Rama propozoi përjashtimin e Spiropalit nga partia, ndërsa nuk dinte se mbi ç’bazë ligjore po e kryente këtë gjë, pasi Spiropali është anëtare e Asamblesë dhe drejtuese e lartë politike. Pasi Rama bëri propozimin, kanë reaguar Fatmir Xhafa, Pandeli Majko dhe Erion Braçe. Rama u ka thënë atyre se ka një precedent për përjashtimin nga partia dhe është procedimi i vitit 2007, kur ai përjashtoi Fatos Nanon. Kjo analogji e sforcuar e Ramës ishte dhe gafa e tij, sepse në vitin 2007 Fatos Nano u ekspozua dhe u bë bashkë me PD-në. Ai doli në konferencë për shtyp bashkë me Sokol Olldashin, duke bërë thirrje që socialistët të votonin këtë të fundit. Ky veprim i Nanos ishte shërbim zyrtar ndaj palës kundërshtare me PS-në. Elisa Spiropali, nga ana e saj, është duke kritikuar dhe duke kërkuar ndryshime pikërisht për të kundërtën, që PS të mos kalbet dhe të forcohet. Me krahasimin e bërë, Edi Rama duket se ka humbur çdo lidhje me statutin dhe rregulloret e PS-së dhe tashmë ai nuk sheh më as rregulla dhe lojë politike, por vetëm armiq personalë dhe larje hesapesh me mentalitet rruge.
Një tjetër moment interesant ishte kur Rama deklaroi se Elisa Spiropali ndihej dhe ishte një flamingo. Kjo e fundit, edhe pse e papërgatitur për fjalim, arriti që flamingot t’i interpretojë me doktrinë dhe politikisht, duke deklaruar: “Nëse me flamingo ju kuptoni kërkesën e flamingove që shteti të ndahet nga partia, po, unë jam flamingo. Nëse me flamingo ju kuptoni që persona përgjegjës për korrupsion madhor duhet të përballen me drejtësinë dhe të mos kenë imunitet, po, unë jam flamingo. Nëse me flamingo ju kuptoni që PS duhet të ndërtojë një Shqipëri mbi meritokracinë dhe jo mbi tarafet dhe kapriçot personale, po, unë jam flamingo.”
Këto dy momente përplasjeje mes Spiropalit dhe Ramës, ku u trazuan hija e Nanos nga subkoshienca e Ramës dhe vala e flamingove nga realiteti i sotëm i tij, janë tregues se në fakt Edi Rama, si në mënyrë të pavetëdijshme dhe në vetëdijen e tij, e konsideron dhe po e trajton Spiropalin si rivale dhe pasardhëse potenciale të tij./Hashtag.al
Gazeta RD