dhe zonave të tjera me rëndësi për rrjetin Natura 2000.

Publikimin e plotë të detyrimeve financiare dhe rezultateve të kontratave koncesionare në sektorin e mbetjeve.

Vendosjen e treguesve të matshëm për cilësinë e ajrit, monitorimin e ujërave, mbrojtjen e pyjeve dhe biodiversitetit.

Publikimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor të ndryshimeve të propozuara në taksimin e karburanteve dhe automjeteve.

Raportimin periodik në Kuvend për ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Europian.

Mbrojtja e mjedisit nuk mund të mbetet vetëm një angazhim në dokumentet strategjike. Ajo është një detyrim konkret i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Nëse synojmë të përmbyllim negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, duhet të tregojmë se kemi jo vetëm ligjet, por edhe institucionet, kapacitetet, financimet dhe vullnetin për t’i zbatuar ato.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse projektbuxheti 2027 financon realisht mbrojtjen e mjedisit dhe përmbushjen e standardeve europiane, apo nëse këto angazhime mbeten pa një plan të qartë financiar dhe pa rezultate të matshme.

About Redaksia

Check Also

Ofendimi i Ramës ndaj një mjeku dhe njeriu të dijes/ Ja kushtoi jetën shërbimit

Klodi STRALLA “Deputetët nuk duhet të bëjnë Arqile Botin!” Kështu u shpreh sot Naltgjatësia i …