Gjoni: PD kërkon lista plotësisht të hapura, PS pengon ndryshimin e sistemit zgjedhor që të ruajë avantazhet

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka deklaruar se reforma zgjedhore duhet të shkojë përtej ndryshimeve teknike në Kodin Zgjedhor, duke përfshirë ndryshimin e sistemit dhe vendosjen e listave plotësisht të hapura për zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore.

I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ me Armela Ferkon në SYRI TV, Gjoni tha se PD ka kryer një studim të hollësishëm mbi rekomandimet e ODIHR-it, OSBE-së dhe Komisionit të Venecias, duke ndërtuar tetë shtylla kryesore për ndarjen e partisë nga shteti.

Sipas tij, Partia Demokratike synon një reformë të thellë zgjedhore, që t’u japë zgjidhje problematikave të konstatuara në proceset e deritanishme. Gjoni pretendoi se përfaqësuesit e Partisë Socialiste po bëhen pengesë për ndryshimet thelbësore, pasi Kodi aktual është favorizues për ta dhe kërkojnë vetëm ndërhyrje të pjesshme që ruajnë avantazhet e tyre politike.

Gjoni renditi si çështje të parë ndryshimin e sistemit zgjedhor, përmes një sistemi proporcional me lista plotësisht të hapura. Sipas tij, kandidatët për deputetë duhet të konkurrojnë mbi bazën e aftësive profesionale dhe të marrin votëbesimin e qytetarëve në të gjithë vendin.

Një tjetër propozim i PD-së lidhet me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave Bashkiakë përmes listave të hapura. Gjoni argumentoi se qytetarët duhet të kenë mundësi të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit që përputhen me bindjet e tyre politike dhe që mbrojnë interesat e tyre në nivel vendor.

‘Partia Demokratike ka bërë një studim të hollësishëm mbi bazën e të gjitha rekomandimeve të dhëna nga ODIHR-i dhe OSBE-ja, por njëkohësisht edhe nga Komisioni i Venecias. Ne kemi ndërtuar tetë shtylla kryesore, të cilat përbëjnë bazën e mënyrës se si mund të ndahet partia nga shteti, në përputhje me të gjitha rekomandimet e lëna nga ODIHR-i.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka shkuar edhe më tej, duke trajtuar atë që sot përbën interesin e qytetarëve shqiptarë, të protestuesve që kanë dalë në shesh, të vetë Partisë Demokratike, por edhe të të gjitha forcave opozitare: ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe përmbysjen e gjithçkaje që ka ndodhur deri më tani në Shqipëri në raport me zgjedhjet.

Vetë Kodi Zgjedhor, por edhe mënyra se si janë zhvilluar dhe trajtuar zgjedhjet deri tani, kanë treguar se është e domosdoshme të shkojmë drejt një ekuacioni të ri, i cili t’u japë zgjidhje të gjitha mangësive dhe problematikave të konstatuara deri në këtë moment.

Çështja kryesore, e cila nuk është vetëm në interes të Partisë Demokratike, por e të gjithë qytetarëve shqiptarë, ka hasur në një pengesë shumë të fortë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Për ta, Kodi Zgjedhor është favorizues dhe nuk kërkojnë ndryshime thelbësore në të, por vetëm arnime që u japin avantazhe në raport me forcat e tjera politike.

Cilat janë çështjet që duhet të përmend?

Po, çështja e parë ka të bëjë me ndryshimin e sistemit zgjedhor, konkretisht me sistemin proporcional dhe listat e hapura. Partia Demokratike, ashtu si të gjithë shqiptarët, protestuesit dhe forcat opozitare, mbështet një sistem me lista plotësisht të hapura. Kandidatët për deputetë duhet të jenë në lista të hapura, ku secili të konkurrojë mbi bazën e aftësive të tij profesionale dhe të marrë votat e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë.

Çështja e dytë, po aq e rëndësishme, lidhet me Këshillat Bashkiakë. Ne kërkojmë që edhe për këto institucione të shkojmë drejt listave të hapura, në mënyrë që qytetarët të zgjedhin, në parlamentin e tyre bashkiak, përfaqësuesit që u përshtaten më mirë pikëpamjeve të tyre politike dhe që mbrojnë interesat e tyre.

Përveç kësaj, Partia Demokratike është e gatshme dhe ka arritur një emërues të përbashkët me partitë e tjera opozitare. Padyshim që do të zhvillohen takime të tjera, si nga kryetari i partisë, ashtu edhe në nivel ekspertësh, me të gjitha forcat opozitare që kërkojnë ndryshime rrënjësore në çështjet zgjedhore. Synimi është të heqim njëherë e përgjithmonë damkën që zgjedhjet në Shqipëri të mos zhvillohen të lira dhe të ndershme.

Një nga kriteret kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt Bashkimit Evropian janë kriteret e Kopenhagës. Ato lidhen me funksionimin e demokracisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si kushte që një shtet duhet të përmbushë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Këto janë kritere që, deri në këtë moment, Shqipëria nuk i ka përmbushur.’ u shpreh deputeti i PD-së Gjin Gjoni në SYRI TV.

About Redaksia

Check Also

Protesta e studentëve, ndryshon programi në prag të ndeshjes së Kombëtares me Finlandën

Protesta studentore e paralajmëruar për nesër në orën 14:00 ka sjellë ndryshime në programin e …