Gjatë foltores së ‘Ripërtëritjes’ me demokratët në Berat, Berisha e cilësoi bashkimin si të vetmen përgjigje përballë asaj që e konsideron rrezik ekzistencial për Shqipërinë, duke paralajmëruar se ata që qëndrojnë larg kësaj nisme duhet të reflektojnë.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD, Sali Berisha komentoi edhe Asamblenë e Partisë Socialiste, duke ironizuar pjesëmarrjen dhe mënyrën e organizimit të saj. Ai paralajmëroi se Edi Rama i ka ditët e numëruara në politikë dhe se, sipas tij, është më mirë që largimi i tij të vijë përmes bashkimit të opozitës.
Berisha: Cilido që ngurron, ka një problem të madh me veten e tij.
Nuk mund të ngurrohet, lexoni para historisë, para rreziqeve ekzistenciale ka pasur vetëm një qëndrim: bashkim, bashkim dhe vetëm bashkim.
Ne qëndrojmë të dashur demokratë e demokratë, ne kemi nisur dhe jemi në procesin e ripërtëritjes.
Do të bëjmë gjithçka për të bashkuar rreth vetes tonë vlerat më të mëdha, sikundër mbetemi të betuar se gjer në rrëzimin e Edi Ramës kurrë nuk do rreshtim përpjekjen tonë, të shpëtojmë shqiptarët.
E patë vetë se si ishte Asambleja.
Shiheni këtë sallë me asambleistët e lirë qytetarë, krahasoni sallën e tyre.
Krahasojeni.
Netflix është lule, nuk keni për ta gjetur kurrë se ku janë.
Ndaj dhe ai i ka kohërat e numëruara.
Por është mirë të bashkohemi dhe ta nxjerrim nga skena politike.
T’i japim atë që meriton.
Unë nuk do hyj këtu të ndalem në krimet e tij, por u garantoj se asnjëri këtu, as unë, nuk mund të imagjinojmë përmasat e tyre.
Por së pari duhet të votojmë, duhet qytetarë të krijojmë një qeveri kujdestare për votën, të votojmë të lirë dhe mësimet e nxjerra t’i sanksionojmë në ligj e Kushtetutë që kjo që ndodhi me shqiptarët, të mos mund të ndodhë më.
Gazeta RD