Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone të forta ndaj deputetëve dhe ministrave socialistë, veçanërisht figurave të vjetra të Partisë Socialiste, gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë së PS.
Burime të Zoom.al thanë se gjatë fjalës së tij, Rama u është drejtuar drejtpërdrejt atyre që prej vitesh kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveri dhe në parti, duke u kujtuar se çfarë kanë përfituar politikisht nga PS-ja.
“Kush nga ju nuk ka qenë ministër të paktën një herë?”- mësohet t’u jetë drejtuar Rama socialistëve, duke theksuar se disa prej tyre janë rikthyer disa herë në poste qeveritare.
Por kritikat më të forta, Zoom.al mëson se kanë qenë për mungesën e mbështetjes publike ndaj tij.
Rama i ka akuzuar deputetët dhe ish-ministrat se, ndërsa kanë përfituar nga pushteti dhe pozitat që u ka dhënë Partia Socialiste, nuk kanë dalë ta mbrojnë publikisht në momentet më të vështira.
“Asnjëri nga ju nuk doli të më mbronte publikisht”,- ka qenë një tjetër prej shpërthimeve të kryeministrit.
Ai u ka kujtuar se kanë marrë shumë nga Partia Socialiste, por në momentin që ajo ka pasur më shumë nevojë për mbështetje, nuk kanë dhënë asgjë.
Kryeministri ka shkuar edhe më tej, duke i akuzuar se në vend që të mbrojnë publikisht drejtimin e partisë, zgjedhin ta kritikojnë atë në biseda private.
“Flisni nëpër kafene hapur kundër meje”,- mësohet t’u ketë thënë Rama.
Shpërthimet e kryeministrit tregojnë nga njëra anë pakënaqësinë e tij ndaj figurave të PS dhe nga ana tjetër presionin që ai ushtron drejtëpërdrejt ndaj tyre për t’i pasur në resht pas vetes, duke u kërkuar jo vetëm besnikëri brenda partisë, por edhe mbështetje publike. /Zoom.al
Gazeta RD