Eksperti i sigurisë: Kos, jep dorëheqjen!

Eksperti i sigurisë Shkëlqim Berisha ka reaguar ashpër lidhur me skandalin e interpretimit të melodisë së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në aktivitetin zyrtar të Komisionit Evropian në Bruksel.

Në postimin e tij në Facebook, Berisha kërkon dorëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke e cilësuar të pamjaftueshme ndjesën e saj për një ngjarje që, sipas tij, cenon dinjitetin e Kosovës dhe viktimave të luftës.

Ai vendos në kontrast reagimin e Brukselit ndaj nderimit të kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mladić, në Serbi, me qëndrimin ndaj interpretimit të këngës serbe në aktivitetin evropian.

Berisha ngre pikëpyetje mbi standardet e dyfishta të Bashkimit Evropian dhe thekson se pajtimi në Ballkan nuk mund të ndërtohet përmes deklaratave të keqardhjes, ndërsa shmanget përgjegjësia politike.

Postimi i plotë

Kos, jep dorëheqjen!

Në zemër të Brukselit, në një aktivitet zyrtar të Bashkimit Evropian kushtuar unitetit dhe pajtimit, u interpretua melodia e një kënge nacionaliste serbe që pretendon Kosovën si tokë serbe.

Po sikur në atë sallë të luhej melodia e një kënge propagandistike naziste?

A do të mjaftonte një ndjesë, apo do të hapej menjëherë çështja e dorëheqjes?

Dhe kjo nuk është ngjarja e vetme që ngre pikëpyetje.

Vetëm dy muaj më parë, në Serbi, krimineli i dënuar për gjenocid, Ratko Mladić, u nderua me ceremoni, prani zyrtarësh shtetërorë dhe homazhe publike.

Marta Kos e dënoi ngjarjen dhe anuloi një vizitë në Beograd. Por ku ishin pasojat konkrete për Serbinë në procesin e integrimit evropian?

Për Mladićin, dënim me fjalë. Për Kosovën, keqardhje për një melodi!

A është ky standardi me të cilin Brukseli kërkon të ndërtojë pajtimin në Ballkan?

Viktimat e Srebrenicës dhe të Kosovës meritojnë respekt, jo relativizim diplomatik.

Evropa nuk mund të predikojë pajtimin duke shmangur përgjegjësinë!

Kos, jep dorëheqjen!

About Redaksia

Check Also

DER STANDARD: Rama kërkon të shtypë protestat me metodat e Sigurimit të Shtetit

Gazeta e njohur austriake, DER STANDARD, shkruan se Edi Rama po përpiqet të shtypë protestat duke përdorur …